Thursday, 29 May 2025

Vera 1970 dhe ethja-tv


55 vjet më parë, pikërisht në maj, pat nisur një lloj bisede në familjet korçare, në sofatet, në pushimet e drekës nëpër fabrika, që brenda disa muajsh u kthye në ethe. Dëshira për të patur një aparat televizori.

Po ç’pat ndodhur në qytetin juglindor të Diktaturës shqiptare në pranverën e atij viti? Aparatet televizive ishin shpikur më se 40 vite më parë, madje edhe vetë Shqipëria kishte prej disa vitesh një stacion televiziv.

Korça kishte qënë deri atë kohë një “zonë e vdekur” për valë televizive ndaj dhe në qytet nuk kishte aparate tv, madje edhe ndonjë që ishte blerë jashtë shtetit rrinte kot në banesën e pronarit.

Fjala ishte hapur se në jug të Jugosllavisë ishte vendosur një përforcues i TV Shkupit dhe mund të shihje programet e kanaleve jugosllave. Në një vend të mbyllur nga të gjitha anët, kur kontaktet me të huajt ishin të thjeshtuara vetëm në takimet me kushërinjtë shqiptaro-amerikanë që vinin vizitorë (jo të shumtë) gjatë muajve të verës dhe në dëgjimin e radiostacioneve të huaja, më në fund mund të kishin një dritare, ku të shihnin se ç’farë ndodhte në botë.

Hyrja e valëve televizive të Shkupit në zonën e Korçës, përkoi edhe me pragfillimin e Kampionatit Botëror të Meksikës, që për burrat shqiptarë ishte ngjarja më e rëndësishme botërore , e cila nga interesimi i kalonte edhe hyrjes së tankeve ruse në Pragë, atentatit ndaj Martin Luter Kingut apo edhe luftës në Vietnam.

Jeta e burrave shqiptarë në kohën e Diktaturës matej me kampionatin botëror të futbollit , që zhvillohej çdo 4 vjet. Ishte ngjarje ku mund të shpreheshe hapur se kë simpatizoje, pa pasur frikë se spiunët e shumtë. Kishte tifozë me Brazilin, që atë kohë ishte një diktaturë fashiste, me Anglinë, me të cilën nuk kishim marëdhënie diplomatike, madje edhe me Bashkimin Sovjetik, të cilin e kishim po aq armik sa kishim edhe Shtetet e Bashkuara.

Pikërisht kjo ngjarje vuri në lëvizje edhe dy-tre grupe, të cilët sollën aparate televizive në qytet. Një ishte një grup shoferash që bënin udhëtime në Europë (atë kohë quheshin shofer eksporti), të cilët ja dhanë aparatin në përdorim ndërmarjes kryesore shtetërore të transportit, që atë kohë quhej Parku i Mallrave. Në sallën e mbledhjeve të ndërmarjes, u vendos ky aparat televiziv dhe me hapjen e Kampionatit, shoferët, miqtë dhe familjarët e tyre filluan të ndiqnin ndeshjet e futbollit. Një aparat tjetër kishte mbetur nga mbyllja e Ekspozitës kineze të vitit 1969 dhe nisi të përdorej nga Komiteti Ekzekutiv, në sallën e mbledhjeve të tij, ku teleshikuesit ishin kryesisht nëpunës partiakë dhe të administratës. Pika e tretë ndodhej në shkollën “Stavri Themeli”, e dhënë përkohësisht nga profesori i njohur Ligor Mile. Mësues të shkollës dhe shumë mësues të tjerë , si dhe familjarë e miq të tyre ndiqnin me pasion lojën e idhujve të tyre, që i njihnin vetëm nga gazetat, radioja dhe nga filmi “Gol”. Ishin të pakët yjet e futbollit botëror që kishin luajtur në Tiranë dhe thuajse asnjë i tillë nuk kishte luajtur në stadiumin e Korçës.

(vijon)

Friday, 23 May 2025

Pikëllimi dhe e qeshura shpesh janë bashkë


Historitë e vdekjeve, edhe në mosha të reja, që për familjen janë tragjike, por edhe për komunitetin janë të dhimshme, jo rrallë kanë pasur edhe episode komike, që kanë bërë të venë buzë në gaz të pranishmit. Kjo për shkak të marrëzive që thonë njerëz, që flasin në mënyrë të gabuar, në vendin e gabuar dhe në çastin e gabuar. Tensioni i krijuar në raste të ditëve të vdekjes dhe funeraleve, ka krijuar edhe shpërthime të qeshurash, që sa absurde duken, por po aq të shpjegueshme psikologjikisht janë.

Shumë raste të tilla mbeten në kohë dhe tregohen si anekdota.

Një syresh që më ka bërë të qesh, ishte në rastin e një vdekjeje të një mesogruaje, e motra e së cilës gjatë të qarës me kuje thoshte:

- Se ti nuk ishe ndonjë çapaçulkë moj Niqiiii!

Marrokja e rradhës është nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, tashmë e zgjedhur deputete, Besa Spaho, Mes pikëllimit të humbjes së parakohshme të ish-Kryekadastristit Artan Lame, ajo poston në mediat sociale një foto me të ndjerin, me poshtëshënimin:

- Latumirë Drejtor. Të dua shumë.

Më solli menjëherë kujtimin e të famshmit Fotaq Gafa, që i drejtohej zëvendës dekanit një mëngjes pranvere : -Mirmëngjes shoku zëvendës Hajredin!

Më pas mendova, se do kishte qënë më mirë që poshtëshënimi të kishte qënë npë italisht:

-Adio direttore. Ti voglio tanto bene.

Do kishte qënë të paktën një marrëzi eurosocialiste.

“Paqedashësi” Trump


Ka shumë simpatizantë të së Djathtës në Amerikë dhe në Europë, që i besojnë “gënjeshtrës” të Donald se ai është një njeri i prirur pas biznesit dhe prandaj edhe një paqedashës i klasit të parë. Për këtë përmendin jo vetëm deklaratat e tij gjatë fushatës së fundit, por veçanërisht faktin, se në ndryshim nga presidentët e tjere amerikanë, ai nuk nisi asnjë luftë të re, gjatë presidencës së parë të tij.

Ndonëse edhe ky fakt vlen për të diskutuar, sepse gjatë 4 viteve u itensifikua lufta kundër ISIS, po e marrim si të vërtetë, se ai jo vetëm nuk nisi një luftë të re, por u përpoq edhe të mbyllte luftën në Afganistan.

Por a mund të jetë Trump një Paqedashës?

Një president amerikan mund të jetë paqedashës nëse ka cilësi thellësisht njerëzore dhe njëkohësisht është tërësisht i pandikuar nga ai që presidenti Ajzenauer e quante “kompleksi industrialo-ushtarak”.

Nga gjithë presidentët amerikanë të pasluftës së Dytë, vetëm Xhimi Karter i kishte këto cilësi.

Trump është tipik narcisist, që ndjen dhembshuri vetëm për veten e tij dhe ndoshta edhe për fëmijët e tij. Pavarësisht nga fjalët, atij nuk i bëhet vonë as për fëmijët e Gazës dhe as për ushtarët ukrainas dhe rusë, që vriten në luftën midis dy vendeve.

Si një biznesmen tepër i ndjellur nga fitimet, ai e di mirë se luftrat nuk janë biznese të këqija, ndaj nuk ka se si të jetë i pandjeshëm ndaj interesave të bizneseve të prodhimit të armatimeve.

Fakt është, që edhe pse shtiret si njeri antiluftë, ai filloi këtë vit një të tillë kundë Huthëve të Jemenit, e cila zgjati 58 ditë dhe u mbyll me marëveshje, kryesishtpër shkak të shpenzimeve kolosale që kishin bombardimet në Jemen.

Po ç’farë po ndodh me dy konfliktet e armatosura, atë të Ukrainës dhe atë të Gazës, të cilat sipas tij do mbylleshin që ditën e parë të tij në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Izraeli vazhdon genocidin mbi palestinezët e Gazës, madje e ka përshkallëzuar gjatp 4 muajve të Presidencës Trump 2.0 Edhe pse ka në dorë, që të ndalë furnizimin e Izraelit me bomba dhe raketa, Donald nuk po e bën, madje as po e kërcënon Netanjahun me mundësinë e një hapi të tillë.

Po aq të dështuara kanë qënë përpjekjet e tij për një armëpushim në Ukrainë. Pardje, ai njoftoi aleatët europianë, se Putin nuk është i interesuar për armëpushim, sepse po avancon në frontin e luftës?!

Atëhere ku mund t’i gjejmë prirjet paqedashëse të këtij sharlatani, që e heq veten si kryemjeshtëri i Marëveshjeve?

Në kërcënimet për të rizotëruar kanalin e Panamasë qoftë edhe me forcë ushtarake?

Në deklarimet se Groenlanda duhet të jetë pjesë e SHBA, pa përjashtuar edhe mundësinë e një ndërhyrje të armatosur mbi 50 mijë eskimezët e ishullit?

Unë nuk i besoj tezës marksiste, se “luftrat janë bashkëudhëtare të sistemit kapitalist”. Pas Luftës së Dytë Botërore, në shumë qarqe politike europiane dhe amerikane, ka pasur prirje për t’i mbyllur sa më shpejt konfliktet e armatosura në botë. Edhe pse nuk janë mbyllur të gjitha, ka të tilla ku janë gjetur marëveshjet, si edhe plot të tjera të parandaluara.

E megjithatë unë nuk besoj se Trump i përket kësaj kategorie politikanësh.

Ndaj dhe nami i tij dhe i Amerikës sot në botë, sa vjen dhe përkeqësohet.

Tuesday, 20 May 2025

Shumica e shqipëtarëve nuk votuan për hallet e tyre


Tashmë kanë kaluar disa ditë nga ‘e papritura” e 11 majit, kur PS-ja u gdhi me 9 deputetë më shumë nga sa kishte. Asnjë nga sondazhet gjatë fushatës nuk e kishte nxjerrë partinë e Edit mbi 50%. Por ja që doli dhe tashmë nuk mbetet gjë tjetër vetëm të kuptosh se si është e mundur që pas kaq “zullumeve” të 4 viteve të fundit, Edi dhe hajdutëtë e tij të marrin më shumë vota se më parë.

Në disa shënime të mëparshme pata parashikuar mosndryshimin, por edhe një tkurrje të votave të partisë në pushtet. Mendoja (ndoshta më shumë shpresoja) se njerëzit do votonin për tre katër partitë e reja dhe “monopoli” i dy partive kryesore do ishte në rënie e sipër. Por nuk ndodhi ashtu. Shumica e shqiptarëve nuk votuan për hallet e tyre, por për hallin e Ramës dhe atë të Berishës.

Edhe pse është dukur në zenith të karrierës së tij politike, Rama kishte një hall këtë rradhë. Të siguronte edhe 4 vite qënien në krye të shtetit për t’i shpëtuar një burgosjeje të mundshme (edhe për të shtuar pasuritë e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë.) Vërtet që ka edhe një pjesë shqiptarësh të lidhur me hallin e Ramës, për të mos humbur privilegjin e atij që ka në dorë fondet publike dhe i vjedh, për të mos rrezikuar statusin e oligarkut dhe të mirat e lidhura me të, apo edhe për të mos humbur vendin e punës dhe rrogën modeste. Por këta nuk janë shumica e votuesve të PS-së. Më të shumtit janë njerëz që rropaten në sektorin privat, pensionistë që mezi blejnë bukën dhe gazetat, të rinj që nuk dinë se çdo ju sjellë e ardhmja. Dhe çuditërisht, edhe këtë rradhë ata i “qanë hallin” Ramës dhe i dhanë votën. Të supozojmë se shumë prej tyre i tremben rikthimit të Berishës, apo e Djathta ju duket “gogol”, por kishte disa nisma të tjera politike të majta ose të qendrës, të cilat mund të përpiqeshin për t’ju lehtësuar peshën e halleve.

Por akoma më të çuditshëm janë ata që votuan për PD-në.

Vota për Partinë Demokratike ishte vota për hallin e Berishës. Berisha do të shpëtojë familjarët e tij nga një burgosje e mundshme dhe këtë duket se ja arriti me ndihmën e votuesve të djathtë shqiptarë. Nuk arrij të kuptoj se si mund të votosh për një politikan të diskretituar si ai, në një kohë kur je edhe i sigurt se nuk “mund të të bëjë derman!” Pjeset e qendrës dhe e të djathtës të spektrit politik ishte plot me parti dhe lëvizje me njerëz të papërlyer dhe mund të votoje Shehajn, Lapajn, Shehun, madje edhe Kocaqin, për të shpresuar në mos ndryshimin e menjëhershëm, por një ndryshim në zgjedhjet e ardhme vendore dhe në ato të përgjithshme. Por 30 % e shqipëtarëve i “qanë hallin” Berishës dhe Ilir Metës.

Këto rrjeshta janë shumë shumë larg një analize të zgjedhjeve. Më tepër janë konfirmim i vargjeve të stërpërsëritura gjatë 34 viteve të fundit:

Shqipëri moj të kam dhjerë,

S’të kuptova asnjëherë!

Tuesday, 6 May 2025

Ja pse duhet votuar për Lëvizjen Bashkë


Gjendja politiko-shoqërore e Shqipërisë është bërë gjithnjë edhe më e keqe. Korrupsionit dhe zgjedhjeve jo të lira, që kanë qënë karakteristikat kryesore të 30 viteve të fundit, ju është shtuar edhe sundimi autarkik i një njeriu-parti. Dhe për ironi të fatit, ky njeri që është kontribuesi kryesor në krijimin e kësaj “kënete politiko-shoqërore” akuzon të tjerët për të.

Ndryshimi është sot më i domosdoshëm se kurrë. Në të kundërt rrezikojmë që të kthehemi plotësisht në modelin e republikave aziatike të ish Bashkimit Sovjetik.

Por duhet të dimë se ndryshimi nuk vjen nga rotacioni (zëvendësimi i një njeriu-parti me një tjetër njeri-parti,) Sali Berisha, po aq sa Edi Rama është përgjegjës për gjendjen e sotme të Shqipërisë.

Por për të mos rënë në naivitet të plotë duhet të pranojmë se dy partitë e mëdha kanë ende shumë mbështetje dhe do jetë e zorshme që një forcë politike me njerëz të papërlyer si Lëvizja Bashkë mund të vijë në pushtet pas 11 prillit. E megjithatë është imperative që ajo të jetë një opozitë e fuqishme në Kuvendin e ardhshëm për të ndalur vrullin e cilitdo autokrati që do jetë kryeministër i ardhshëm.

Për të demaskuar veprimet korruptive të qeverisë së ardhme

Për të ndikuar që mos miratohen ligje që favorizojnë oligarkët.

Për të miratuar ligje në dobi të shtresave në nevojë.

Për të ndryshuar ligjin ekzistues zgjedhor.

Për të kërkuar llogari pa bërë asnjë kompromis.

Për Lëvizjen Bashkë duhet votuar jo se është një parti me ideologji të majtë, por se është e vetmja parti që mund të ndihmojë shëndoshjen e Demokracisë së sëmurë shqiptare. Eshtë e vetmja që luan sipas rregullave demokratike europiane dhe që mund të ndihmojë për vendosjen e këtyre rregullave tashmë të prishura nga dy partitë-kazerma që veprojnë ende sipas rregullave të Partisë së Punës.

Ndaj nëse kërkon ndryshim rrënjësor në Shqipëri duhet të votosh për Lëvizjen Bashkë.

Nëse je pensionist i këputur (dhe nuk ke fëmijë qç mund të t’i heqin nga puna) duhet të votosh për Lëvizjen Bashkë.

Nëse je i ri i dyzuar mes ikjes nga Shqipëria dhe qëndrimit në atdhe duhte të votosh për Lëvizjen Bashkë.

Nëse je një punonjës që ke nevojë për sindikata që mbrojnë interesat e tua duhet të votosh për Lëvizjen Bashkë.

Nëse je qytetar që nuk do hajdutë si Lali Eri dhe të ngjashmit e tij në bashkitë e Shqipërisë duhet të votosh për Lëvizjen Bashkë.

Nëse je grua që nuk do të të nëpërkëmbin “burrat-bosa” në sektorin publik dhe atë privat duhet të votosh për Lëvizjen Bashkë.

Vetëm kështu mund të fillojë Ndryshimi në Shqipëri.