Një ditë me diell unë hijen e humba
Në stinën kur zogjtë iknin me trumba;
Orkestra në park luante një rumba
(Ishte në modë at'here.)
Kudo që endesha më shihnin me habi,
Zonjëza dhe zotër, pleq edhe fëmij'
"Ky është ai q'humbi hijen e tij!"
Përflitej pas çdo dere.
Por unë nuk ndjeja të hijes mungesë
Ato të të tjerëve nuk më linin mbresë
"Ndoshta dhe kthehet"- e kisha një shpresë
"Mbase një ditë vere".
Edhe se të kthehej nuk kisha dobi,
Nuk di kush e do nga pas hijen e tij,
"Por hije mbi dhe lëshon çdo njeri!"
Mendoja her' pas here.
Ngadalë po më dukej çdo gjë pa shije,
Por dhe rreth e rrotull botës t'i bie
Nuk di ku ka vend ku të blesh një hije
Të t'thonë-"Paguaj dhe merre."
Në dëshpërim shtyj ditët një dhe nga një,
Jo rrallë dhe natën as gjumi s'më zë,
Nuk di pse e ndjej dhe të qetë s'më lë
Hija q'humba at'here.
No comments:
Post a Comment