I angazhuar me ndërtimet që në mesin e viteve ’90, kur kishte një zyrë shitblerjesh pasurish të patundshme, Niko Peleshi kishte mësuar gradualisht parimet e urbanistikës dhe arkitekturës, si dhe skenat e prapaskenat për të marrë leje ndërtimi. Në këtë drejtim ishte më i përgatitur se të gjithë paraardhësit e tij Gjinko, Kotmilo, Duro dhe Damo. Gjithashtu kishte një “rrokje” të mirë të problemeve ekonomike, prej kohës kur kryesonte dhomën e Tregëtisë dhe mbi të gjitha, ishte plot energji për të bërë ndryshime në qytet.
Ndonëse në dy vitet e para nuk aktivizoi arkitektë, që e njihnin mirë qytetin, përpjekjet e tij ishin pozitive, të hapura për këshillime dhe konkurencë të ideve, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja apo edhe të biznesmenëve shqiptarë. U organizuan disa konkurse për Qendrën e qytetit, në fillim me pjesëmarrjen e projektuesve vendas dhe i dyti edhe ndërkombëtar, të cilat ishin vërtet shenja të mira për ardhmërinë e Korçës.
Pas rizgjedhjes dhe futjes në stil të gjërë në projektimin e qytetit të përfaqësuesit të firmës gjermane “Uillsën e Bolles”, filloi periudha e kthimit të Korçës nga “qyteti im”, në “qyteti im po më la Nikoja”. Tashmë kishte humbur fryma konsultative me qytetarët, specialistët, intelektualët, por çdo gjë vendosej nga Kryetari i Bashkisë dhe ekzekutohej nga Pitë Uillsën, ndonjë firmë projektuese në Tiranë dhe nga nëpunësit e përvojtur të Zyrës së Urbanistikës me familjet e tyre.
Cdo mendim kundërshtues i specialistëve quhej si sulm me prapavijë politike dhe injorohej.
E megjithatë, kryetari I bashkisë diti të tërheqë fonde nga qeveria apo Bashkimi Europian për realizimin e një sërë projektesh në qytet, ku më i rëndësishmi ishte ai i “Pedonales” dhe ndërhyrjeve në Bulevard Republika, projekte, që kanë vlera por edhe problem, të cilat mund të ishin mënjanuar nëse specialistëve nuk ju drejtohej “veshi shurrdh” i Bashkisë. Në këtë kohë, filloi edhe Plani I ri Rregullues I financuar nga Banka Botërore dhe i fituar nga një firmë projektimi izraelite, një firmë kjo pa përvojë në urbanistikë, rreth të cilës pata shkruar në shtypin tonë artikullin “Shesim Plane Rregullues me shumicë!”. Padyshim, që në Planin Rregullues të hartuar prej një firme greke, gjithashtu pa përvojë në urbanistikë, të cilës i ishte dhënë Korça nga firma izraeilite(këta të fundit kishin marrë me një tender tre plane rregullues- Korçën , Gjirokastrën dhe Beratin) do kishte amatorizëm dhe dobësi. E megjithatë, një Plan edhe amator është më mirë se mungesa e planit, apo pritja në vite për miratimin e tij.
(Vijon)