Kur mendoj se kush jam UNE, nuk më shkon mendja kurrë në atë që disa e quajnë identiteti kombëtar. Nëse do e përcaktoj me disa rrjeshta, më duket se në këtë univers të paanë, jam një strukturë e komplikuar molekulash, që më veçon nga qëniet e tjera gjalluese dhe që kam erdhur në ekzistencë sajë dashurisë së dy qenieve të tjera, më të dashurit e gjithë kohës që jam mbi këtë dhe. Gjithashtu jam një grumbull ngjarjesh, kujtimesh me njerëz të tjerë të dashur si dhe sendesh dhe procesesh që më kanë pëlqyer e më pëlqejnë. Këto i mendoj dhe i shpreh me një gjuhë që më ka mësuar nëna dhe që më bën të emocionohem më shumë se çdo gjuhë tjetër në botë.
Atdheu nuk hyn kërkund.
Flamuri aq më pak.
Vërtet ëndrrave sillem më shpesh rrugicave të qyetetit tim se rrugëve të tjera, ku kam udhëtuar, por dhe ato nuk më bëjnë të mendoj se me një pjesë të këtij Dheu kam më shumë lidhje se me pjesët e tjera të tij.
Vërtet ngazëllehem kur dëgjoj të flasin shqip, por kjo nga që me njerëzit që flasin njëlloj si unë mun d komunikoj më lehtë dhe më thellësisht. Asgjë tjetër nuk më bën më të afërt me ta se të themi me një lëkurëkuq të fisit Mohawk, që pi në ndenjësen pranë meje në një bar të Montrealit.
Ndaj nuk e festoj Ditën e Flamurit, por e shoh si një e premte si gjithë të premtet e tjera.
Unë nuk i pëlqej simbolet dhe shenjat. Kryesisht flamujt dhe stemat e shteteve dhe kombeve. Mendoj se janë krijuar për të justifikuar përçarjet dhe luftërat mes bashkësive të ndryshme njerëzore. Të ngjashme me erërat e urinës, që kafshët (kryesisht qenët) bëjnë për të përcaktuar territoret e tyre. Ndaj as përulem t’i nderoj apo më keq t’i puth siç mund të bëjnë rëndom shtetarë hajdutë dhe vrasës.
Janë krijuar që masat të manipulohen më lehtë dhe të japin edhe jetën, kur ta kërkojnë interesat e atyre që i udhëheqin dhe që marrin vazhdimisht pjesën më të madhe të të mirave që ka në natyrë apo atyre të prodhuara nga puna mijëvjeëare e “skllevërve”.
Le të shkojmë në diçka tjetër, që mendoj dhe lidhet me këtë Ditë.
C’do ishte ekzistenca ime nëse Plaku i Vlorës nuk do shpallte Pavarësinë e Shqipërisë 113 vjet më parë?
Skenari më i mundshëm do ishte që të isha pjesë e një bashkësie minoritare, të cilës i mohoej e drejta të shkollohej në gjuhën e saj, por që megjithatë në shtëpi fliste shqip. Për këtë do emigroja diku në Amerikë, Kanada apo Gjermani, ku njerëzit gëzojnë më shumë të drejta dhe ndjehen më të lirë. Nuk do kishte një rrjedhë të ndryshme nga kjo e sotmja. Sërish nuk do më bëhej vonë për flamurin shqiptar dhe aq më pak për atë grek. Dhe njëkohësisht do përbuzja njerëzit që djegin flamujt e të tjerëve, se është shënjë armiqësie dhe dëshire për të krijuar armiq.
Unë mendoj që bashkësitë, të cilat e kanë shumë të zhvilluar ndjenjën kombëtare janë bashkësitë më të prapambetura, më të rrezikshme, më të prirura për të luftuar dhe rrjedhimisht edhe më të rrezikuara për të mos pasur jetë sjumë e shumë të gjatë. Kjo më bën të ndjehem keq kur dëgjoj rrjeshtat e fundit të Hymnit Kombëtar:
Se Zoti vetë e tha me gojë,
Se kombet shuhen përmbi dhe,
Por Shqipria do të rrojë,
Për k’të, për k’të luftojmë ne.



