Wednesday, 25 June 2025

Pse po firojnë gomerët?


Mes lajmeve të këqija të këtij viti spikat një që lidhet me një specie të rëndësishme të kategorisë së kafshëve shtëpiake, specien Gomar. Numuri i gomerëve në botë po firon në mënyrë drastike. Dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin që kanceleritë në gjithë botën po mbushen përherë e më tepër me gomerë dhe gomarica. (Një shembull kuptimplotë ishte në mes të majit në Tiranë, në një takim të rëndësishëm të krerëve të zyrave më të rëndësishme të Europës. Pikë kulmore ishte përgjunja e gomarit tonë të madh Rama në tapetin e kuq para gomaricës me mbiemër Pjepri, e cila pëlliste “Mjaft tani Edi, mjaft!)

Shkaku i zhdukjes së gomerëve është Kina. Ose më saktë 500 milion qinezkat.

Në lëkurën e gomarit ka një lloj xhelatine të provuar në shekuj, që përdoret në prodhime kozmetike për gra. Ky është shkaku që në 10 vitet e fundit, numuri i goemrëve në Kinë ka shkuar nga 10 milion në 2 milion. Për këtë kinezët i janë drejtuar kontinentit afrikan, ku mbarështoen gjysma e gomerëve të botës. (Numuri i përgjithshëm në botë nuk është shumë i madh. Sipas statistikave luhatet midis 52-55 milion.) Kjo ka sjellë jo vetëm rritjen e çmimit të tyre (për shembull në Kenia një gomar që shitej 6 muaj më parë shitej 500 dollarë amerikanë tani shkon 1400) por edhe grabitje të gomerëve në fshatra dhe në shumë raste – ekzekutim, rrjepje dhe marrje të lëkurës. Kjo ka ngjallur panik mes qeverive të vendeve afrikane edhe më tepër se ngrohja globale.Shumë shpejt një pjesë e tyre do mblidhen në Bregun e Fildishtë të diskutojnë ndalimin e eksportit të gomerëve.

Duket që Kina komuniste, që ka bërë shumë shpikje në 30-40 vitet e fundit (shumica të kopjuara nga Perëndimi) nuk i ka dhënë dot zgjidhje rritjes galopante të kërkesës për lëkurë gomari në tregun e saj të brendshëm, duke krijuar “fabrika” të rritjes së gomerëve të ngjashme me pularitë. Problemi kryesor është që kafsha gomar nuk është shumë pjellore. Duket kontradiktore, që një specie që njihet për madhësinë e konsiderueshme të organit gjenital, nuk ka pjellori të lartë. Kjo vjen ndoshta nga një lloj dembelizmi seksual i gomerëve, ose nga cilësia jo e mirë e vezoreve të gomaricave. Edhe eksperimentimi i lashtë i ndërzimit të gomerëve me pela, solli kafshën hibride, që e quajmë mushkë.

Gjithsesi kriza është reale dhe duket pranë kolapsit. Ose gomerët do shpallen shpejt si specie në zhdukje e sipër, ose Bashkësia Ndërkombëtare duhet të detyrojë Kinën Komuniste të heqë dorë nga përdorimi i xhelatinës speciale për prodhime kozmetike.

(Kam dyshimet e mija, që edhe Miqësia Shqiptaro Kineze prej vitit 1960 deri më 1978, nuk ka qënë e bazuar kryesisht në ideologjinë marksiste-leniniste sikundër pretendohej, por në një marëveshje për këmbimin e gomerëve me Kombinatin Metalurgjik dhe dy-tre hidrocentrale. Ishte e lehtë të përdorje emra si “Celiku i Partisë“ apo “Drita e Partisë“, por nuk mund të thuhej hapur se ato ishin falë “Gomarit të Partisë“. Ndaj kjo çështje mbetet tepër sekret edhe në ditët e sotme.)

Kam frikë se ky shënim i shkurtër nuk do nxisë një lëvizje të fuqishme për mbrojtjen e gomerëve, madje po qe se përkthehet në ndonjë gjuhë afrikane, lexuesit e kontinentit të zi me të drejtë do thonë : “Le gomerët që po na i zhdukin, po s’na lenë rehat as mizat!”

Wednesday, 18 June 2025

Ne, të pafuqishmit për të ardhmen e fëmijëve tanë


Duket, që njerëzit e thjeshtë, që duan paqen në botë, janë po aq të pafuqishëm, sa gjyshërit tanë patën qënë në vitet ‘30 të shekullit të kaluar në Europë dhe në Azi. 3 shtete me ambicie të zhvillimit kapitalist, por jo me tregje të mjaftueshme, Gjermania, Itali dhe Japonia, nisën pushtimin e vendeve të tjera deri sa konflikte kulmuan në përfshirjen e gjithë Fuqive të Mëdha , në atë që ka qënë masakra më e madhe njerëzore dhe që quhet Lufta e Dytë Botërore.

Kulmi i asaj masakre kolektive ishte hedhja e bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, ku në disa minuta u shuan në mënyrën më të tmerrshme qindra mijëra njerëz.

U duk se Njerëzimi pat nxjerrë mësime nga “marrëzia” e vet dhe filloi një periudhë e gjatë “përmbajtjeje”, kur Paqja ishte refreni kryesor. U krijuan organizata ndërkombëtare, të cilat mund të garantonin paqen dhe të parandalonin një Luftë të re Botërore. Dhe megjithëse gjatë 80 viteve pati luftra në rajone të ndryshme të botës duke nisur me Korenë, Vietnamin. Lindjen e Mesme, shumë vende të Afrikës, nuk pati konflikte të armatosura që mund të sillnin Luftën e Tretë Botërore. Një rol në këtë ekuilibër ka luajtur edhe fakti që Amerika dhe Bashkimi Sovjetik ishin të dyja fuqi bërthamore. Më pas “klubit bërthamor” ju shtuan edhe Franca, Britania e Madhe, Kina dhe më tej Izraeli, India dhe Pakistani. E fundit ka qënë Korea e Veriut.

Por gjatë gjithë viteve ‘50, ‘60, ‘70 dhe ‘80, pati një lëvizje të madhe kundër luftës në të gjitha vende e zhvilluara botërore, duke nisur me SHBA dhe vendet europiane, por të mbështetura në Kombet e Bashkuara edhe nga një shumicë e madhe qeverish në botë. Tashmë, protestat e fuqishme kundër luftës në Vietnam ose kundër luftës në Irak, duket sikur i përkasin një mijëvjeçari tjetër. Edhe pse për këtë topitje të shoqërive perëndimore nuk mund të fajësosh administratën Trump, duhet pranuar se rikthimi i tij në Shtëpinë e bardhë ka ndikuar së tepërmi në gjallërimin e erërave të luftës.

Mbështetja e pakufi ndaj Izraelit (që është një histori e vjetër e administratave amerikane) nga kjo administratë dhe ‘injorimi” thuajse i të gjitha organizmave ndërkombëtare, ka sjellë në një situatë, ku “të fortët” mund të shpalosin arrogancën e tyre pa përfillur vendet e tjerë dhe popujt e tjerë. Asnjëherë si sot nuk është kryer një genocid i hapur ndaj palestinezëve dhe e gjithë bota e qytetëruar të ngrerë supet dhe të mërmëritë vetëm disa fjalë “qortuese’ ndaj Izraelit.

Fare hapur, në takimin e fundit të G7 në Kanada, u duk se sa “impotentë“ janë vendet e mëdha perëndimore, që në vend të dënonin sulmin e Izraelit ndaj Iranit, konstatuan se “Irani është i rrezikshëm” , madje nuk ishin në gjendje as të miratonin një dokument në mbështetje të Ukrainës.

Por nëse qeveritë perëndimore, kanë ide komplekse ndaj gjeopolitikës si dhe luftrave, që lidhen me interesa ekonomomike, me interesa të industrisë militare, me pasurimin e miqve dhe familjeve të tyre, është e pafalshme për njerëzit e thjeshtë, që duan një letë pa luftra, të trefohen kaq të paralizuar. Duket sikur mendësia e shumicës së njerëzve në vendet e zhvilluara është “Who cares!” (Ose në një shqipe vulgare “Na pla bë!” Po vriten fëmijët në Gaza! (Who cares!) Po vriten mijëra të rinj rusë dhe ukrainas! (Who cares) Lufta e Iranit mund të sjellë shkallëzim të konflikteve në botë! (Who cares)

E vërteta e hidhur është që me këtë “naplabë“ të përgjithshme nuk është çudi që flakët të përfshijnë zona të mëdha në botë dhe rradha të na vijë ne dhe fëmijëve tanë.

Dhe ne rrimë duarlidhur si idiotë dhe votojmë për këta zarba që na drejtojnë dhe nuk jemi në gjendje të ngrihemi për t’ju ndalur dorën.

Monday, 9 June 2025

Qentë dhe Buçet e 2025


Ky vit, sipas kalendarit kinez nuk është viti i Qenit, por i Gjarpërit. Viti i Qenit do jetë pas 5 vitesh (rastësisht qëllon edhe me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian) e megjithatë gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, Qentë kanë qënë më të përmendurit, më aktivët dhe më përfaqësuesit mes kafshëve të buta dhe të egra që bredhin rrugëve, luginave. deteve. lumenjve dhe qiejve të Globit tonë.


  • Irani posa ka zgjeruar ndalimin e shëtitjes i shoqëruar nga një qen. A është kjo kundër qenve, kundër pronarëve të qenve, apo baskëpunimit qen njeri, kjo nuk është e qartë, sepse Irani si një shtet totalitar jep pak informacion për të huajt, ose jep informacione të rreme.

  • Kostoja e jetesës ktëtë vit në Kanada është rritur me 2.4%. Por kjo është për njerëzit. Rritja e kostos për të mbajtur një qen, në krahasim me vitin e kaluar është rritur 18%. Kjo tregon që qentë dhe buçet e familjeve kanadeze kanë rritur pretendimet. Se nuk ka se si shpjegohet, që rritja e kostos të jetë rritur 8 herë krahasuar me atë të njerëzve. Shkurt, qentë kanadezë kanë filluar nga pordhët. Dhe qeni më i vogël dhe me më pak pretendime i kushton qenmbajtësit 18 mijë dollarë, ndërsa qeni i madh dhe “pordhac” i kushton buxhetit familjar 54 mijë dollarë. (Rastësisht kjo shifër e fundit është sa rroga mesatare e një kanadezi, para se të zbriten taksat.)

  • Një rast të habitshëm përbëjnë sot qentë e Cernobilit. Për shkak të kushteve tërësisht të veçanta të radiacionit të lartë, ata kanë evoluar brenda disa dhjetvjeçarëve sa për qindra mijëra vjet. Flitet se disa prej tyre kanë nisur të lehin e disa rrokje, që jep shpresë se shumë shpejt do flasin. Të mendosh nëse do ketë një projekt gërshetimi të qenve të evoluar me Inteligjencën Artificiale. Mund të arrihet në një qenqytetërim të paparë.

  • Karvani i Edi Ramës ka ecur aq para, sa edhe vetë Kryekarvanari nuk ka asnjë problem me qentë që lehin. Madje ka ndodhur edhe një proçes i çuditshçm që edhe më “cinikët” mes qenve nuk bëzajnë. I vetmi që ka qënë i shqetësuar për “qenërinë mediatike”, është Erion Veliaj (dikur një qen-asgjesues), por dhe ai po kalon një “jetë qeni” në një burg të Tiranës ose Durrësit.

  • Më spektakolarja e këtij viti është grindja e Qenit më të fuqishëm në botë, me Qenin më të pasur në botë. Mëse një javë, e gjithë botat i kushton vëmendje vetëm lehjeve të tyre në platformat X dhe Truth. Janë lajmet e para në gjithë mediat tradicionale. Dy kafshë me pushtet të paparë, po i ngërthehen njëri tjetrit si dy qenër rrugaçë të Rrugës së Brrakës. Dhe njerëzit nuk dinë se anën e cilit qeni të mbajnë. O tempora , o mores! O canis familiaris!

Friday, 6 June 2025

Vera 1970 dhe ethja-tv (fund)


(vijim)

 Flitej edhe për një tv tjetër, që ishte në shtëpinë e dikujt, por ku nuk mund të shkonin shumë njerëz sepse aq mbante një dhomë e një shtëpie apo apartamenti të asaj kohe. Pra në gjithë qytetin prej 65 mijë banorësh kishte 4 televizorë, dhe të gjithë ishin të etur të gjenin një mik për të mundur të hynin në një nga mjediset e “mrekullueshme” ku mund të shihnin një ndeshje të futbollit më të përparuar.

Kjo ngjarje ishte zanafilla e qindra e qindra letrave, që korçarët ju dërgonin të afërmve të tyre në Amerikë dhe Australi për t’ju dërguar një televizor. Kërkoheshin adresa edhe të kushërinjve të largët, madje edhe të ndonjë fqinji të dikurshëm me shpresën se mund t’ju përgjigjeshin me një- Po, ja së shpejti do ja u nisim!

Dëshira për të pasur me çdo kusht një tv përballë pamundësisë për të gjetur një të tillë, krijonte edhe ide fantastiko shkencore, si ajo e kthimit të radiove të mëdha në televizor, duke ju shtuar një kinoskop dhe ndonjë “llambë“ apo tranzistor tjetër! E tillë ishte dëshira për të parë atë çka shumica e shqiptarëve nuk mund ta shihnin dhe që ishte jeta nëpër botë.

Edhe pse nuk dihet përqindja e kërkesave tek familjarët që jetonin jashtë Shqipërisë për t’ju dërguar një tv, morrën përgjigje pozitive, duhet thënë se që me përfundimin e kampionatit Botëror, nisën të vijnë televizorët e dërguar nga shqiptaro-amerikanët. Të afërmit kishin patur vështirësi në fillim për të blerë aparate të përshtatshme, për shkak se aparatet që shiteshin në Amerikë kishin sistem voltazhi me 120 V. Kështu që kishin pyetur lart e poshtë për të gjetur një firmë europiane dhe kishin përfunduar në një italiane në prag të falimentimit, e cila prodhonte tv të markës “Fanola”. Fanolat e para 19”arrtën gjatë verës dhe nuk shquheshin për cilësi, por më pas shqiptaro-amerikanët nisën të dërgonin edhe tv të markave më serioze, si Filips, Gruding e Sabba. Shteti i Diktaturës as i nxiste dhe as i pengonte dërgesat, sepse ju merrte pritësve një minimum prej 27 mijë lek të vjetra tarifë doganore. Në “shtetin e vetëm pa taksa në botë“, aparati televiziv i kushtonte një familjeje shqiptare rrreth 300 dollarë, ndërkohë kur të afërmit jashtë shtetit kishin shpenzuar edhe 500-600 të tjera për blerjen dhe transportin.

Gjithsesi kjo nuk e ndali euforinë për të kërkuar një tv, dhe më pas edhe për të kërkuar para borxh për pagimin e doganës. Në atë kohë, një pagesë e tillë ishte gati sa 6 rroga mujore mesatare të një shqiptari.

Filloi atë kohë periudha 3-4 vjeçare e ndjekjes së emisioneve televizive në grupe të mëdha mbi baza farefisnie dhe komshijsh. Në dhoma të vogla të shtëpive dhe apartamenteve të kohës, mblidheshin deri 40 vetë nga fëmijët cullakë dhe deri në pleqtë që dremisnin. Ndiqeshin koncerte, filma serialë, veprimtari sportive dhe gjithshka tjetër ofronte stacioni i TV Shkupit që shpesh këmbente emisione me Beogradin, Zagrebin dhe Sarajevon.

Më pas u vendos edhe përforcues për valët e televizionit shqiptar, por ky i fundit kishte dhe më pak orë transmetimi, si dhe programe shumë të kontrolluara. Catitë dhe tarracat u mbushën me antena televizive, të gjitha të bëra në mënyrë artizanale në fabrikat dhe ofiçinat shtetëtore me materiale të vjedhura. Nuk kishte antena në shitje dhe gjithashtu nuk shiteshin tubo metalike për ngritjen e tyre. Në dy tre vjet, tonelata të tëra tubosh çeliku dhe bakri ju vendosën si kurorë me gjemba qytetit.

Kishte nisur fundi i izolimit të plotë të shoqërisë shqiptare.