Ka një marëdhënie të dukshme ndërmjet korrupsionit dhe regjimeve autokratike, si dhe ndërmjet regjimeve autokratike dhe luftës. Lufta Rusi- Ukrainë ka qënë më tipikja e një raporti të tillë, ku dy klasa politike tepër të korruptuara në të dy vendet sollën një luftë të përgjakshme, e cila po i afrohet vitit të tretë.
Në vatrën e përhershme të luftrave, para një jave, Hamasi terrorist (dhe i korruptuar) nisi një sulm barbar ndaj popullsisë izrailite duke vrarë burra, gra dhe fëmijë. Izraeli i Bibi Netanjahut po i përgjigjet me të njëjtën monedhë terrori duke vrarë burra. gra dhe fëmijë.
Duhet shënuar se Lindja e Mesme është zona me më shumë regjime autokratike dhe të korruptuara, dhe është për të ardhur keq, që Izraeli ka dhënë shënja në këto vitet e fundit, se po e cënon karakterin e tij demokratik. Nuk ka si shpjegohet ndryshe qeverisja e gjatë e Netanjahut, që është ndër politikanët më të korruptuar izraelitë. Përpjekjet e tij për të minuar pushtetin juridik (gjë që solli protesta të mëdha në Izrael) ishin një tjetër prirje për të sunduar si Putin, Erdogan apo të tjerë udhëheqës "të fortë" dhe të korruptuar europianë dhe aziatikë. Nuk është e pabesueshme, që edhe dështimi i inteligjencës izrailite në sulmin e fundit të ketë lidhje me dëshirën e Bibitpër të konsoliduar pushtetin e tij dhe për të dobësuar fuqinë e kollonës juridike të shtetit.
Lojtarët e tjerë politikë përreth janë gjithashtu mjaft të korruptuar duke nisur me Princin e kurorës saudite dhe duke vazhduar me Diktatorin e Egjiptit, Autoritetin Palestines, Hezbollahun dhe regjimin e mullave të Iranit, që ka jo pak rol në këtë luftën e fundit. Që prej kohës së pranverave arabe, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli treguan një prirje për të mbështetur "duart e forta" në shtetet arabe, me udhëheqësit e korruptuar të të cilëve e kanë më lehtë të merren vesh. Por kjo politikë "e zgjuar" nuk shpie në tjetër drejtim veç një lufte të pafund. Pjesët e varfera të popullsisë të vendeve arabe (që janë edhe në numura të mëdha) vazhdojnë të varfërohen më tej dhe të kenë shpresën vetëm në organizatat terroriste si rrugë shpëtimi. Eshtë i gjithi një rreth vicioz, nga i cili e pësojnë njerëzit e pambrojtur, qofshin këta izrailitë, palestinezë apo arabë të tjerë. "Të fuqishmit" e gjejnë gjuhën mes tyre (edhe për të ndarë paratë), sikundër bënin dikur biznes djemtë e Sharonit dhe Arafatit ndonëse baballarët e tyre hiqeshin si kundërshtarë të betuar.
Situata e përgjithshme në botë le vend për pesimizëm, sepse udhëheqësit me prirje autokratike tani janë të pranishëm gjithnjë edhe më shumë. Kjo do të thotë konflikte të tjera të armatosura dhe fatkeqë të tjerë që vriten çdo ditë.
No comments:
Post a Comment