(vijim)
...Djersë të ftohta filluan të më përhapeshin në trup. Nuk pata menduar se mund të ishin kaq të ngatërruara gjërat. EdheHamasi më duhej! Më shkoi mendja menjëherë tek parardhësit, tek Stambolli, ndonjë fëmijë ilegjitim i gjyshit, që më pas kishte emigruar në Gaza, ndonjë paudhësi e xhaxhajt në adoleshencën e tij, por deri më tani duhet të kisha dëgjuar diçka...Nga doli ky palestinez me emër kaq të ngjashëm dhe për më tepër veprimtar i suksesshëm i “Hamasit”?
- Unë nuk kam asnjë lidhje me Hamasin... dhe emri im është Naum dhe jo Naim!- u gjegja prerazi si për të fshehur bulëzat e ftohta të djersës, që më rrëshqisnin nga maja e tullës.
Oficeri u ndje i sigurt që më kishte kapur në çark ndaj vazhdoi gjakftohtë:
- Cili është qëndrimi i juaj në konfliktin Izrael-Palestinë?
Pa u menduar shumë u hodha:
- Unë jam për shtetin e Izraelit dhe atë të Palestinës të bashkëjetojnë në paqe.
- Po ky nuk është qëndrimi i Presidentit Trump. Ti e kundërshton?- pyeti me dinakëri oficeri.
Mbeta. Mu kujtuan vitet e gjimnazit kur drejtori më vinte pra materialet e partisë dhe i krahasonte me qëndrimin tim. Ishte e njëjta situatë.
= ...po tani....unë nuk jam i sigurt... po...
- Kur e kini lënë mjekrën? Në fotot e tua të hershme në internet jini pa mjekër.
- Nuk e kujtoj me saktësi... po ka shumë vite...
- Para apo pas 11 shtatorit 2001?
- ...nuk jam i sigurt, por pas 11 shtatorit.
- Në shënjë solidariteti me Al Qaedan dhe grupet e tjera terroriste?
- Jo....nuk e pranoj këtë...unë nuk kam asnjë lidhje me grupet terroriste islamike.
- Ka shumë arsye që na bëjnë të arrijmë në këtë përfundim. Për më tepër ju keni edhe një blog, me një emër të dyshimtë, ku shpesh shkruani keq për presidentët amerikanë dhe veçanërisht për Presidentin Trump. E mohoni që kini qëndrime pro-terroriste dhe anti-amerikane?
- Aspak terroriste...aspak anti-amerikane...bile bile kam shkruar edhe disa poezi për vendet piktoreske të Amerikës...I kam në blog.
Oficerit nuk i bënë aspak përshtypje përbetimet e mija proamerikane, të shprehura dhe në disa poezi rreth vendeve piktoreske të Amerikës, por vazhdoi i sigurt:
- Deri tani nuk na paraqitët asnjë fakt se nuk keni kidhje të afërta familjare me terroristin Naim Al Marah.
- Po asnjë lidhje nuk kam veç disa kombinimeve të rastësishme të bashkëtingëlloreve dhe zanoreve në emrat tanë...ai është një i ri palestinez, kurse unë një pensionist shqiptaro-kanadez. Për më tepër ai duhet të jetë i fesë islamike, ndërsa unë jam i krishterë ortodoks.
- Kur jeni konvertua në i krishterë?
- Konvertuar? Unë kam lindur i tillë. Jam pagëzuar kur isha kërthi.
- Kini dokumenta që vërtetojnë përkatësinë tuaj fetare?
Për dreq?! Kush mendon se nëpër dogana mund të të kërkojnë dokumenta të tillë. Edhe në pashaportë nuk shënohet se cilës fe i përket...Disa çaste më pas, frika dhe nevoja për të shpëtuar sa më parë nga hetimi torturues më ndriçuan mendjen.
- Mund t’ja u dëshmoj që nuk jam islamik. Nëse ju ose një koleg i juaj do më shoqërojë në banjë do ju tregoj se nuk jam bërë synet!
Oficeri u step. Ndoshta nuk e priste që intervista do merrte një kthesë të tillë. U ngrit dhe doli nga zyra. Prita më shumë se gjysëm ore i vetëm duke menduar nëse do më arrestonin, do më kthenin pas apo do më lejonin të vazhdoja udhëtimin drejt Nju Jorkut. Ndoshta deklarata për ekspozimin e organit gjenital pat qënë gabimi më i madh i imi. Në çdo vend të botës autoritetet fyhen rëndë nëse dikush, shumë më inferior se ata, deklaron se është i gatshëm ta tregojë “dekumentin”.
Ai u kthye me një fytyrë të vrerosur dhe më vendosi para një letër ku ishte shkruar se për shkak të qëndrimeve të mija në kundërshtim me politikën e jashtm e amerikane më ndalohej për 5 vjet hyrja në SHBA,
“Këtë rradhë shpëtova me kaq!” thashë me vete dhe futa bishtin mes shalëve dhe u ktheva në qytezën time në Kebek. Do kisha përfunduar më keq po mos e kisha “dekumentin”.

