Shkas për këtë
shënim të gjatë, u bë një miku im, që gjithë entusiazëm më
dërgonte foton e një gazete të Zyrihut të vitit 2017, ku shkruhej
se “Skënderbeu” i Korçës – metropol i kulturës shqiptare-
luante në Bernë me ekipin vendas.
Në vend të
gëzimit, fraza më shkaktoi një lloj keqardhje, se më ngacmon një
plagë të vjetër të shpirtit, atë të bjerrjes së kulturës në
Korçë, pas Luftës së Dytë Botërore. Thuajse njëlloj sikundër
kur dëgjoj disa kastravecë gjysëm analfabetë, që mburren
kafeneve të vendit dhe jashtë tij se “jemi pe Korçe dhe kemi
kulturë“.
Nëse dikush në
vitin 2017 e ka informuar gazetarin zviceran për kulturën e Korçës,
e ka informuar për një mit. Vërtet në vitet ‘30, si e ka
cilësuar Indro Montaneli, Korça ishte qyteti më perëndimor i
Shqipërisë edhe pse në skajin lindor të saj. Ka patur shumë
arsye, që një qytet i ri shqiptar, u zhvillua shpejt ekonomikisht
dhe u ngrit nga ana kulturore më lart se të tjerët. Në shënime
të tjera të këtij blogu kam përmendur rënien e Voskopojës dhe
përfitimin e trashëgimisë së saj, pozicionin e favorshëm
gjeografik në kryqëzimin e rrugëve që të çonin në Manastir,
Selanik dhe Durrës, fenë ortodokse të shumicës së popullsisë
(më tolerante se ajo islame) dhe veçanërisht emigracionin në
Misir, Rumani, por sidomos atë në Amerikë.
Fshatarët e Korçës,
që u kthyen nga emigracioni dhe u vendosën në qytet, ishin më të
pasur dhe më me eksperiencë perëndimore, se sa homologët e tyre
të Shkodrës, Durrësit apo Elbasanit. Kjo sillte dëshirën për të
arsimuar fëmijët e tyre dhe për të ndërtuar një jetë shoqërore
të ngjashme me atë të qyteteve amerikanë ku kishin punuar. Ata që
kishin punuar në Misir, përgjithësisht ishin kthyer me shuma të
mëdha financiare dhe kishin filluar prej atje të shkollonin fëmijët
e tyre në universitetet europiane.
Kështu kultura e
qytetit filloi të ngrihej dhe ta bënte Korçën të dallohej nga
qytetet e tjera shqiptare. Dhe me kulturë dihet që nuk kuptojmë
vetëm veprimtaritë artistike dhe arsimore, por mënyrën e jetesës,
të veshjeve, të ndërtimeve, të gatimit dhe mbi të gjitha të
sjelljes së njerëzve dhe qëndrimit ndaj rregullave dhe ligjeve.
Edhe qytete greke
dhe maqedonase të të njëjtës madhësie ishin nën nivelin
kulturor të Korçës. Dallim bënte vetëm Selaniku, që kishte një
traditë të gjatë historike si dhe një komunitet të pasur hebre.
Duke imituar qytetet
më të përparuar europiane, në Korçë u formua e para shoqëri
sportive shqiptare, e para orkestër frymore, u hap kinemaja e parë
e me rradhë. Etja për veprimtari artistike- kulturore ishte në
rritje veçanërisht pas hapjes së Liceut Francez, i cili ka luajtur
një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e kulturës qytetare
korçare.
Por pa e idealizuar,
duhet thënë se ishte një dëshirë në rritje e një shoqërie me
rrënjë jo të thella kulturore, sepse si e përmenda më lart,
shumica e shtresës së pasur dhe të mesme, ishin fshatarë të
kthyer në borgjezë të vegjël. Në Korçë nuk kishte
arsitokraci. Shumë njerëz që
shkruajnë në rrjetet sociale apo dhe mediat tradicionale, ja fusin
kot kur përmendin termin e
sajuar “aristokracia
korçare”.
Ndaj është plotësisht realist konstatimi i Spiro Comorës në
komedinë “Karnavalet e Korçës” në portretizimin e familjes së
Nikollaq Jorganxhiut, si një familje të pasur por jo me themele të
shëndosha kulturore. Comora kishte jetuar në qyetet për shumë
vjet dhe e kishte njohur atë realitet.
Ndaj edhe pse qyteti më i kulturuar, Korça kishte më pak
biblioteka personale të pasura si mund të kishte Shkodra apo
Elbasani. Gjithashtu studiuesit dhe shkencëtarët e mirëfilltë
ishin më të pakët në numur se në dy qytetet e mësipërm.
Por kishte piktorin më të mirë shqiptar (Vangjush Mio), sopranon
më të mirë (Tefta Tashko), pianisten më të mirë (Lola Gjoka),
tenorin më të mirë (Kristaq Antoniu) dhe kompozitorin më të mirë
(Kristo Kono). Në fushën e letrave korçarët nuk ishin në nivelet
e Fishtës, Mjedës apo Koliqit, por kishin gazetat më serioze të
kohës.
Kjo deri fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
(vijim)