Florestano Di Fausto ka lënë shumë vepra në Itali dhe në Shqipëri. Projektet e tij nuk kanë qënë në pararojë të arkitekturës botërore, edhe pse bashkëkohës i Gropiusit dhe Korbyzjesë, por gjithsesi kanë qënë ndërtime dinjitoze për kohën. Veçanërisht për një vend jo shumë të zhvilluar si i joni, ku arkitektët vendas numuroheshin me gishtat e njërës dorë.
Në Korçë është realizuar vetëm një vepër e tij. Ndërtesa e
Bashkisë e ndërtuar në gjysmën e dytë të viteve ’30. Ka një histori të veçantë
realizimi i atij projekti. Fasada ishte e gjitha e trajtuar me elementë të një
neoklasiçizmi tradicional, madje më e rënduar se sa fasadat e Ministrive në
kryeqytet, që gjithashtu janë vepra të tij. Pati një kundërshtim të vendosur të
profesionistëve dhe intelektualëve të asaj kohe, sepse e quanin që nuk ishte në
harmoni me arkitekturën e qytetit dhe mënyrën se si trajtoheshin fasadat. Korçarët
ju imponuan arkitektit të preferuar të Naltmadhënisë dhe fasadat u realizuan
ashtu si i kanë njohur brezat në vite.
Nuk kisha hyrë në atë ndërtesë prej fillimit të viteve ’90.
Nuk kam pasur asnjë rezervë, që u rikthye në origjinë edhe pse më është dukur
absurd ndryshimi i destinacionit të Bibliotekës në një “vallaha” Bashki me koncept
të hapur. Ndërtesa e sotme e Bashkisë pat qënë për një kohë të gjatë Shtëpi
Kulture dhe kam hyrë thuajse në të gjitha kthinat e saj qysh prej mesit të
viteve ’60. Ishte një ndërtesë me holle gjithë dritë, që gumëzhinte nga
tingujt, zërat e këngëtarëve dhe recituesve si dhe nga bisedat e amatorëve të të
gjitha arteve. Në bodrumin e saj kisha ndjekur disa muaj një kurs vizatimi, në
dhomat e katit të parë kisha dëgjuar shokë të mij që luanin piano, në katin e
sipërm pata parë shumë ekspozita dhe në dhomën ku ndodhet tani shefi i
kabinetit të Kryetarit të Bashkisë, kisha hyrë shumë herë se ishte zyra e Degës
së Lidhjes së shkrimtarëve.
Tani çdo gjë është ndryshe, që nga hyrja për në ndërtesë që
bëhet nga pas, një derë që hapej shumë rrallë. Brenda mbizotëronte një qetësi mortore,
e rënduar akoma më shumë nga ngjyra e errët e dyerve, Të dukej sikur hyje në një
shtëpi funeralesh. Më shumë e rëndonte dera tmerrësisht vertikale e zyrës së Kryetarit,
që vërtet të krijonte përshtypjen se do hyje në një sallë ku do shihje një
arkivol të hapur dhe të ndjerin ose të ndjerën para se të përcillej për në
banesën e fundit. Vërte rrallë herë ndërtesa e luante edhe këtë rol , kur
përcilleshin figura të rëndësishme të qytetit, por atëhere përdoreshin në holl
disa perde stërmëdha të zeza. Tanimë nuk është e nevojshme për to. Me një melodi
“zen” në sfond dhe me pak aromë qirinjsh jasemin, do ndjehesh saktësisht në
pragun e botës tjetër.
A ka gisht Pit Uillson edhe në këtë restaurim?
Nëse po, edhe një vepër e shëmtuar nga dora e këtij
arkitekti të dyshimtë, trillet e të cilit janë pranuar symbyllaz nga “sunduesit”
e qytetit tim. Për më tepër, në një mur të ngritur para Bashkisë 2, shkruhet
edhe se çka bërë ky arkitekt “zheni” për Korçën.
Tek ndërtesa e parë e Bashkisë, nuk ka asnjë shënim për
Florestano Di Fausto edhe pse ka qënë një arkitekt i njohur italian. Puthadorësit
e Edi Ramës jo vetëm kanë qënë të nënshtruar plotësisht ndaj australianit me
shumë pak shije dhe famë, por edhe e kanë gdhendur emrin e tij në hyrje të
qytetit.
Në cilën kafe të Europës tallet me Korçën dhe korçarët
arkitekti bandit Australian?
Më mirë të mos e dime!
No comments:
Post a Comment