Sunday, 2 October 2022

Ishte 2 tetor


Nuk më kujtohet nëse mundëm të shihnim nga dritaret e avionit dritat e qytetit të madh, ku kishim vendosur të zbrisnim. E kishim zgjedhur sepse nuk dinim ku të shkonim tjetër. Pa bërë asnjë lloj kërkimi. Pa patur asnjë të afërm ose mik. Ishte e mjaftë të “nguleshim” në një qytet të vendit të ri, për të shpëtuar nga tmerret e vendit tonë, që mbetej në një lloj kaosi të paparë as në kohë luftërash.

Kishim fjetur vetëm dy orë dhe pasi kishim marrë vizat në një depo të postës greke (çuditërisht punonjësit grekë të atij institucioni ishin aq dashamirës me ne, sa na kishin telefonuar më 2 pas mesnate) dhe ishim bërë gati me nxitim, por nuk ndjenim lodhje. Ndoshta vajzat e mija druheshin të na thoshin që ishin të lodhura. Edhe ne , të preokupuar me ato ç’do na pyesnin në zyrën e emigracionit në aeroport, nuk ishim aq të vëmendshëm ndaj tyre. Po vinim për to apo më shumë për veten në këtë vend të huaj dhe kaq të largët?

Pritëm sa na erdhi rradha dhe shkuam të gjithë para sportelit të oficerit kanadez dhe përsëritëm edhe njëherë se ç’ishim, mga vinim dhe përse vinim. Fytyra e nëpunësit ishte pa shprehje. Ndoshta ishte trainuar për të qënë i tillë. Pas 10-15 minutash na vulosi fletët e mëdha të “landed immigrant” dhe na tregoi një raft ku mund të merrje broshura që udhëzonin të porsaardhurit se ç’duhet të bënin në fillim. Ato do ishin “abetarja” e ngulimit tonë të ri.

Në korridoret gati të zbrazëta të aeroportit “Lester B. Pearson”prisja të shquaja fytyrën e vëllait të një shokut tim, me të cilin kisha folur në telefon para se të niseshim dhe i kisha kërkuar të na zinte hotel dhe mundësisht të na priste në aeroport. Nuk erdhi edhe pas 20-30 minutash ndaj pasi bleva një hartë të qytetit e telofonova. Më tha që nuk mund të linte një kurs kompjuteri që ja paguante kompania, por ishte interesuar për hotel dhe kishte disa jo të shtrenjtë në rrugën Spëdajna (Spadina). Ishim 4 vetë me dhjetë valixhe dhe çanta të mëdha (sa na lejohej të merrnim brenda biletës) dhe i shpjegova që ishim të gatshëm të prisnim deri në një orë të vonë sa të mbaronte kursin. Nuk kishte mundësi. Në hartë Spëdajna dukej e largët dhe në një ekran të aeroportit kishte njoftime nga hotelet përreth për tarifat dhe shërbimin e transportit falas. Zgjodha më të lirin (Budget Inn) dhe i telefonova. Një mikrobus, i drejtuar nga një mesoburrë  sjellshëm, erdhi pas 5 minutash dhe na mori nga korridoret e ftohta dhe aspak mikpritëse të aeroportit të Torontos, që si do mësonim më vonë, ndodhej në territorin e Misisagas, qytetit ku do jetonim për shumë vite. Kishim gjetur një strehë për natën e parë në vendin e madh, të ftohtë dhe të huaj. Rramë të flinim të këputur në dy shtretët dopio të dhomës së hotelit.

Ishte 2 tetor 1997.

No comments:

Post a Comment