Geçe Kushu sokak ishte rruga e fundit ku kishte ndenjur. Në atë apartament pati paketuar të gjitha qelqurinat, përfshirë edhe disa takëme kristali bashkë me kushëririn e tij Spiron. Spiroja ishte shumë vite më i madh, por më i nxituar dhe thuajse të gjitha kishin përfunduar të thyera në stacionin e trenit të Selanikut. Kristalet ishin thyer sikundër dukej e thyer edhe adoleshenca e tij. Po linte pas gjithshka që njihte dhe kishte kaluar në 15 vitet e jetës së tij. Liceun San Benua, shokët e mëhallës dhe të ekipit të futbollit, punën e verës tek ëmbëltorja pranë, Bosforin dhe anijet e tij, të afërmit dhe gjithshka tjetër të Stambollit.
I jati, Naum Mara, kishte ikur me nxitim para dy muajsh në Korçën e largët, atje ku ishin të afërmit e nënës, me të cilët, i vëllai kishte hapur një bakallhanë në Pazar. Bakallhaneja quhej Leço- Mara, gjë që nuk i kishte pëlqyer Naumit kur kishte zbritur për herë të parë në Pazarin e Korçës. Sipas tij duhet të quhej Mara-Leço, se pjesa e kapitalit që kishin vënë Marat ishte më e madhe.
Naum Mara kishte jetuar në disa banesa në Stamboll, por gjithnjë në lagjen Gallata, ose si njihej prej vitesh, Bejogllu. Kishte ndenjur në fillim me të jatin, më pas, kur ai kishte vdekur kishte ndenjur me disa bashkëfshatarë nga Voskopoja dhe më tej vetëm, me familjen deri sa kishte përfunduar në apartamentin në sokakun Geçe Kushu. Kishte hezituar të blinte shtëpi në rininë e tij dhe më vonë, pasi kishte hapur tregëtinë e mishit me shumicë, nuk kishtepasur më mundësi. I pëlqente të kishte një apartament të madh , të mbushur me mobilje dhe sixhade të shtrenjta. Parapëlqente edhe të vishej mirë dhe të kishte në shtëpi edhe ç’farë ishte e re. Mes tyre edhe një aparat projektimi filmash.
Aparati bashkë me shumë sende të tjera nuk mund të merreshin në Korçë dhe ju lanë mbesës së tij, Amalisë, që jetonte me familjen në të njëjtën ndërtesë. Mbetën në të njëjtën ndërtesë si relike të një familjeje, kryetari i të cilës kishte jetuar mbi pesëdhjet vjet në kryeqendrën e Republikës Turke.Të gjithëve ju vinte shumë keq , që Marat po largoheshin nga apartamenti në Geçe Kushu. Por ju duhej të iknin. Tregëtia kishte falimentuar. Faturat e papaguara të kasapëve të Stambollit i kishin mbetur ortakut çifut të Naumit. Ai ndoshta do ishte më i aftë t'i mblidhte.
Geçe Kushu sokak ka ndryshuar. Banesa 4 katëshe me një apartament në kat është ende atje, e restauruar. Shumë pranë saj, si një rastësi e habitshme, ndodhet i vetmi Starbuks i një gjithë Bejogllusë. Eshtë kafeja e preferuar e Naum Marës pasardhës. Gjyshi i tij, që mbante të njëjtin emër, pinte çaj dhe duhan me nargjile. Bota nuk është aq e madhe sa duket dhe kohët ndoshta edhe gërshetohen me njëra tjetrën. Në një sokak që mban emrin Geçe Kushu dhe që është më pak se 50 metra i gjatë.
No comments:
Post a Comment