Vapa e këtij korriku dhe turi i lajmëruar i Ramës në Ballkan, më solli në mendje një drekë gjatë fushatës elektorale të vitit 2017 në hijen e disa çadrave në Pazarin e Korçës. Mes disa mësueseve në pension, që mbllaçisnin kërnacet e paguara nga ndonjë “subjekt elektoral”, njëra syresh i tha Ramës : “E kam thënë se vetëm Rama mund ta bëjë Shqipërinë!” Rama tundi kokën duke thënë me mendje: “Bjeri se i bie bukur!” ndërsa Niko Peleshi, zëvendës i tij, buzëqeshi i kënaqur se dreka elektorale po e kryente funksionin. I dëshmonte Udhëheqësit punën e mirë të bërë në Qark nga drejtuesi politik dhe njëkohësisht mund të ndikonte në ndonjë votues të lëkundur, që dëgjonte deklaratën profetike të mësueses në pension.
Nuk jam i sigurt në e “qullosi” apo jo Shqipërinë Rama, se
një njeri i vetëm as mund ta shpjerë në brigjet e lumturisë anijen dhe as mund
ta fundosë. Duhen shumë e shumë njerëz për ta bërë atë. Gjendja e shqipërisë
pas 6 vitesh paraqitet komplekse dhe mund të thjeshtëzohet duke thënë “Para
duket që ka në vend, por të përqëndruara jo në shumë duar!” Sa për korrupsionin
duket që është i njëjtë dhe jeta politike dhe e organizatave joqeveritare më e
vakët.
Por duket që Ramës pak i intereson Shqipëria, se vështrimi i
tij është hedhur më gjërë. Të rregullojë Ballkanin, i cili në drejtimin e tij
duhet të gjejë Paqe dhe njëkohësisht të hyjë sa më parë në Bashkimin Europian?!
Ndaj dhe posa ka shpallur se do nisë një tur takimesh në Beograd, Sarajevo,
Shkup, Prishtinë dhe Podgoricë. Njëlloj si presidenti amerikan, ai kinez,
francez dhe kancelari gjerman. Zakonisht këta personalietete botërore nisin ‘ture”
dhe zhvillojnë bisedime me homologët e tyre për t’i dhënë drejtim punëve të
ngecura në vend të një rajoni.
Deliri i Madhështisë përgjithësisht karakterizon ata që dinë
pak. Dhe sigurisht që Rama di pak nga politika, gjeopolitika, historia e
politikës dhe e marëdhënieve ndërmjet vendeve europiane dhe të rajonit. E ka dëshmuar
më së miri në marëdhëniet që ka pasur me shtetin tjetër të shqiptarëve,
Republikën e Kosovës. Edhe pse ka 10 vjet si Kryeministër dhe disa vite të
tjera më shumë si kryetar partie, ai ka dy handikape të mëdha, që nuk e klejojnë
të përparojë si politikan. E para është se nuk ka pasur një shkollim të
mjaftueshëm për ta bërë këtë dhe e dyta se i ka pëlqyer të mbledhë gjithnjë
rreth vetes ata që dinë më pak se ai dhe
që i thurrin lavde ose i thonë ato që i pëlqejnë të dëgjojë. Askush nuk mund të
mësojë artin e të bërit “politikë të madhe” në kushte të tilla.
Rama posa mbylli si i dështuar kapitullin e “Open Balkan”. Dështimin
mundohet ta paraqesë si “kryerje të misionit” dhe të vazhdojë të trumbetojë se
po mundohet t’i “vejë në rrjesht” drejtuesit e vendeve të tjera të Ballkanit
Perëndimor. Fakt është që ai u tregua më i paaftë se udhëheqësit kosovarë, të
cilët e kundërshtuan që në krye “Open Balkan” dhe parajamëruan se nuk ishte në
interesin e shqiptarëve. Në krizën më të fundit të Veriut të Kosovës, Rama në mënyrë
dramatike e paraqiti si një humbje të plotë të Kosovës. Por Albin Kurti ka dëshmuar
se është jo vetëm më parimor se Rama, por edhe ka edhe shumë mbështetje në
popullin e tij. Për më tepër duket se i ka edhe më të mbështetura njohuritë e
tij mbi marëdhëniet në rajon, rolin e fuqive të mëdha dhe interesat që përplasen
Ballkan. Pavarësisht se Rama dhe mediat rreth tij mundohen ta paraqesin si Don
Kishot, apo si një axhami që po na prish me Perëndimin. Në të kundërt, mbështetja
e shqiptarëve ndaj Ramës është një mbështetje e detyruar, e manipuluar nga
mediat ose e blerë.
Si mund të bëjë një tur të suksesshëm ky delirant, kur nuk është
në gjendje të merret vesh me shtetin tjetër shqiptar?
Ballkani ka dhjetra e dhjetra problem, por më kryesori është
korrupsioni, që prodhon autokratë, të cilët nuk e lëshojnë fronin. Rama dhe Vuçiç
janë dy shëmbëlltyrat më tipike. Një Ballkan perëndimor, sipas vizionit të tyre
nuk ka për të qënë kurrë demokratik.
No comments:
Post a Comment