Sunday, 31 May 2026

Bimka


Ne e deshim të gjithë. Ishim fëmijë të moshave të ndryshme, më të vegjëlit 3-4 vjeçarë dhe më të rriturit në prag të adoleshencës. Bimka ishte bereberi që donim të na qethte. Ishte i vogël në trup, me sy që i ndrisnin dhe gati po aq fëmijë sa ishim edhe ne. I flisnin gjithë gëzim dhe kërkonim ndonjëherë edhe të na hidhte pak “livando”, ndërsa luanim me top para Berberhanes ku punonte ai bashkë me shumë berberë të tjerë. Por të tjerëve nuk guxonim t’ju kërkonim të na hidhnin në flokë pak “lëng magjik” që do na bënte të ishim erëkandë, dhe do mbulonim erërat e djerësës dhe pluhurit që na ngjiteshin në lëkurë. Bimka nuk na i prishte kurrë. Ndoshta se nuk kishte pasur kurrë fëmijët e tij.

Bënte me ne edhe shaka dhe na theshte edhe ndonjë gjë a gjëzë dhe ngazëllehej nëse e gjenim. Kishte poltronën e parë pranë vetratës dhe e shihnim sa zbrisnim shkallët e shtëpisë dhe kalonim para “berberave” për të dalë në bulevard. E përshëndesnim që nga jashtë Ej Bimkë“!” dhe ai na përgjigjej, kur na shihte, se shpesh ishte i përqëndruar në kokën e klientit.

Nuk di se kur mësova që Bimka ishte Ibrahim Xholi dhe rrinte jo shumë larg nga pallati i jonë. Në një shtëpi me të vëllanë, Vasfi Xholin. Edhe ai ishte në “biznesin e flokëve”, por ishte i specializuar për flokët e grave dhe nuk e di se ku e kishte lokalin e punës. Kujtoj që “permananti” (ashtu quhej floktorja e grave në vitet ‘60, për shkak të modeleve të flokëve, që kërkonin futjen e kokës në një lloj koni të madh) ka qënë në dyqanet më lart se Muzeu i Mësonjtores Shqipe, por ndoshta edhe gaboj. Vitrinat e floktoreve të grave zakonisht ishin me perde që ne, fëmijët kureshtarë, mos mbeteshim me sytë ngulur në vetratat e mëdha për të parë nënat tona që fusnin kokën në ato makina të çuditshme.

Jo gjithmonë mund të qetheshim në Bimka, sepse rregulli në berberat ishte, që duhet të shkoje tek ai që ishte i lirë. Ndaj ata që qëllonin të qetheshin në Ibrahim Xholi e theshin me krenari “u qetha në Bimka!” pasi ne ju kishim hequr një dackë në zverkun e posazbuluar nga makina e rrojes, që përdorej për të pastruar fundin e flokëve. Modeli i të gjithë kalamajve ato vite ishte “karre”. Një model i ngjashëm është kthyer në ditët e sotme, kur anët pastrohen mirë me makinë dhe kujdes ju kushtohet balukeve. Ne e quanim “karre kinezçe”, kur na i merrnin prapa dhe anët më shumë se sa duhej.

Bimka kishte qënë në emigracion në Stamboll, por nuk e di nëse atje e kishte mësuar profesionin apo kishte qënë në ndonjë shkollë. Një herë më kishte treguar një foto të tij, marrë në një studio në Stamboll, kur ishte 17 vjet. I ndrisnin sytë më shumë se zakonisht kur më thoshte se ai ishte Bimka i ri. Kishte ende tipare të mira, ndonëse nuk jam i sigurt nëse ato vite ishte mbi të 50-tat apo kishte mbushur 60. Berberët ishin të detyruar të punonin gjatë, se nuk kishte shumë kohë, që ishin “kolektivizuar” ndaj ju duheshin shumë vite pune “në shtet” për të përfituar të paktën gjysëm pensioni. Jo vetëm ai, por edhe shumë berberë të tjerë të “berberanës sonë“ ndenjën në punë ashumë vite pasi kishin mbushur 60 vitet e

tyre.

Ibrahim Xholi ishte shumë i butë dhe nuk e ngrinte kurrë zërin. Edhe nuk na qortonte kurrë, kur topat tanë prej llastiku përplaseshin në xhamat e berberanës. Edhe pse më të shumtëit përplaseshin tej pjesa e tij e vetratës. Të tjerë berberë na tërhiqnin vëmendjen dhe ndonjë edhe na kërcënonte se do na e merrte topin dhe do na e çante, por kjo kujtoj se kishtye ndodhur vetëm njëherë. Ropi i Dadës, përdori gërshërët e tij për të çarë një top nga ata të zakonshmit tanë, që i quanim “pe 50”. Ndoshta i dizinfektoi më pas gërshërët.

Bimka na shihte me dashamirësi kur luanim dhe nuk na qortonte kurrë. Na dukej sikur ishte edhe ai si ne.

Kur ishim bërë 13- 14 vjeç nuk qetheshim më në Bimka. Ndoshta në asnjë berber, sepse ishte fillimi i viteve ‘70 dhe ishte moda e flokëve të gjata. Donim dhe ne të imitonim adoleshentët dhe të rinjtë dhe të kishim flokë që të na bënin “të pranueshëm”. Flokët nisën të na i shkurtonin nga pak shokët, ndërsa “qimet e qafës” na i merrnin me “brisk të thatë“. Filluam të grindeshim me prindërit, që nuk e pëlqenin modelin e ri dhe na theshin se me “lyrën” e flokëve po bënim pisë bluzat dhe këmishët që vishnim. Por ne nuk deshim t’ja dinim dhe më nuk hynim në berberanë për të folur me Bimkën apo për të dëgjuar hokat e berberëve të tjerë. Ndoshta patëm nisur edhe ta përshëndesnim Bimkën vetëm me kokë, se nuk mund të kërkonim më të na hidhte pak “livando”.

Moda e flokëve zgjati edhe gjatë viteve të adoleshencës, por nën një trysni të madhe nga shkolla. Prindërit më nuk na tërhiqnin vëmendjen për flokët, sepse e dinin që me adoleshentët është e kotë të merresh. Por kontrollet edhe nga “veprimtarët e rinisë“ dhe “kontrolli punëtor” ishin të shpeshta në shkollën e mesme dhe ne detyroheshim të shkurtonim ato të qafës dhe “basetat” për të mos dalë në fletë-rrufe për “shfaqje të huaja”.

Ndonjëherë na ndalnin edhe policët, të cilëët kishin edhe orientime për përgjigje “të quta” se kur një shoku im ju tha - “Edhe Marksi i kishte flokët e gjata”, një polic ju përgjigj: Po ke ti aq mend sa Mrksi?!” E megjithatë nuk u kthyem më kurrë në berberët dhe aq më pak në modelin “karre”.

E harruam edhe Bimkën dhe nuk mësova kurrë se kur doli në pension dhe ku u nda nga jeta.

I miri Ibrahim Xholi!

No comments:

Post a Comment