Saturday, 9 May 2026

Cili ishte morali i shoqërisë korçare në vitet e kulmit të zhvillimit të saj (fund)


 (vijim)

Tek bashkësia muhamedane ( me disa ndryshime mes sunitëve dhe bektashinjve) roli i meshkujve kishte më shumë peshë dhe rastet kur vajzat vazhdonin shkollimin jashtë ishin të rralla dhe vetëm në disa familje shumë të pasura.

Divorcet ishin një dukuri shumë shumë e rrallë për të gjitha komunitetet dhe po e rrallë ishte tek muhamedanët mbajtja e më shumë se një bashkëshorteje. Po ve vetëm një shembull për të krahasuar ndryshimin e madh të bashkisë muhamedane shqiptare me atë të vendeve të Lindjes së Mesme dhe vende që nuk ishin më të prapambeturit. Në fundin e vitit 1930, kishte një krizë për gra tek arabët e Palestinës. Hebrejtë po blinin toka me qëllimin që të krijonin shtetin e ardhshëm të Izraelit dhe po i blinin me çmime shumë më të larta se ato të tregut. Arabët që shisnin filluan të blinin më shumë gra dhe disa kishin nga 10-12, se në atë shoqëri gratë ishin ato që punonin tokat dhe bënin edhe punë të tjera.

Tek romët, për shkak të varfërisë të atij komuniteti dhe një filozofie të mbetur prej kohëve të të qënit nomadë, qasja ndaj familjes ishte më pak e konsoliduar.

Për të njëjtat arsye qasja ndaj marëdhënieve seksuale apo marëdhënieve jashtëmartesore apo me disa partnerë ishin shumë liberale në bashkësinë rome. Shumë gra dhe vajza të atij komuniteti që “kopilonin” në shtëpitë e shtresave të pasura, jo rrallë hynin në marëdhënie me “afendikojtë“ dhe kishte raste edhe të fëmijëve të lindur nga këto lidhje. Gjithashtu ato që quhen sot në botë “shtëpitë me dritë të kuqe” ndodheshin në lagjen Katavarosh, e cila ishte e banuar thuajse e gjitha nga romët e fesë ortodokse, që në atë kohë quheshin “kaur evgjitë“. Në kohën e Zogut, qëndrimi ndaj prostitucionit ishte më liberal se sa të themi në kohën e Diktaturës.

Por në çështjet e lirisë seksuale dy bashkësitë e tjera të Korçës ishin thellësisht konservatore.

Ndryshimi midis shoqërisë të atij qyteti ishte shumë më konservator se i qyetetve të tjera ballkanike dhe tejet larg atij të qyteteve të Europës Qëndrore. Dhe ky ishte një qëndrim tepër autentik dhe jo i ndikuar nga shoqëritë e huaja. Korça kishte mbetur në një konservatorizëm të “periudhës viktoriane” edhe 40 vjet kur ky lloj konservatorizmi nuk ishte më në Angli. Dhe duhet thënë se lidhjet e qytetit me “Ingliterrën” ishin thuajse inekzistente. Studentët korçarë kishin shkuar në Universitetet e Francës, Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë dhe thuajse nuk kishte asnjë të studiuar në Angli.

Veçanërisht studentët që vinin nga Europa Qëndrore kishin një mendësi tepër “libertine” për sa i përket marëdhënieve seksuale. Ato shoqëri kishin praktikuar një hapje ndaj çështjeve të seksit qysh në fundin e shekullit të XIX dhe kishin arritur kulmin në vitet pas Luftës së Parë Botërore. Ndikimi i tyre ishte shtrirë edhe në Bukuresht dhe Sofje, ku të rinjtë ishin shumë më të hapur të eksperimentonin në këtë drejtim.

Por jo në Korçë.

“Morali” veçanërisht i femrave ishte nën mbikqyrjen e rreptë të një shoqërie konservatore. Veçanërisht gratë që “fshinin sokakët” e tyre dhe pasi mbyllnin punët e shtëpisë uleshin sofateve, ishin “rojet e moralit”. Nuk i shpëtonin syrit edhe të gjitha ato që kishin të fejuarit dhe burrat në kurbet dhe që “bashkoheshin” me ta në 3-4 vjet ose dhe më rrallë. Por duhet thënë se edhe vetë femrat ishin të ndërgjegjshme se “nderi seksual” ishte gjëja më e rëndësishme për një femër të denjë.

Ndonëse vajzat shkonin në shkolla, dhe sikundër kam përmendur më lart disa edhe në të mesme dhe në universitet, përsëri puna për to ishte “tabu”. Përjashtoheshin vetëm mësuesia dhe ndonjë infemeri, sepër punë të tjera as që bëhej fjalë. Ishte “qyteti më perëndimor në Shqipëri”, po ku nuk kishte asnjë kamariere femër. Madje përbuzja ndaj atij profesioni vazhdoi deri në vitet ‘70, ku ishte e papranueshme që një vajzë qytetare të punonte si kamariere. Pa përjashtim kamarieret që nisën të punonin lokaleve pas mesit të viteve ‘60 ishin vajza dhe gra nga fshati, që donin të punonin në qytet.

Se sa konservatore ishte shoqëria dëshmohet në një njoftim të vitit 1938 në një gazetë të kohës. Në të thuhet se Prefektura me të drejtë do ndalojë të punojnë në lokale disa vajza të huaja që punonin si kamariere. “Të shkretat” grek, sërbe, italiane apo rumune, me siguri që kishin ardhur në qytetin me gjendje të mirë ekonomike edhe për të bërë ca para nëpërmjet një “prostitucioni të përmbajtur”, por “syri konservator” ankohej për të rinjtë dhe burrat që rrinin deri vonë duke pirë në këto lokale dhe që më pas harxhonin të tjera lekë për të tjera shërbime. Duket e çuditshme që dhe gazeta mban një qëndrim tepër lavdërues ndaj Prefekturës që kërkon të dëbojë të huajat kamariere. Mbi bazën e cilit ligj do hartohej Urdhëri i Prefekturës? E gjithë kjo histori më kujton një këngë të Fabrizio De Andreit “Buzëtrëndafilja” (Bocca di Rosa) ku tregohet se si dëbohet nga një qytezë një vajzë “libertine”.

Dhe kur shkruaj për natyra të tilla si Buzëtrëndafilja , duhet të pranoj se ishin shumë shumë të pakta në qytetin tim në fundin e viteve ‘30 dhe fillimin e viteve ‘40. Ndoshta Neta Filçeja dhe ndonjë tjetër, dhe që tregoheshin me gisht, por nuk i “konfrontonte” asnjë qytetar.

Gjithashtu konservator ishte qëndrimi ndaj homoseksualizmit, madje shumë herë më tepër se në disa qytetet të Shqipërisë së Mesme. E megjithatë raste të njohura kishte dhe nuk i denonconte njeri ose më keq, t’i fusnin në burg sikundër ka ndodhur në kohën e Diktaturës.

Ndaj “veseve” të tjera të shoqërive perëndimore, Korça ishte më e “hapur” ndaj përdorimit të alkolit nga të tre bashkësitë, gjithashtu edhe kumar luhej edhe pse ishte i ndaluar me ligj. Tombola (bingoja) luhej hapur kafeneve dhe në “Pallas” që ishte hoteli dhe resoranti më i mirë, luhej gjysëm fshehur poker, zare dhe lojëra të tjera fati. Kishte shumë të pasur që ngryseshin dhe gdhiheshin në dhomat e kumarit, ku janë lënë jo rrallë edhe pasuri të tëra.

Me një fjalë ishte një shoqëri shumë e hapur ndaj zhvillimit, ndaj jetës artistike dhe sportive, ndaj ballove dhe kurseve të dansit, ndaj librave dhe kinemasë, ndaj mësimit të instrumentave muzikore, por tepër mbytëse ndaj marëdhënieve seksuale edhe midis të rinjve që duheshin. Në mënyrë anakronike virgjëria për vajzat e pamartuara ishte “dekorata” më e lartë. Nëse dikush rekomandohej si një kandidate e mirë për martesë mjaftonin dy cilësi “e ndershme” dhe “nikoqire”. Të tjerat si zgjuarsia, talenti apo zelli për punë nuk ishin të rëndësishme. Dhe e tillë vazhdoi edhe për dy tre dhjetvjeçarë më pas. Si rrjedhojë të virgjër mbeteshin deri në martesë edhe meshkujt që vinin nga shtresat e mesme dhe të varfra, duke përjashtuar këtu romët, që kishin një koncept më “universal” për arritjen e pjekurisë seksuale dhe “aplikimin e saj” në jetë.

Në pak paragrafë, ky ishte morali i qytetarëve korçarë në pragun e Lufës së Dytë Botërore.


Shenim: Ne foto konkursi Miss Korca ne vitet '30


No comments:

Post a Comment