Friday, 8 March 2024

Princi me "tru Zogu"


E kemi më në fund edhe ne një "skandal mbretëror". Për të mos mbetur pas europianëve të zhvilluar si Britania e Madhe, Belgjika, Monakoja, Spanja dhe të tjerë, që kanë pasur jo pak skandale të familjeve mbretërore.

Si çdo gjë e jona, edhe ky skandal i familjes gjakblu, ka pak klas. Sepse pak klas ka pasur gjithnjë mbretëria jonë e sajuar e Lalë Krosëve dhe princeshave Sanije dhe Myzejen. Ngjan më shumë me një sherr banal të dy të divorcuarve (apo në proces divorci) në një lagje të varfër të Tiranës. Nga fyerjet, agresiviteti dhe kërcënimet për gjyq apo për demaskim të diplomave të falsifikuara të princit. Kjo dëshmon edhe njëherë se njerzit nuk mund të jenë të ndarë në"blugjaksa" apo "redgjaksa". Janë ndarje anakronike të cilat domosdoshmërisht duhet të shkojnë drejt zhdukjes. 

Edhe pse videoja më la një shije të keqe (do doja të mos e kisha parë), hodha këto rrjeshta i nxitur nga diskutimet në media që i qanin hallin pjesëtarëve në sherr dhe fajësonin policinë dhe mediat që i kishin bërë publike. Kishte dhe nga ata analistë që fajësonin një pjesë të shoqërisë shqiptare se "gëzohet për fatkeqësitë e të tjerëve".

Këtu ze fill përcaktimi se në vendin tonë institucionet nuk sillen si institucione.

Dhe kjo nis me institucionin mbretëror, që përfaqësohet nga princi Leka. 

Kujt i shërben filmimi nga ai vetë apo nga një shoqërues i tij, i sjelljes agresive të ish-bashkëshortes pasi është konfliktuar me të atin e saj? Eshtë kjo sjellje e njeriut që sipas protokollit qeveritar renditet menjëherë pas Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit? A nuk ka përreth ky princ, avokatë dhe këshilltarë , që pasi janë ftohur gjakrat t'i sugjerojnë se videot në Shqipëri bëhen publike dhe do dëmtojë edhe veten edhe fëmijën e tij?

Nuk më çudit fakti që policia apo prokuria nuk e mbajti të fshehtë këtë provë që ju pat dorëzuar Princi. NëShqipëri gjithshka shitet dhe blihet dhe gjithshka konsiderohet si një mjet "për të bo noi lek!". Organet e rendit bëjnë ku e ku shkelje më të rënda se sa kjo e "skandalit mbretëror". Ndërsa mediat jo vetëm nuk duhet tëbëhen me faj, por e kanë për detyrë të informojnë publikun për çështjet që lidhen me persona publikë apo institucione publike.

Ne na duhet të dimë se ç'lloj Presidenti kemi, ç'lloj Kryeministri kemi dhe ç'lloj Princi kemi. 

Me sa duket ky i joniështë një Princ me "tru Zogu".

 

No comments:

Post a Comment