Friday, 27 December 2013

Biseda të pakryera me babanë (pjesë)

Unë- Më kujtohet rreth fundit të viteve ’60, kur shihja një fotografi të një grupi burrash e grash të veshur mirë para Pallatit të Kulturës dhe si gjithnjë të pyesja për emrat e tyre, kur të kam pyetur për Boris Plumbin, më ke thënë “është pianisti më i mirë në Shqipëri katrani, por ka ca avaze”. E kuptova, që nuk doje të më thoje më shumë dhe që nuk ishte diçka e lidhur me politikën. Vite më vonë, pasi kemi takuar përzëmërsisht Sokrat Mion diku afër Radios dhe ai gjysëm frëngjisht e gjysëm shqip, tregoi shkurt si po kalonte me “mon heritier”, kuptova se edhe pse përbuzje homoseksualizmin, nuk ishe “i ashpër” me homoseksualët. Ai- Duhet të dallosh dy gjëra thelbësore. E para është që në kohën e rinisë sime, homoseksualizmi konsiderohej si sëmundje dhe më rrallë si një praktikë perverte e njerëzve me “grykësi seksuale”. Borisin e kisha pasur bashkënxënës në Lice dhe edhe pse nuk shkëlqente në mësime dhe nuk rrinte me ne, ishte një njeri i mirë dhe shumë i edukuar. Në kohën që kam mësuar për devijimin e tij seksual, flitej që kishte qënë “viktimë“ e një pedagogu francez të pianos dhe kjo e shtonte keqardhjen, që ndienja për të. Ishte vërtet pianisti më i mirë në Shqipëri dhe po të kishte jetuar në vend tjetër do ishte bërë i famshëm. Gjithashtu Sokrati, ishte njeri shumë i kulturuar dhe i zoti. Ai kishte studiuar në Francë dhe për mua jeta e tij personale nuk më bënte përshtypje. Më tepër dalloja si negative, sjelljen e tij jo për tu admiruar me të vëllanë, profesorin tim të vizatimit, kur të dy punonin në Teatër. Vangjushi ishte mishërimi i artistit të shkëlqyer e të thjeshtë, që rrobtohej në punë për të përgatitur skenografitë e shfaqjeve, qëdrejtoheshin nga i vëllai. E dyta është, që në rast se homoseksualizmi nuk mund të kurohej, për mua dënimi me burg ishte jo vetëm i ashpër por dhe i kotë. Absurditeti më i madh ishte që në atë kohë, pedofilët dënoheshin gati njëlloj me homoseksualët. Ashpërsia ndaj tyre, që ishte shumë më e theksuar pas Luftës së Dytë, rridhte për mendimin tim, nga një trajtim i ashpër që ju bëhej në gjithë vendet komuniste. Edhe pse jo të pëlqyer nga populli, ata ishin pranuar më mirë në shoqërinë shqiptare të kohës së Perandorisë turke dhe në atë të Zogut. Korça ishte një qytet me numurin më të pakët, por duke qënë më “moderni” për kohën, kishte prirje të mos i “persekutonte” edhe pse mund t’i përbuzte. Unë- Ti kishe një lloj përçmimi për qytete si Kavaja e Elbasani, ku si flitej në atë kohë kishte një traditë të këtyre marëdhënieve. A nuk ishin ato qytete më pranë kulturës orientale të Stambollit? Ai- Nuk kisha përçim për to sepse nuk kisha jetuar në to e nuk i njihja mirë. Nëse vërtet si flitej, ato kishin pasur një “kulturë“të ashikëve dhe dylberëve, ajo nuk kishte të bënte me orientalizmin e Perandorisë turke dhe aq më pak me Stambollin. Si të kam thënë më parë, Stambolli ishte në kohën time një nga qytetet më të zhvilluar dhe më të bukur në botë. Elbasani, Kavaja, Durrësi apo edhe Tirana e vjetër nuk kishin asgjë të ngjashme me të. Unë- Në ndryshim me udhëheqjet e larta të BS apo vendeve të tjera satelite, tek ne nuk ka pasur homoseksualë. I vetmi i përfolur pas vdekjes ka qënë Enver Hoxha. A thua kjo përbën anomali? Ai- Në ato dy tre vjet, kur Enveri ka qënë pedagog në Lice, por edhe në vitet e pasluftës, unë nuk kam dëgjuar të flitej për biseksualizmin e tij. Ai njihej si burrë i pashëm, që kishte pasur plot historira dashurie në Korçë dhe menjëherë pas Luftësu martua me një grua të bukur. Për sa u përket të tjerëve, nuk ka përse të konsiderohet anomali mospasja e homoseksualëve në poste të larta. Edhe pse kjo pjesë e popullsisënë atë kohë në Europë ka qënë gjithnjë pranë të Majtës, ndoshta ka qënë rastësi që nuk kanë pasur karrierë të spikatur. Nuk besoj se ka qënë politika e kuadrit që ndiqte Enveri,për të mos pasur të tillë. Për të ishte e mjaftueshme t’i bindeshe verbërisht e t’i shërbeje pushtetit të tij personal. Të tjerat kishin pak rëndësi.

No comments:

Post a Comment