Tuesday, 14 April 2015

Te gjithe kundër Janullatosit

Politikanë, veprimtarë, atdhetarë, fetarë, jofetarë, ateistë, shkrimtarë, priftërinj, hoxhallarë, gazetarë, barinj me grigja, barinj në pension, të gjithë duket se janë kundër Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Shqiptare. Më i fundmi, shkrimtari-politikan Ben Blushi, merret me temën “komode” të sulmit ndaj Janullatosit, për të fituar pikë si atdhetar i flakët.
E megjithatë, të kundërshtosh për hir të kundërshtimit nuk ka asnjë kuptim. Por për të pyetur gjërë e gjatë, se përse sulmohet Janullatosi, duhet vrarë cazë mendja dhe ky është një ushtrim jo dhe aq i pabukë. Ndihmon të kuptosh psikologjinë e përgjithshme të popullit tonë të mirë, patriot, punëtor e liridashës.
Më tepër se nga shkrimet kundër Kryepeshkopit, në portalet on-line bie në sy numuri i madh i komenteve, që bëhen kryesisht kundër tij. Pra, një numur jo i vogël shqiptarësh e urrejnë Janullatosin dhe përdorin ndaj tij fjalorin më të ulët.
Të bie në sy kjo skemë e thjeshtë mendimi.
Greqia gjithnjë ka pasur pretendime territorial ndaj Shqipërisë. Kisha Greke gjithmonë ka mbështetur pretendimet territorial greke dhe ka bërë përpjekje të quajë ortodoksët shqiptarë si grekë. Si rrjedhim, një fetar i lartë me origjinë greke, nuk mund të ketë asnjë qëllim tjetër në ardhjen në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, përveç se të vazhdojë të mbështesë politikën shoviniste të vendit të tij!
Duket shumë e thjeshtë dhe e logjikshme.
Por sipas një logjike, që ka bazë edukimin ateist të shoqërisë shqiptare. Që e sheh Fenë si të keqen më të madhe, që i kanoset një populli.
Nuk dëgjon kurrë të flitet për Bankat Greke, që zotërojnë një pjesë të madhe të tregut bankar shqiptar dhe as për kompanitë greke, të cilat kanë pasur shumë eskluzivitete në biznesin në Shqipëri. Ato nuk kanë se ç’na bëjnë!
E keqja na vjen se Janullatosi nuk e mban shqip fjalën e tij në meshën e Pashkës!
Po të isha i pranishëm në atë meshë dhe fjala të mos përkthehej nga dikush tjetër, them se do ndjehesha jo mirë edhe pse në dallim nga Blushi, kur shkoj në Kishë në rastet e festive të rëndësishme fetare nuk shkoj për të kuptuar a për të hyrë thellë mistereve të dogmës fetare. Ka të tjera burime , ku mund të gjesh përgjigje për pyetjet themelore rreth Zotit dhe Gjithësisë.
E megjithatë edhe në rast se fjala nuk përcillej e përkthyer, do e quaja një ‘handicap’ të Hirësisë tashmë 86 vjeçar dhe jo përpjekje të tij për të më helenizuar mua dhe të tjerët. Askush nuk niset të mësojë një gjuhë të huaj për të dëgjuar fjalën e një kreu fetar në një festë fetare!
Nuk do më bezdisnin as predikimet në latinisht apo arabisht. Ideja se me gjuhët e huaja apo me fetë e tyre, të huajt mund “të zhbëjnë“ Shqipërinë është jo vetëm e prapambetur por edhe shumë naïve.
Shqipërinë po e zhbëjmë çdo ditë vetë me në krye klasën tonë politike, që ka krijuar një gjendje, që njerzit të largohen çdo ditë e më tepër nga vendi.
Nuk di të ikë ndonjë ortodoks, se kryepeshkopi nuk është shqiptar!
Nuk di as se ikën ndonjë muhamedan, se në ndonjë xhami predikohet islami i ashpër!
Shoqëria shqiptare ka nevojë për një Ringjallje shpirtërore, të cilën nuk mund t’ja japin politikanët e korruptuar(mes të cilëve dhjetra patriotë si Blushi)!
Ringjallja shpirtërore vjen kryesisht nëpërmjet fesë.
Ndaj le t’i lemë njerëzit fetarë të bëjnë punën, të cilës i kanë përkushtuar gjithë jetën e tyre!


No comments:

Post a Comment