....
Quhej Dejzi. Jetonte në një periferi të Los Anxheles. Nuk
jetonte vetëm. Me të ishte dhe Teze Liu, e cila nuk ishte tamam një teze, se sa
kujdestarja e saj. Mund ta quante edhe shërbëtore, por ajo pëlqente ta quante
“dado”. Nëse dikush që ka mbushur të dyzetat mund të ketë ende një dado. Teze
Liu kishte qënë dikur mëndeshë për gratë e fisnikëve, që nuk kishin qumësht të
mjaftë, ose për ato që nuk donin që gjinjtë t’ju bëheshin të flashkët nga
thithjet e pareshtura të fëmijës. E jëma e Dejzit e kishte mbajtur edhe pasi e
bija nuk kishte më nevojë për qumësht gjiri. Teze Liu ishte kthyer në dado, më
vonë në guvernante dhe pasi Dejzi kishte arritur moshën e pjekurisë ishte bërë
kujdestare. Deri në adoleshencën e vonë kishin fjetur në një dhomë dhe Teze Liu
dinte gjithshka për Dejzin.
Këto i tregonte Dejzi me origjinë nga Hong- Kongu, Patrikut
me origjinë nga Skocia, me të cilin ishte njohur në një mga mediat sociale. I
tregonte edhe se adhuronte ushtarët, mjekët dhe mësuesit. Ushtarët jepnin jetën
për mbrojtjen e atdheut, mjekët shpëtonin njerëzit nga vdekja dhe mësuesët përcillnin
njohuritë tek brezat e rinj. Patriku nuk ishte as mësues, as mjek dhe as
ushtar. Ishte përgjegjës turni në një fabrikë prodhimi automjetesh në Detroit. Do kishte dashur t’i thoshte se kishte qënë
ushtar në të ritë e tij, por kjo do binte ndesh me atë që I kishte thënë në
fillim Dejzit. Nuk i pëlqenin femrat që gënjenin, ato që mbanin tatuazhe në
shpatulla, si dhe ato që kishin gjinj artificialë.
Dejzi e entusiazmuar i ishte përgjigjur që të njëjtën përbuzje
kishte dhe ajo për gënjeshtrën tatuazhet dhe gjinjtë artificialë, ndonëse në çastet
e një dashurie të çmendur edhe mund t’i lejonte vetes të bënte një tatuazh fare
të vockël në një vend intim, ku do e shihte vetëm njeriu i saj i zemrës.
Patriku i ishte përgjigjur, që kjo ishte një gjë krejt tjetër dhe nuk kishte të
bënte aspak me tatuazhet stërmëdha të shpatullave, që i shohin të gjithë dhe bëjnë
të humbasë këndellja femërore, që krijojnë shpatullat delikate të një vajze të
fisme. Më pas kishin këmbyer shumë “imoxhi” nga fytyrat buzëqeshëse, fytyrat e
përskuqura nga turpi, tek të qeshurat me lot dhe deri në zemrat me ngjyra gri,
vjollcë dhe smerald, por asnjëherë të kuqe.
No comments:
Post a Comment