Në ditët e Shpalljes së Mëvetësisë së Shqipërisë, të vijnë në
mendje shumë figura shqiptarësh të rëndësishëm, të cilët firmosën Deklaratën e
Pavarësisë me cilësinë e përfaqësuesve të zonave nga vinin. Mes tyre ishte edhe
Lef Nosi, përfaqësues i Elbasanit, Rilindas, drejtor i Shkollës Normale. 35 vjeçar
dhe me emër të mirë në qytetin e tij, Lef Nosi ishte ndër figurat më të
spikatura të Kuvendit të Vlorës. Në qeverinë e posaformuar ju caktua detyra e
Drejtorit të Përgjithshëm të Postave Shqiptare.
Nosët ishin ndër familjet më të pasura të Elbasanit dhe Lefi
ishte jo vetëm i shkolluar mirë, por edhe me shumë interesa kulturore, që
nisnin nga arkeologjia dhe etnografia dhe përfundonin me numizmatikën. Shqiptarizmi
i tij nuk vihet në dyshim në asnjë çast të historisë shqiptaretë fillimit të
shekullit të XX.
Por ç’ndodhi me Lef Nosin në vitin 1943, kur pranoi të ishte
anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe më vonë një nga katër anëtarët e Këshillit të
Lartë të Regjencës, kur forcat gjermane kontrollonin Shqipërinë?
Lef Nosi ishte në ato vite 66 vjeçar dhe kishte prej
Revolucionit të Qershorit 1924 (ose grushti i shtetit i 1924), që ishte tërhequr
nga politika. I trembej fitores së mundshme të komunistëve apo kontrollit të
ardhshëm të Shqipërisë nga Jugosllavia?
Nuk është e lehtë të spjegosh llogaritjet politike të Lef
Nosit në pranimin e atij propozimi. Një gjë është e sigurt, që nuk e ka bërë për
përfitime personale, sepse kishte dhënë shumë nga jeta dhe pasuria e tij për
Shqipërinë. Por i parë me paanësi, vendimi i tij ishte plotësisht i gabuar, në
një kohë që aleatët kishin zbarkuar në Siçili dhe gjashtë muaj më vonë zbarkuan
edhe në Normandi. Lef Nosi me dashje ose jo i shërbeu Boshtit hitlerian duke
menduar se po i bënte shërbimin më të mirë Shqipërisë.
Lef Nosi ishte antizogist dhe njëkohësisht në kryesinë e
Ballit Kombëtar, nga e cila u përjashtua kur pranoi pjesëmarrjen në Këshillin e
Regjencës. Ndër veprimet që duhet të kryente si “përfaqësues mbretëror” ishte
dhe firmosja e dënimeve me vdekje të luftëtarëve shqiptarë, që i kundërviheshin
nazizmit. Dalja para gjyqit të pasluftës ishte e pashmangshme edhe sikur lufta
të ishte fituar nga një koalicion forcash patriotike.
A duhej dënuar me pushkatim?
Problemi më tepër se ligjor është politik. Kuptohet që
komunistët do ishin më të zellshëm se cilado forcë për të zhdukur kundërshtarët
politikë dhe sidomos ata që vinin nga shtresat e pasura. Por mareshali Pëten u
dënua me vdekje në Francë edhe pse kishte qënë heroi i Luftës së Parë Botërore
dhe patriot i shkëlqyer, si dhe 90 vjeçar. Nuk ishte e mundur që në një vend të
prapambetur si Shqipëria, me parime gjakmarrëse dhe me një bandë terroriste në
krye të shetit, 70 vjeçari Lef Nosi t’i shpëtonte dënimit me vdekje dhe
ekzekutimit.
Më 20 shkurt 1946, një javë pas marrjes së vendimit, Lef
Nosi u pushkatua bashkë me Patër Anton Harapin, një nga anëtarët e Këshillit të
Regjencës. Si për ironi të fatit, prokuror në gjyqin ushtarak ndaj tyre ishte
një njeri i letrave, përkthyesi Misto Treska.
Shqiptarët, të cilëve ju kushtoi gjithë jetën e tij, i dhanë
Lef Nosit dënimin kapital, të cilin më parë nuk ja kishin dhënë as turqit, as sërbët
dhe as italianët megjithëse e kishin arrestuar. Tregues i intrasigjencës
shqiptare dhe i abuzimit me pushtetin, ashtu si kishte ndodhur edhe me dënimet
me vdekje të shumë patriotëve shqiptare pas revoltave ndaj Ahmet Zogut.
Zelli i çirakëve të pazarit të Korçës dhe lebërve kokëkrisur,
i gërshetuar edhe me dinakërinë për ruajtjen e pushtetit të Enver Hoxhës, i cili
nuk kurseu as kunatin e tij Bahri Omari, e shpunë atdhetarin e shkëlqyer Lef
Nosi në një varr pa shënjë. Gjithsesi ai mbetet në Panteonin shqiptar.