Në një artikull të botuar dje në “Panorama”, deputeti
Kastriot Islami, analizon gjendjen politike në vend, duke përdorur kryesisht
konstatime të politikanëve europianë rreth demokracive të pazhvilluara apo atyre
hibride në ish vendet komuniste. Gjendjen e vendit e paraqit me të drejtë si të
sunduar nga “oligarkia dhe banditizmi”. Gjithashtu, duke ju referuar një
interviste të ish euro-parlamentarit francez Joseph Daul, ai e cilëson gjendjen
e vendeve Ballkanike “shpërthyese” ndaj hamendëson, se në Bruksel edhe me
bekimin e Uashingtonit, për të parandaluar shpërthime të tilla, që mund të
sjellin pasoja të paimagjinueshme për rajonin edhe gjithë Europën, kanë filluar
në Shqipëri një projekt pilot, të cilin Islami e quan “terapia në tre faza kundër
oligarkizmit dhe banditizmit”.
Duhet pranuar, që deputeti Islami ka të drejtë kur
pohon(ndoshta për herë të parë), që qeverisja e vendit, sidomos prej vitit 1997
e tani, ka shkuar viti pas viti, si qeverisje e një grupi të vogël njerëzish
dhe shpesh herë me elementë të qarta të përzjerjes me “rrethe kriminale”. Në
5-6 vitet e fundit ishin vitet ku këto karakteristia u kristalizuan më shumë. (Kufijtë
kohorë janë të mijtë, por nuk besoj se zoti Islami ka tezën, që oligarkia dhe
banditizmi janë dukuri e këtij një viti e gjysëm të qeverisë Rama.) Duhet të bëjmë
disa dallime. Për shembull Nanon mund ta akuzojmë për nxitje të korrupsionit,
dembelizëm apo keqqeverisje, por jo për përpjekje për të forcuar vetëm një grup
njerëzish. Tipike në krijimin e oligarkëve kanë qënë periudhat e shkurtra të qeverive Meta,
periudha e qeverisjes së Berishës duke kulmuar me periudhën Berisha-Meta.
Oligarkinë nuk e forcon vetëm klientelizmi, por në rradhë të parë centralizimi
i pushtetit dhe mosndarja e pushteteve. Vite e Berishës ishin vitet e ligjeve
centralizuese, e përpjekjeve për të kontrolluar të gjitha pushtetet, përfshi këtu
edhe një pjesë të mirë të mediave. Në këto vite u konsoliduan oligarkët Meta,
Argita Berisha, Basha e të tjerë pranë tyre, që konsideroheshin “të plotfuqishëm”.
Por analiza e Islamit me “projektin-pilot” imagjinar
europian, është “prerë”, që t’i shërbejë politikisht krahut ku aderon më shumë se
sa vendit. Ai krijon edhe tre faza të këtij projekti(hapa), ku e para është kjo
, që posa ka filluar- dekriminalizimi i Parlamentit dhe administratës. Këtu
Islami përmend jo vetëm largimin e njerëzve të dënuar për krime, por dhe të
atyre me “profil oligarkike” (Shpresoj që kjo e fundit të jetë një lapsus i
Islamit, se ka oligarkë, por jo deputetë apo nëpunës me profil oligarkik).
Si fazë të dytë quan deligjimitetin e mazhorancës(pra rënien
e qeverisë dhe shpërndarjen e parlamentit), se sipas tij, kjo maxhorancë ka përfituar
në votime, si dhe gjatë dy viteve të qeverisjes nga “oligarkizmi dhe
banditizmi”.
Këtu, me fantazinë e tij, Kaç Islami shkon shumë larg. Ramën
mund ta akuzosh për korrupsion me lejet e ndërtimit, për klientelizëm, për
“betonizim” të Tiranës, por nuk mund të thuash, se gjatë fushatës elektorale ai
dhe partia e tij arritën fitoren duke përdorën “oligarkizmin dhe banditizmin”.
Ishte pikërisht revolta e njerëzve në pushtetin e përqëndruar në duart e Berishës,
Metës dhe një grushti të vogël njerëzish, që solli Ramën në pushtet. Ky i
fundit nuk ka pasur kurrë në dorë as të hartojë ligje, as të krijojë
institucione qëndrore, as të bëjë privatizime për pesë lek, as të japë prona
dhe as të ndërhyjë në pushtetin gjyqësor.
Mund të thuash se qeverisja “ala Berishë” atij i vjen për shtat dhe ka prirje për ta bërë në të ardhmen, por deri
tani nuk ka qënë Rama, ai që krijoi oligarkinë shqiptare. Sa për përdorimin e
bandave në fushatat elektorale, nxjerrjen e kriminelëve nga burgu për të
ndikuar në komunitetet e tyre, përdorimin e parave të pista e deri në vjedhjen
e votave, këtë janë dukuri të hershme të politikës shqiptare, që i kanë përdorur
të dy partitë e mëdha.
A ka tani në parlament dhe në vende drejtuese në administratë
më shumë se kurrë njerëz me preçedentë penalë? Mundet. E megjithatë unë mendoj
se grafiku i rritjes së numurit të tyre ka ardhur gradualisht duke u ngritur në
këto 15 vitet e fundit, pa ndonjë ndryshim drastik në këto dy vjet.
Pas fazës së dytë (shpërndarjes së parlamentit dhe
zgjedhjeve të reja) Islami mendon fazën e tretë, atë të “ndëshkimit” të ideatorëve
, realizuesve dhe përfituesve(nga oligarkizmi dhe banditizmi) të kësaj
maxhorance. Në të kundërt, thotë ai, është rreziku i një revolucioni, i cili në
rastin më të mirë do jetë i butë, por pa fryte.
Ideja e Islamit për fazën e tretë, (edhe pse ju vishet si i
gjithë projekti, europianëve), për “ndëshkimin”(që mund të jetë dënim penal, përjashtim
nga politika apo diçka tjetër) është vërtet një ide e dobishme për vendin nëse
realizohet duke individualizuar ideatorët, realizuesit dhe përfituesit e vërtetë.
Kastriot Islami këtë e drejton qëllimisht ndaj maxhorancës, e cila vërtet ka në
gjirin e saj disa të tillë. Por ai harron në mënyrë të ndërgjegjshme ideatorin,
realizuesin dhe përfituesin kryesor, që është ai që e pranoi në PD, Sali Berishën.
Harron qëllimisht edhe të tjerë brenda opozitës së sotshme. Ndoshta do vijë një
ditë që ata oligarkë të largohen nga jeta politike dhe ekonomike e vendit, se për
tu dënuar, duket se ajo ditë do jetë e largët.
Në vend të përfundimit, dua të shtoj, se e gjithë ideja e
“projektit pilot europian” është një “kostum europian”, që Kastriot Islami i
vesh idesë populiste të revolucionit demokratik për të përmbysur qeverinë, të
shprehur së fundmi nga Berisha.
Maxhoranca e sotme ka një mëkat të madh, që po imiton Berishën
në klientelizëm, në favorizime në përpjekje për të goditur disa oligarkë e për
t’i zëvendësuar me të rinj. Të dyshimta janë edhe marëdhëniet e krerëve të saj
me të inkriminuar. E megjithatë, zgjedhjet e parakohshme( të cilat nuk janë ide
e Brukselit, por e Berishës dhe Islamit) nuk i sjellin vendit asnjë të mirë,
veë forcimit të PD-së, pa u ndarë akoma nga e kaluara e saj e dëmshme për
Shqipërinë.
Nëse Rama nuk ndryshon kurs, populli do e largojë me vota
nga pushteti më 2017 në kërkim të njerëzve, që nuk duan të qeverisin vendin sikundër
është bërë deri më sot.
Shenjat kanë filluar të shfaqen , por jo sipas skenarit
Islami-Berisha.
No comments:
Post a Comment