Këto që shihni në foto nuk janë pjesëmarrëse të serialit “Desperated Housewives” (Shtëpiaket e dëshpëruara), që ka patur sukses në Amerikë dhe zhvillohet tashmë në shumë qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Nuk di se sa janë në foto shqiptaro-amerikane, por zonja bionde në qëndër, është një filantrope e shquar shqiptare, që banon në Amerikë prej vitit 1997. Quhet Fotini Allteni dhe përdor edhe emrin Foti Kokeri, sepse ka faqe interneti në të dy këto emra. Për Fotini Alltenin dhe punën e saj si filantrope kam shkruar më parë dhe ndoshta nuk mund të shtoj shumë gjëra të reja. Por fotoja ishte “goditëse”! Ishte “Gala Spring” (Gala e pranverës) dhe pjesëmarrëset në foto, po merrnin pjesë në një darkë, ku mblidheshin fonde për të ndihmuar një spital në Nju Xhersi. Këtë muaj të po këtij viti. Ndoshta disa prej tyre mbledhin edhe fonde për të ndihmuar spitalet e Shqipërisë.
Këto gra, disa me një sup zbuluar dhe një mbuluar, duket se përcjellin një ekzaltim, që nuk mund të jetë i shkaktuar nga dhimbjet e të sëmurëve në pavionet e Nju Xhersit apo të ndonjë spitali shqiptar, por nga shampanja që pinë dhe nga idea se janë veshur bukur dhe përveç kësaj se janë duke dëfryer për një “çështje të madhe”.
Nuk dua të përdor një lojë fjalësh, për t’i quajtur këto vetë “galat e pranverës”, sikundër kam bërë në një shkrim shumë të hershëm në këtë blog, të titulluar “Galat fluturojnë lart!” Këto zonja nuk më kujtojnë aspak galat tona dhe për më tepër, shqiptarja e vërtetë dhe kryesuesja e tavolinës, Kokeri - Allteni, është bionde.
Po përse i rikthehem kësaj teme dhe “i jam qepur” Fotinisë tonë?
Dua t’ju tërheq vëmendjen lexuesve të këtij blogu, mos gënjehen nga shkëlqimi i rremë i filantropëve dhe as mos ju besojnë shumë “çështjeve të mëdha” që propagandojnë. Jo vetëm që të mbrojnë xhepin e tyre nga ndonjë dhurim në çaste emocionale, sepse edhe nëse dhuron 200 apo 500 dollarë, për dikë që punon në Amerikën e Veriut nuk përbën ndonjë humbje të madhe. Ajo nga e cila duhet të mbrohemi dhe të mbrojmë edhe fëmijët tanë, por edhe të njohurit e tjerë, është mendësia se filantropitë mund të bëjnë mrekullira për të dobëtit dhe të pambrojturit e kësaj bote.
Nuk është kështu, edhe pse ka fondacione që shpenzojnë miliarada për bamirësi. Këto të fundit vërtet sjellin ndryshime në jetën e njerëzve ose edhe të rajoneve të varfra, por shumë fondacione të tjera mbledhin fonde që mund të përballojnë vetëm rrogat dhe disa nga këto “galat” dhe vetëm thërrime përfundojnë tek të sëmurët apo tek fëmijët që nuk kanë para të vazhdojnë shkollat.
Filantropia nuk zgjidh aspak problemet që krijon diferenca e madhe mes jetës të “Kamësve” me atë të “Skamësve”. Thjesht bën të ndjehen mirë “Kamësit” dhe disa majmunë që duan t’i imitojnë. Këta të fundit duan të vishen si “Kamësit” dhe të jenë në praninë e tyre.
Ndaj edhe pse nuk mund të nxjerrin foto dhe video në kuvertat e jahteve të tyre, këta majmunë (dhe majmunka) nxjerrin foto nga veprimtaritë kulturore krahas të pasurve ose video duke ngarë makina të shtrenjta, motoçikleta apo jetski, sikundër bëjnë shumë syresh, përfshi këtu edhe Alltenin, “të cilës i ka rënë bretku në punë“ gjatë 10 viteve në SHBA.
Kam njohur një mashtrues në Shqipëri, i cili pasi “rrëmbeu” sa mundi duke shfrytëzuar vendin e punës, emigroi në Amerikë dhe atje zgjodhi një tjetër mënyrë mashtrimi për të jetuar pa mund. Zbuloi Jezusin dhe u bë pastor. Tani mund të jetë edhe fqinj me Fotininë dhe pozon duke ngarë skafin e tij. Ndoshta bën edhe pakëz filantropi me fondet që besimtarët i dhurojnë kishës ku predikon.
Vendet e pasura dhe të lira, krijojnë shumë mundësi për mashtruesit të ushtrojnë “vokacionin” e tyre. E tillë është natyra e sistemit liberalo-demokratik.
Por njerëzit e zakonshëm dhe të ndershëm duhet të paktën të jenë në gjendje t’i tregojnë me gisht duke thënë “Ky është mashtrues!’. Për të mbrojtur veten dhe të tjerët prej tyre.
Në verë me siguri do ketë edhe “gala” të tjera kudo në Amerikën e Veriut. Filantropët kanë nevojë të dëfrejnë, sikundër do çdo njeri mbi këtë glob, përveç murgjëve dhe murgeshave. (Edhe pastorët duan bajagi të dëfrejnë!)
Unë nuk dua që fotot e galave të Foti Kokerit të më vijnë në kompjuter, por nga që algoritmi i Google e di që unë jam interesuar më parë për të, m’i dërgon dhe një pjesë jam në gjendje t’i injoroj dhe të tjerat jo.
Disa prej tyre janë një pasqyrë e qartë se zonja në fjalë është krejtësisht e “Rreme”. Por nuk është as e para dhe as e fundit shqiptare që tregon pangopësi dhe mendjelehtësi për të demonstruar jetën e saj prej të pasuri. Ndaj nuk duhet të çuditemi as me Monika Kryemadhin, as me Belinda Ballukun dhe as me Olta Xhaçkën apo të tjera zonja shqiptare të zhytyra deri në grykë në llumin e korrupsionit.
Shkëlqimi i jetës së lehtë me para të vjedhura ose të përfituara padrejtësisht i tundon për fat të keq shumë shqiptare edhe në këtë anë të Atlantikut.
Ky oqean i shkretë është i kripur dhe sa më shumë të pish ujë prej tij, aq më shumë të pihet.

No comments:
Post a Comment