Duke qënë se vij rrallë në qytetin e lindjes, kam avantazhin të dalloj ndryshimet si në një monitor, k u ndërtimet lëvizin shpejt duke zëvendësuar njëri tjetrin dhe arrin të dallosh ndryshimin e siluetës, të vëllimeve, te ngjyrave dhe të teknologjisë së ndërtimit. E kam shprehur edhe më parë që ka një përmirësim të madh të ndërtimeve vetiake, qoftë në trajtimin arkitekturor edhe në futjen e materialeve cilësore të ndërtimit. Deri diku i dedikohet shpirtit të korçarëve për t’u kujdesur që ta kenë shtëpinë sa më të paraqitshme dhe “të mos jetë pas shtëpive të të tjerëve”. Nuk jam në gjendje të bëj krahasime me nivelin ekonomik të viteve ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar dhe nivelit të sotëm ekonomik të një familjeje të mesme korçare, por duhet të them që përgjithësisht ndërtimet e sotme nga “luksi” ja u kalojnë atyre të 80-90 viteve më parë. (Po normal do më përgjigjet një lexues i ngutur.)
Arkitektura krahasimore nuk është një fushë shumë e lëvruar
dhe nuk kam të dhëna të bëj edhe hulumtimet më të thjeshta në të. Gjithshka është
e varur jo vetëm nga kostoja e truallit apo kostoja mesatare e ndërtimit, por
edhe nga të ardhurat mesatare të një familjeje që jeton këtu, ose nga mesatarja
e parave të sjella nga jashtë vendit për të ndërtuar. Por nëse sheh një element
fare të thjeshtë, që është tradicional,- rrethimet, portat dhe parapetet prej
hekuri,- të sotmet janë ku e ku më luksoze dhe më “pretencioze” se ato të së kaluarës.
Ka një të metë të madhe të karakterit urbanistik.
Dendësia ndërtimore është rritur tej mase.
Korça në mëse një shekull ka pasur një dendësi të pazakontë
për një qytet të kohëve moderne. Mungesa e infrastrukturës dhe zhvillimi i shpejtë
në gjysmën e dytë të shekullit XIX rezultoi në dhënie parcelash të vogla për ndërtimin
e baniesave vetiake. Si rrjedhojë oborret përgjithësisht kanë qënë të vogla dhe
sipërfaqja e gjelbëruar pas banesës gjithashtu e kursyer. E megjithatë, për
shkak të ndërtimeve përgjithësisht dykatëshe, parametrat thelbësore të jetesës
(ndriçimi natyral, mbrojtja nga erërat etj) kanë qënë të pëlqyeshme dhe kanë bërë
që lagjet e qytetit përgjithësisht të kenë një mikroklimë mjaft të mirë.
Në vitet ’70-80’ të shekullit të kaluar, për shkak të kërkesave
në rritje për strehim dhe ndarjes së familjes bazë në disa përbërës u bënë
shtesa të shumta të banesave ekzistuese, që gjithashtu solli rritjen e dendësisë
në ndërtim. Oborret dhe kopështet u cunguan më tej dhe në disa raste dhe u eliminuan.
Gjatë këtij shekulli, për shkaqe jo shumë të qarta për mua,
nisi një rritje e ndërtesave ekzistuese në kate, ose të vjetrat prisheshin dhe ndërtohej
në maksimumin e sipërfaqes të lejuar nga ligji. Duket se qyteti po kalon nga një
qytet i këndshëm me vila dhe banesa të zakonshme në një qytet të Mesjetës së
vonë, ku ndërtimet janë puq me njëri tjetrin dhe mungojnë thuajse tërësisht
oborret. Eshtë një prirje kundër kohës, kur gjithnjë e më shumë ndjehet nevoja
për parime më të forta ekologjike. Një shekull më parë edhe nëse nuk kishte
rregullore strikte ndërtimore, kërkohej ruajtja e një vije të kuqe, ose një
raport i mirë midis daljes në rrugë të ndërtimit dhe hapësirave midis banesave.
Korça nuk mund të kthehet tërësisht në një qytet turistik
me bujtës, bujtina, restorante dhe kafene.
Nuk janë aq të fuqishme “atraksionet turistike” të zonës sa
të mund të mbajnë flukse stërmëdha turistësh. Edhe në ato qytete europiane ku
kjo ndodh, vendasit me një fuqi ekonomike mbi mesataren, largohen dhe jetojnë në
periferi ose fshatra satelitë. Për bujtësit e një fund jave ose të një jave,
mikroklima nuk është thelbësore.
Diçka duhet bërë për t’i vënë një kufi kthimit të parcelave
të vogla vetiake në parcela banesash kolektive. Edhe sikur kjo të ulë kërkesat
për leje ndërtimi dhe të ardhurat që vijnë prej tyre në buxhetin e shtetit dhe
në “buxhetet” e lejëdhënësve.
No comments:
Post a Comment