Indet e poezisë nga ngërçi mbërthyer,
Tingujt e fyellit nga të nxehtit tretur,
Linjat e portretit mbi telajon e palyer,
Supet e brishtë pas murit mbështetur.
Korbat kërkojnë kokërdhokë të kuq,
Prej kreut të bukur të drenushës shkulur,
Në plagën e pambyllur krimbat e poshtërimit
Dëshmojnë kotësinë e ndjenjës së përulur.
Thellë ajrit të rënduar të kotësisë
Përpëlitet së fundmi shpresa e bjerrur.
Drenusha nuk mundi të voglit t’i jepte sisë,
Në atë lirishte, ku pritej që jeta të rinisë,
Bukuria e humbi luftën ndaj vrazhdësisë,
Nën tinguj mortorë poezia ngeli e therrur.
No comments:
Post a Comment