Lëçita fjalën e fundit të Edi Ramës, jo sepse kam kureshtje se çdo thotë. Jo thjesht se e di që gënjen, por edhe se nuk ka as ndonjë frazë interesante të shqipes, dhe për më tepër ka një delir madhështie të bezdisshëm në rrjeshtat e çdo fjalimi. E bëra sepse u ndodha edhe për tre orë të tjera shtesë në një aeroport, duke pritur shtyrjen e rradhës të kompanisë "rrencake" Whizzair, që operon kryesisht në Shqipëri. Eshtë e vështirë të flesh në stolat e çdo aeroporti ndaj "i dhashë karar" të lexoja gënjeshtrat e fundit tëEdit.
Nuk arrita të kuptoja se ku niste hajduti, si gërshetohej me demagogun dhe se si kjo gërshetë e përbindshme vishej edhe me disa gjethe stërmëdha megalomanie.
Në krye nuk merrja vesh se cilit publik po i drejtohej. Popullit shqiptar? Ambasadorëve dhe të huajve të tjerë që ndjekin ngjarjet shqiptare? Hajdutëve dhe papagajve të vegjël të Partisë Socialiste? Mediave që i shërbejnë prej kohës kur është në krye të qeverisë?
Nëse do përpiqesha t'i tregoja dikujt me një frazë të vetme se përse bëhej fjalë do shkruaja:"Unë ju solla Drejtësinë e shumëpritur edhe duke qënë i bindur se do sakrifikoja disa nga njerëzit më të afërt dhe më të dashur!" Pak a shumë një Abraham, që për Drejtësinë (Zotin e tij) është gati të therrë birin e vetë,?!
Gënjeshtra më e madhe në rrjeshtat e Ramës është që ai do Drejtësinë. Narcisistët dhe autokratët edhe kur nuk janë hajdutë, urrejnë vetë konceptin e së Drejtës. E Drejta për ta është ajo që ju shërben atyre. Por edhe qëndrimi që ka mbajtur PS-ja në këtë çështje, nuk ka qënë kurrë nismë e saj por e të huajve që njihnin mirë se sa i korruptuar ishte Sistemi Juridik në Shqipëri. Veç presionit të të huajve, socialistët kishin edhe interesin e madh që ta çlironin nga ndikimi i Berishës, i cili pat emëruar shumë e shumë prokurorë e gjykatës, të cilët deri diku i kontrollonte sepse ja u dinte edhe aferat e mëdha korruptive. Dhe në Reformën në Drejtësi ne jemi më të vonuarit nga e gjithë Europa Lindore dhe Ballkani. Ishte diçka që detyrimisht do ndodhte sepse nuk mund të vazhdohej rruga e nisur për tu bërë pjesë e BE-së. Nuk të linin të huajt!
Gënjeshtra tjetër e madhe është që në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë Sistem Juridik të pandikuar nga politika. Edhe pse me dobësi nëse krahasohej me Anglinë apo Amerikën, por Sistemi Juridik i kohës së Shtetit Shqiptar para Diktaturës ishte ku e ku më i mirë se Sistemi që kemi sot. Edhe pse mund të ketë pasur të dënuar politikë në atë kohë, ata përgjithësisht janë dënuar për shkak të pjesëmarrjeve në lëvizje apo kryengritje për të rrëzuar pushtetin. Ndërsa Sistemit të sotëm edhe pse mund të mos i mungojnë institicionet apo legjislacioni dhe procedurat, i mungon armata e gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve me koncepte perëndimore për drejtësinë, sepse të tillë shkatërrim i solli edukatës juridike sistemi totalitar. Dhe një edukatë e tillë nuk mund të ngjizet dot në 30 vjet. Edhe sikur djali i Kristaq Ramës të ishte Frederiku i Dytë.
Mes gënjeshtrave të vogla, nuk di se për ç'arsye përmendet edhe arrestimi i Nanos, si persekutim. Edhe pse arrestimi i tij mund të ishte gabim politik i Berishës, nuk mund të thuhet se Nano nuk kishte abuzuar me pushtetin. Ndikimi i Saliut tek prokurorët dhe gjykatësit e zellshëm është i njëjtë me presionin që po ushtron indirekt Rama për të arrestuar Ahmetajn, tradhëtarin e organizatës mafioze, që ai drejton.
Eshtë e sigurt që në Shqipëri Drejtësia nuk ekziston. Nëse do kishte një të tillë vetë Rama duhet të kishte shkuar në bankën e të akuzuarit. Ndoshta tek ndikimi në subkoshiencën e kryeministrit i këtij fakti duhet parë edhe thelbi i fjalës së tij. Më shumë se çdo gjë është një autosugjestionim që nuk do ketë asnjëherë një Drejtësi më të mirë se kjo që ka sjellë Shpëtimtari, se në të kundërt do ishte ai vetë që duhet të zgjaste duart për të marrë "byzylykët" në kyçet e duarve.
Po të ishte para një Pasqyre Magjike ajo do ja thoshte!
No comments:
Post a Comment