Jemi "jakobinë" se jemi ballkanas? Jemi "jakobinë" sepse ishim një kohë të gjatë nën një Diktaturë të Majtë? Jemi "jakobin" sepse sisitemi juridik anglo-sakson nuk ka pasur kurrë një ndikim në shoqërinë tonë?
Eshtë e vështirë të gjesh një përgjigje të saktë për tre pyetjet. Ndoshta e vërteta është diku midis ose e përfshirë brenda këtyre tre pyetjeve. Populli që dikur thërriste "tradhëtarët në litar" nuk kishte qënë për një kohë të gjatë nën ndikimin komunist. Kishte qënë nën Turqinë dhe Zogun. E megjithatë kërkonte litarinsi dikur jakobinët kërkonin gijotinën. Një miku im thotë se popujt e varfër dhe të mund t'i lesh edhe pa bukë mjaft të futësh sa më shumë të pasur në burg. Së fundmi këtë e ilustronte me shembullin e Erdoganit, që e kaloi përgjegjësinë e qeverisë për viktimat e tërmetit duke burgosur menjëherë dhjetra ndërtues,
Tashmë në Shqipëri është arrestuar Jamarbër Malltezi për një përfitim që ka pasur 12 vite më parë në një aferë të dyshimtë kthimi pronash, privatizimi dhe ndërtimi. Një pjesë jo e vogël e popullsisë shqiptare është kënaqur që dhëndëri i pasur i Berishës do mbetet në burg.
Unë nuk e ve në dyshim që e gjithë afera është e dyshimtë dhe favorizuese, por ajo që më shqetëson është qëndrimi i segmenteve të juridikut nga SPAK e deri në Gjykatën Speciale për ta arrestuar me bujë dhe për ta mbajtur të arrestuar. C'mund të bëjë Malltezi në lidhje me një "vepër penale" të kryer 11 vite më parë? Mund të tjetërsojë provat? Mund të kërcënojë dëshmitarët? Mund të largohet nga vendi si Arben Ahmetaj? Asnjëra nga këto nuk qëndron dhe të gjithë juristët që kanë duart në këtë dosje e dinë, por kanë zgjedhur për të kënaqur egon e tyre, ambiciet politke të të tjerëve apo dëshirat ndëshkuese të pjesës së prapambetur të shqiptarëve ta arrestojnë në publik dhe ta mbajnë në burg deri sa ta dënojnë një vit ose dy.
Nëse shqiptarët e thjeshtë që entusiazmohen nga arrestimi tregojnë vetëm dritëshkurtësi dhe një kënaqësi primitive ndëshkimi të të tjerëve, për prokurorët dhe gjykatësit e çështjes, kjo është më tepër se turp. Eshtë abuzim i pastër i pushtetit. Malltezi ka përfituar nga Berisha për paratë që ka fituar nga afera "Klubi Partizani". Nëse dosja është e përpiluar mirë dhe e plotësuar me fakte jo vetëm ai, por Berisha edhe të tjerë përgjegjës duhet të marrin dënimin e parashikuar nga ligji. E megjithatë. e gjithë mënyra e përfundimit dhe procedimit për një dosje me të cilën SPAK ka tre vjet që merret, cënon jo vetëm lirinë e Malltezit, por edhe timen edhe të të gjithë shqiptarëve të tjerë. Të tilla mënyra duhet t'i përkasin historisë dhe jo jetës
së sotme.
No comments:
Post a Comment