Thursday, 2 April 2015

Pjese nga "Dicka ndodhi" e Xhozef Heller

Pjesa e meposhteme eshte shkeputur nga kapitulli "Vajza ime nuk eshte e lumtur".

...
Dhe e kapa sërish veten duke u çuditur se ç’dreqin ka një njeri i aftë, i kënduar, mjaft inteligjent, i ndjeshëm, i afrueshëm, nëpunës i sukseshëm i një kompanie të madhe, si puna ime, shëndetplotë ndaj sëmundjeve, provokues në zgjuarsi, ende hamshor dhe tërheqës për shumë zonja të dyshimta të moshës sime, bile edhe më të reja, që është përfshirë në një diskutim kaq të ulët dhe pa rrugëdalje me dy njerëz (fëmijë) si këto: gruan time të cekët, melankolike, pakëz të dehur, vetëmëshiruese (shpesh mundohem të kuptoj se ç’pashë tek ajo shumë vite më parë, që më bëri të mendoj se isha dashuruar dhe doja të kaloja gjithë jetën me të, përveç se prapanicave të saj të kolme dhe joshëse, që edhe sot nuk janë keq bile duken edhe më joshëse. Për të qënë i drejtë, gjithë këto kohë, them se më ka pëlqyer më shumë në seks ime shoqe se gjithë të tjerat me të cilat kam shkuar mbi dy herë, megjithëse edhe të tjerat kanë qënë bajagi të mira dhe plot me befasira të çuditshme muajve të parë. E ndjej që tani për shembull, se Xheni e Depratamentit të Arteve do jetë bela më vete – është pak e leshtë, jo e ndërlikuar dhe i pëlqen të flasë shumë; duhet ta ketë lëkurën aq të paqtë dhe të butë, sa mund të fëshfërijë kur t’i shkoj dorën, por është akoma shumë e re dhe e këndëshme dhe e padjallëzuar, sa sikur nuk shkon për moshën time. Disa nga vajzat, që kam shkuar qeshin më shumë se duhet me shakatë e mija, sa kur ka mbaruar eksitimi i parë dhe pres të dytin, e kuptoj që ato qeshin dhe flasin aq shumë sa më ngrejnë nervat. Nga ky lloj duhet të jetë edhe e reja dhe e këndshmja Xhen. Po gjithashtu e di se do ta përfshi plot epsh në partin më të parë të kompanisë; dhe s’besoj se do dua ta kem më në kompani pasi të kem mbaruar punë; kjo është dhurata, që dua tiI bëj vetes për Krishtlindje, dhuratë që kam nisur që tani ta ç’mbështjell) dhe me çupën time depresive, vetëmëshiruese dhe që do jetë në qendër të vëmendjes, kur fare mirë mund të përqëndrohem në gjëra të tjera si për shembull të punoj në dy fjalimet, që dua t’i thurr (më pëlqen t’i nis kohë përpara përgatitjet për gjëra të rëndësishme, si fjala që duhet të mbaj në mbledhjen vjetore nëse do ngrihem në përgjegjësi në vendin e Kejgëll, që do të thotë të përgjigjem për tërë punërat, ose të punoj në fjalimin tim të zakonshëm, të thatë, treminutësh për planet dhe veprimtaritë e departamentit tim nëse nuk do ngrihem në përgjegjësi në vendin e Kejgëll, por do jem akoma nën urdhrat e Grin-it, i cili ka mundësi mos më lerë as këtë rradhë ta mbaj. E kam zët Grin-in dhe kurrë s’kam për t’ja harruar dhe falur, që nuk më la të mbaja fjalimin në mbledhjen vjetore. Në të vërtetë as e dua as vendin e Kejgëll – kurrë s’i kam dashur vendet drejtuese dhe të kem shumë njerëz nën hyqëm – por tani nuk do më vijë mirë edhe sikur mos ma japin atë vend; do ndjehem i tradhëtuar  dhe i turpëruar, e do dua të tërhiqem në një vend të errët e të fshehtë ku të qaj e të qaj e mos dal më kurrë. Jam shumë i dobët për ta refuzuar atë vend pune dhe shumë vanitoz sa mos më bëjë përshtypje ai nder. Bile as shtesa në rrogë nuk më duhet.) ose në listën e ndryshimeve, që do rekomandoj të bëhen nëse do ngrihem në përgjegjësi në vendin e Kejgëll. (Dua t’i bëj të qartë Artur Berën-it dhe Horac Uajt-it, se jam i aftë ta bëj.  Ka shumë vetë, në të gjitha zyrat, të cilët dua t’i heq nga puna. Do doja për shembull Grin-in ta pushoja që tani, megjithëse ende nuk kam njeri për ta zëvendësuar.)
...

No comments:

Post a Comment