Thursday, 7 May 2026

A duhet rivënë në skenë “Armiku i Popullit” në Korçë?


Ndoshta nuk janë të shumtë ata që e dinë se gati 90 vjet më parë, regjisori Sokrat Mio, vuri në skenë në Korçë dramën e Ibsenit “Armiku i Popullit”. Nuk kishte një trupë profesioniste në qytet, por luajtën dhe luajtën mirë aktorët amatorë të organizatës rinore “Rinia Korçare”. Quhej organizatë jashtëshkollore se nuk kishte lidhje me asnjë nga shkollat e njohura të qytetit.

Nuk po i shkruaj këto rrjeshta as për të idealizuar shoqërinë korçare të vitit 1937 dhe as për ta krahasuar me nivelin artistik të trupës së teatrit sot. Nuk është qëllimi im dhe për më tepër nuk mund të bësh krahasime midis vlerave të një shfaqje që mund ta shohësh sot dhe të diçkaje që as e ke parë dhe as nuk është rregjistruar.

Dua të tregoj për mendësinë moderne të Sokratit dhe të aktorëve, që zgjodhën për të vënë në skenë pikërisht “Armiku i Popullit” të Ibsenit. Ndoshta dramaturgu më modern i asaj kohe dhe një më të mirët e të gjitha kohërave. E megjithatë u zgjodh një pjesë që tregonte rreth një shoqërie të largët nordike dhe disi të largët nga ajo e një qyteti ballkanik. E megjithatë ata këmbëngulën që të sillnin për spektatorët “Armikun” dhe jo të themi “Shtëpia e Kukullës apo “Heda Gabler”, vepra po të dramaturgut norvegjez.

Ishte pikërisht mesazhi që donin t’i përcillnin shoqërisë shqiptare të kohës.

Tek “Armiku i Popullit” që është një dramë edhe me elementë humori dhe satire, në qendër është përplasja e një mjeku idealist, që kundërshton funksionimin e disa banjave termale të posahapura në qytet, për shkak se kanë ndotje që dëmtojnë shëndetin e njerëzve dhe gjithashtu edhe mjedisin. “Lufta” e hapur ndaj politikanëve dhe biznesmenëve të qytetit, e le mjekun jo vetëm të vetmuar, por edhe përballë vëllait të tij, që është një figurë e rëndësishme në administratën vendore.

Dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që Mioja dhe të tjerët zgjodhën këtë dramë, për të evidentuar se i njëjti problem i madh është edhe në qytetet shqiptare dhe veçanërisht në Korçë, që ishte qyteti më i përparuar i kohës i shtetit shqiptar. Ishin përplasjet e korçarëve të kthyer nga universitetet europiane me administratën e ngathët dhe të prapambetur të regjimit të Naltmadhnisë së tij. Dhe sigurisht që pjesa teatrale do ndikonte në shoqërinë korçare për të marrë anën e të shkolluarve të mënçur dhe të pakorruptuar përballë shumë nëpunësve dhe politikanëve anadollakë.

Nuk mund të them nëse ata që merren me teatrin sot në Korçë kanë mësuar rreth pjesës në fjalë në Institutin e Arteve. Sigurisht që kanë bërë në leksione Ibsenin edhe pse nuk di që teatri i Korçës, në 75 vjet të ekzistencës së tij të ketë vënë në skenë ndonjë nga veprat e dramaturgut të madh.

Por shoqëria jonë, sot më shumë se kurrë ka nevojë të shohë pjesën në fjalë. Sepse më shumë se kurdoherë, intelektualët idealistë (presupozoj se ka të tillë) mbyten menjëherë nga politikanët, madje të të dyja krahëve.

Po përmend vetëm një aspekt, të cilin e njoh dhe e kam prekur shpesh në shkrime. Ndërtimet shumë të dobëta të projektuara nga arkitekti Uillson, kompleksi i Belvederes që jo vetëm nuk qëndron mirë, por ka dëmtuar shumë një pjesë të rëndësishme të gjelbëruar, si dhe ngjeshja e ndërtimeve brenda lagjeve kryesore, që ka cënuar së tepërmi kushtet natyrore të banimit që janë drita e diellit dhe gjelbërimi i domosdoshëm për pastrimin e ajrit.

Edhe nëse nuk ka përplasje të hapur të një “mjeku idealist” me Bashkinë, përsëri është një përplasje e heshtur e opinionit publik, që nuk ka kurajo të ngrihet dhe të protestojë, por vazhdimisht shprehet kundër problemeve që preka më lart. Dhe pikërisht për këtë ka frikë se mund të etiketohet “Armik i Popullit” sikundër mjeku Stokman në dramën e Ibsenit.

Dikush me të drejtë mund të thotë, se kjo pjesë teatrale pikërisht për këtë arsye nuk mund të gjejë dot skenën. Teatrin e kontrollojnë politikanët që kanë Qeverinë dhe Bashkinë. Por nëse edhe artistët e qytetit tim “kanë shitur shpirtin”, atëhere do më duhet me keqardhje të them, se gjendja është gati e pashpresë.

Në shfaqjen e vitit 1937, të pritur shumë mirë nga spektatorët, luanin Dhimitër Trajçe, Vangjel Grabocka, Andon Pano dhe të tjerë. Trajçeja e rivuri në skenë në fundin e viti 1944 me Teatrin partizan të krijuar në fund të luftës. Edhe vetë Dhimitër Trajçeja do kishte fatin të shpallej gati “Armik” nga shteti diktatorial, i cili u mjaftua me përjashtimin e tij nga Partia, gjë që e bënte pionierin e teatrit shqiptar të ndjehej gjithnjë i rrezikuar.

Eshtë ky fat i intelektualëve të ndershëm dhe idealistë në shumë shoqëri dhe veçanërisht në ato me sisteme autokrate.

Nuk kam shpresë se spektatorët korçarë do munda ta shohin shpejt në skenë veprën domethënëse të Ibsenit.

Shqipëria nuk ka nevojë për Idealistë!

No comments:

Post a Comment