Monday, 6 April 2015

"E papërmirësueshmja" nga Sharl Bodler

E papërmirësueshmja


A mund ta mposhtim të zvargurën Keqardhje.
Që rri, gjallon dhe përdridhet
Ushqehet me trupin tonë si një larvë,
Siç i grryen krimbi vidhet?
Mund ta mposhtim të pamposhturën Keqardhje?

Në ç’verë, në ç’pije, në cilat eliksire
Mbytet kjo e papërkulur
Shkatërruese, grykëse si një lavire,
Si mizë dheu e ngulur?
Në ç’verë, në ç’pije, në cilat eliksire?

Thoja magjistare e bukur! Thoja nëse e di
Shpirtit nga ankthi mbuluar,
Të cfiliturit nga plagët, i thuaj atij,
Nga potkoj kuajsh shkelmuar
Thoja magjistare e bukur, oh, nëse e di,

Të përgjakurit, që ujkun larg po e grish,
Dhe korbi nga lart e vështron
Ushtarit që shpirt jep! Të ndjehet i trishtë
Nga fati që drejt varrit e çon,
Të gjorin e përgjakur, që ujkun po e grish!

Mund të ndriçohet një qiell i zi, i zhyer?
A mund të çirret errësira
Pa agime, muzgje, plot pikëllim ngërthyer,
Pa yje, pa vetëtima
Mund të ndriçohet një qielli i zi, i zhyer?

Shpresa që rrezaton dritareve të Bujtinës,
U mposht, përjetë e venitur!
Të gjesh natën pa hënë, pa rrezen e dritës,
Martirët e rrugës së nëmur!
I Paudhi dritat ja ka shuar Bujtinës!

Magjistare e bukur të nëmurit a i do?
Të pakthyeshmen a e di?
E njeh ti Keqardhjen, që zemrat na shënjon,
Me shigjeta ngjyer n’helm të zi?
Magjistare e bukur të nëmurit a i do?

E Papërmirësueshmja me dhëmbë e bluan,
Tonin shpirt, këtë idhull mëshire
E grryen, si themelet bien dërmuar,
Nga vite në lagështirë.
E Papërmirësueshmja me dhëmbë bluan.

-Kam parë dikur në një të rëndomtë skenë,
Nën nota të errta violine,
Qellin e ferrit e flakëron një vetëtimë
E çelin të bukur agime.
Kam parë dikur në një të rëndomtë skenë

Një krijesë thjesht dritë, flori dhe mëndafsh,
Që poshtë ve Luçiferrin,
Por shpirti im, që kurrë s’ndjen gëzim dhe afsh,
Eshtë veç një teatër terri,
Që më kotë e ndjek Qënien me krahë mëndafsh!











No comments:

Post a Comment