Zakoni i im për t’u ngritur shpejt sipas parimit “early to bed, early to rise..” jo gjithmonë më jep rezultatet e pritura. E keqja është se kur hap sytë nuk rri dot më në shtrat dhe në një dhomë hoteli europian, ku sipërfaqen më të madhe e ze shtrati, nuk ke ç’të bësh më pasi ngrihesh dhe bën një dush. Ndaj gjithnjë zbres në hollin e hoteleve dhe përpiqem të “reflektoj” rreth të kaluarës dhe ditëve që do vijnë, gjë që nuk më nxjerr në asnjë breg, por këtë rradhë më le ku jam, në brigjet e Bosforit.
Sportelisti i turnit të natës është një 27 vjeçar nga
Kazakistani, i sjellshëm, por që flet me vështirësi anglisht. Sportelistët e
hotelit shërbejnë edhe si barmenë dhe Saidi është ai që më përgatit kafenë e
parë të ditës. Pas dy mëngjeseve me kafe turke, porosis një neskafe gjë që e
shtyn sportelistin të më pyesë përse ndërrova
mendje. Këtu ze fill turbullimi i mëngjesit, sepse duke përdorur si zakonisht
krahasime të paqëlluara krahasova ndërrimin e llojit të kafesë me preferencat e
meshkujve për lloje të ndryshme femrash. Saidi më tregoi ekranin e telefonit të
tij ku dallohej qartë flamuri ylber. E kuptova që ishte gay dhe u mundova të
isha dashamirës dhe i sjellshëm, si qytetar i vendit të të sjellshmëve. Sportelisti
filloi të më shpjegojë se në vendin e tij dënohen me tre vjet burg për marëdhënie
homoseksuale, se e urren Turqinë, se miqtë dhe familja nuk e dinë që është gay
dhe se dëshëron të shkojë në Suedi e të kërkojë azil politik. (Nuk di nëse
strehimi që kërkon quhet politik edhe për homoseksualët apo është një lloj
strehimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.)
Më vjen keq për Saidin, që jeton në një vend që e urren dhe
për këtë nuk do as të lidhet me një “boyfriend”. Nuk ka aspak mënyrat e
sjelljes femërore që bëjnë të dallohen shpejt homoseksualët. Për më tepër, duke
u ndjerë ndoshta i lirë për të folur me një arnaut-kanadez , tregon se i pëlqejnë
meshkujt e hollë dhe leshtorë. Kjo më lehtëson edhe nga idea e pabazë e frikës
të ndonjë flirtimi nga “shoku gay” dhe më bën të qesh me vete duke menduar se
cilin leshtor hollak mund të gjejmë për t’i ardhur në ndihmë Saidit.
Gjithsesi, problemi kryesor është raporti i shoqërive të
vendeve ish-komuniste me homoseksualët. Janë ende të përçmuar, të përdhosur, të
përbuzur dhe ndonjëherë edhe të ndëshkuar fizikisht edhe atje ku ligji I lejon
marëdhëniet madje edhe martesat mes tyre. Ende nuk arrijmë të shkëputemi plotësisht
nga idea që kemi të bëjmë me një anomali dhe jo një realitet. Homoseksualët kanë
ekzistuar në mijëvjeçarë. Shoqëritë e mëparshme i kanë toleruar ose
persekutuar. Shoqëritë moderne nuk ka asnjë arsye përse t’ju krijojnë vështirësi
në punësim dhe në mbarëvajtjen e gjithë jetës së tyre. Aq më keq të lejojnë “bullizmin”
ndaj tyre. Gjithashtu nuk është e lehtë të shkëputesh nga paragjykimet e disa
dhjetvjeçarëve. Por njerëzit e lirë dhe mendjehapur në rradhë të parë duhet të
mendojnë si t’i ndihin më të dobëtit si Saidi dhe më pas të mësojnë dhe të
kuptojnë më shumë rreth tyre.
Në rradhë të parë familjarët e tyre.
No comments:
Post a Comment