Monday, 3 October 2022

Sistër Theodhora


Sister Theodhora nuk është e bukur. As e veshur me shumë kujdes. Në veshjen e saj prej murgeshe mund të shquash edhe ndonjë njollë nga puna në kuzhinën e Manastirit. Prej atje doli dhe erdhi në shitoren e manastirit, ku mund të gjesh nga djathi i bardhë i prodhuar nga vetë murgeshat dhe deri në dhuratëzat me temë fetare, që të bëjnë të thellohesh më shumë në botën shpirtërore se në qejfet e kësaj bote.

Flet shumë rrjedhshëm anglisht, frëngjisht dhe greqisht. Dhe është çuditërisht e shkathët për trupin e saj të bëshëm. Një trup që presupozohet mos joshë meshkujt. I mbuluar me një rrobë të zezë të gjërë, që nuk dallohet nëse është një fund e krye apo e përbërë nga dy pjesë. Por edhe unë ndjehem shumë mëkatar të kqyr veshjen e sister Theodhoras ndërsa ajo ju shërben blerësve në shitoren e manastirit. Përqëndrohem në fytyrën e saj kur i flas ndërsa mendoj përse ka përfunduar në Manastir kjo vajzë që ndoshta quhej dikur Silvi, Anjez a Helen. Theodhora është emri që ka zgjedhur kur i është përkushtuar Krishtit. Ka lënë emrin dhe mbiemrin e saj. Do e thërresin gjithë jetën Sister Theodhora. Dhe pas shumë e shumë vitesh, kur të largohet nga kjo jetë, në gruin e varrit do shënohet vetëm emri i saj.

Sister Theodhora flet shpej dhe me gjuhë shuë të kultivuar. Duket që duhet të ketë mbaruar një universitet para se të futej në Manastir. Padashur mendja fillon të më punojë rreth një humbjeje tronditëse në dashuri a në fejesë, që nuk është e pamundur tek vajzat që largohen nga jeta e zakonshme dhe ndjekin rrugën e përkushtimit fetar. Pastaj e largoj shpejt për të mos rënë në grackën e stërhollimeve të kota mendore të ndikuara nga librat dhe filmat. E ndjej që është të menduarit e dikujt që jetën që bën shumica e njerëzve e quan si jetën e vërtetë dhe çdo lloj të jetuari tjetër e quan si devijim ose si të mangët. Unë nuk di se sa dritë, dashuri dhe gëzim ka jeta e sister Theodhoras dhe 25 vajzave të tjera që kanë zgjedhur të jetojnë në manastir. “U mbyll në Manastir! U bë kallogre”- thuhej nga brezat parardhës, që ishin edhe më fetarë se brezi jonë. E gjitha kishte ngarkesën negative të errët, që i bënte veshjet e murgeshave të dukeshin edhe më të zeza dhe muret e manastireve edhe më të pakapërcyeshëm. Murgjët dhe murgeshat nuk ishin gjë tjetër për ne vdekëtarët e zakonshëm, veçse të “burgosur vullnetarë“ të përkushtuar ndaj një ideje të pafaktuar kurrë dhe të pamundur të faktohet në jetë të jetëve.

Sister Theodhora ka një buzëqeshje të pandashme në fytyrë dhe një mirësi që nuk e has shpesh. Madje as në fytyrat e murgeshave të tjera që kalojnë me nxitim në mes të punëve të tyre në fermë. Manastiri është edhe një fermë e madhe me lopë, kuaj dhe dhi, ndaj të 26 vajzat dhe gratë janë më se të ngarkuara në punë. Me veshje që më kujtojnë bujkeshat e kohës së socializmit tek ne, që çuditërisht mbi pantallona mbanin edhe fustane, për të mos humbur anën femërore. Edhe fshataret tona i kishin kokët e mbuluara me shami për tu mbrojtur nga dielli dhe era. Murgeshat e Manastirit të ngritur nga Efraimi i Arizonës mbajnë shami të zeza rreth kokës dhe disa syresh kanë ardhur nga Rusia e largët, madje është dhe një shqiptare mes tyre. Kështu na tregon Sister Theodhora, që ka dëshirë të tregojë për çdo gjë që lidhet me Manastirin, fenë ortodokse dhe Zotin. E dëgjoj me një lloj admirimi këtë vajzë afër të dyzetave, që rrezaton dritë dhe mirësi. Edhe pse nuk mund të kthehem në fetar nën ndikimin e saj, mendoj se është mendjecektësi ta paragjykoj dhe aq më keq “t’i qaj hallin e saj”. Më vjen ndërmend Celentano me vargjet “Mos e urre diellin/ Nëse nuk je në gjendje ta shohësh”. Unë nuk di se ç’sheh sister Theodhora me sytë e mendjes së saj, që mund të jenë edhe më të fortë se sytë e mij, edhe më të ndriçuar. Ndoshta në botën e saj të bukur mes një pylli në Kebek, me shoqet e saj dhe kafshët e dashura ndaj njerëzve, ku mungojnë ligësitë e botës së madhe, Parajsa shpirtërore është krijuar tashmë.

Unë kthehem në botën që njoh me një fashë drite nga mirësia e Sister Theodhoras.

No comments:

Post a Comment