Monday, 3 July 2023

Emrat e të vegjëlve të një vendi të vogël

 

Nuk është dukuri vetëm shqiptare. Ne ndoshta e kemi më të theksuar për shkak të kompleksit të inferioritetit dhe njëkohësisht të prapambetjes të një shoqërie patriarkale. Ju vemë emrat tanë fëmijëve të porsalindur pa menduar shumë se si do ndjehen ata vetë kur të rriten. Diku lexova para disa javësh se Enver Hoxha i kishte vënë emrin të bijës së Pandi Kristos, Asamble. Dhe Pandi si komunist i devotshëm i ishte bindur udhëheqësit të tij. Sot, Edi Rama kishte mbledhur disa fëmijë kosovarë që kishin emrat Bill Klinton, Klinton dhe Hillëri. Prindërit e tyre ju kishin vënë këto emra nga emocionet që kanë pasur nga ajo ç’ka bërë Klintoni me vendimin për të bombarduar Sërbinë.

Nuk di pse kemi dëshirë të tregohemi qesharakë faqe botës për ç’ka bëjmë me emrat e fëmijëve tanë. Dhe kjo nuk ka nisur pas Luftës së Dytë Botërore edhe pse në atë kohë u shtua me një lloj servilizmi të çuditshëm. Pat nisur me Napolonët. Më vonë, në Korçë pat qënë dikush që quhej Hitler dhe që pas luftës ja kishin ndryshuar emrin në Taqo, por gjithsesi njihej si Taqo Hitleri. Me vendosjen e Diktaturës vërshuan Vladimirët, Timoshenkot, Capajevët dhe deri edhe ndonjë Mao Ce Dun.

Tani ka ardhur koha e Klintonëve, Hillërive dhe ndoshta edhe Toniblerëve, Trumpëve dhe Berluskonëve. Vladimirët nuk janë më në modë për shkak të armiqësisë që kemi me Putin.

Eshtë kjo mahnitja që na shkaktohet nga personazhet e fuqishëm të politikës?

Sepse nuk di që ndonjë shqiptar të jetë pagëzuar Ainshtajn, Darvin, Fermi apo Laibnic. As Betoven, Balzak, Stravinski apo Pikaso.

C’ndodh në mendjet e baballarëve kur vendosin të quajnë birin e porsalindur Bill Klinton? Të bëhesh i fuqishëm si presidenti amerikan? Të na nderosh Kosovën dhe Shqipërinë?

Ndoshta nuk duhet vrarë mendja shumë, se në fund të fundit “emri kapistall është“. Por ka periudha të fëmijërisë dhe adoleshencës, që emërmbajtësit kanë turp nga emri që ju kanë vënë prindërit, sepse dashje pa dashje shoqërizohen me vepra jo dhe aq të mira të “origjinalit”. Dhe këta të shquarit e politikës kanë më shumë të turpshme se të mira. Eshtë në natyrën e asaj që kanë bërë në jetë.

No comments:

Post a Comment