Tuesday, 4 July 2023

Problematika e problemeve

 

Mes humë e shumë fjalëve që përdoren rëndom dhe shtrembër në mediat audio-vizive shqiptare është edhe “problematika”. Gazetarëve, folësve, analistëve ju tingëllon bukur ky emër dhe e përdorin edhe në vend të problem në njëjës apo probleme në shumës. Ndoshta një pjesë e tyre kanë ende një lloj fobie ndaj problemeve të matematikës para shkollave të larta që kanë kryer, ndoshta ju duket se tërësia e problemeve merr një natyrë më misterioze kur thuhet “problematikë“, ndoshta se nuk ja dinë kuptimin e vërtetë fjalës. Se nuk mund të shpjegosh se përse për një rrugë të ndërtuar me cilësi të dobët gazetari shprehet “problematika e kësaj rruge”; nuk mund të shpjegosh përse një analist thotë “t’i shkojmë në thelbin e problematikës” apo një politikan që shprehet: ‘duhet të luftojmë problematikën”?!

Një mikja ime, që e ka hyq të më kundërshtojë më shumë me vend se pa vend do hidhej: Ke problem ti me problematikën?

Do i përgjigjesha se më shqetëson çdo lloj “përdredhje” e shqipes për hir të tingëllimit “bashkëkohor”, apo për të dëshmuar kulturën dhe të qënit “i realizuar” i atij (apo asaj) që bën “përdredhjen”. Përdorimi pa vend i “problematikës” thjesht shton problemet e moskuptimit mes shqiptarëve, e mjegullimit të informacionit, e konfuzionit tek lexuesi apo dëgjuesi që ka pasur më pak mundësi për t’u arsimuar. Artificialisht e bën edhe më të rëndë peshën e problemeve jashtëzakonisht të mëdha që ka shoqëria shqiptare. Një dëgjues që bëhet lehtësisht pesimist, shkurajohet më shumë kur dëgjon problematika para e mbrapa, majtas dhe djathtas. “Obobo si do bëjmë me gjithë këto problematika!” do thotë dhe gjithë ngutje do mbushë valixhet dhe të emigrojë. Nuk dua të them se janë gazetarët dhe analistët që po e trembin rininë dhe po e detyrojnë të largohet, por mungesa e qartësisë dhe konfuzioni në informacion, sigurisht që ka peshën e tij në jetën e njerëzve.

Ndoshta e teprova në këtë stinë plazhi që posa ka nisur me “problematikën”, se edhe vetë  pushimet kanë problematikën e tyre. As pranë detit nuk na ndahet e flamosura!

 

No comments:

Post a Comment