Monday, 25 March 2024

Rrëmbimi


Drita ishte verbuese dhe nuk di se si arrita të mbaja timonin për të mos dalë nga rruga. Ndoshta nga që motorri dhe çdo gjë tjetër ishte fikur në çast. Sa kishte kaluar mesnata dhe ndodhesha në një të tatëpjetë jo larg shtëpisë. Në një natë pus të zezë, i rrethuar nga bredha të errët që ende mbanin borë degëve.

Më pas nuk ndjeva asgjë. Më shumë se një humbje ndjenjash e zakonshme apo dhe një vertigo, ajo ishte një ndalim i plotë i shqisave, por ende isha në gjendje të mendoja. Isha thjesht mendim. Pa asnjë qasje ndaj realitetit, nëse vërtet ende kishte një të tillë. "Kjo do jetë vdekja...trupi vdes dhe idetë rrojnë përgjithnjë. Pak a shumë si tek Platoni apo edhe në propagandën komuniste, kur ideali ishte i përjetshëm. Nuk di sa kohë mund të arrij të duroj kështu vetëm si mendim. Apo koha jashtë realitetit nuk ekziston se është e pakuptim. Por duhet një farë kohe, qoftë edhe nanosekonda për të menduar?"

Mendova sikur të mundja të mos mendoja fare, se po bëhej një gjendje torturuese. "Po si mund të torturohesh qoftë edhe psikologjikisht nëse nuk ka realitet, nuk ka inde njerëzore, nuk ka luhatje të tensionit apo shtim të rrahjeve të zemrës? Dhe si mund të ketë gjendje nëse realiteti mungon?!" Nuk pata arritur deri në përpjekja e vërtetë për të ndalur mendimin, se nga brenda kapakëve të syve po shquaja dritë. Jo si ajo e tunelit , që përgjithësisht tregojnë ata që kanë pasur Përvojë Pranë Vdekjes. Ishte një dritë në një tonalitet të së blertës, që nuk kuptohej  nëse vinte nga një burim i vetëm apo rridhte nga e gjithë sipërfaqja e sferës ku ndodhesha. Ndodhesha brenda një sfere. Ose nën një kupolë ndoshta 15-20 metërshe. Iasha i shtrirë mbi një podium horizontal dhe nuk dalloja dot se sa lart nga baza e sferës apo e kupolës isha. Krejtësisht i mpirë po pa ndjerë atë ndjenjën gati gudulisëse që provojmë kur na mpihen gjymtyrët ose ndponjë pjesë tjetër e trupit.

"Jam gjallë ose në ëndërr, por pak më ndryshe se më parë kur nuk shihja dot. Ndoshta do më kthehet edhe prekja, dëgjimi dhe më vonë dhe nuhatja me shijen. Po ç'ndodhi me makinën? Atje isha kur u përfshiva nga ajo masë drite verbuese."

Mu duk se po më kthehej dëgjimi. Ishte thjesht një zukatje e lehtë, pafundësisht e lehtë, sa nuk isha i sigurt nëse vinte nga sfera apo ishte vetëm brenda kafkës sime. Pastaj pushoi. Ende nuk munda të kuptoja nëse pat qënë një zukatje e vërtetë. Më vonë zukatja u përsërit. Më pas pushoi për të rifilluar.

"Dikush duhet të më ketë sjellë këtu. Eshtë e pamundur të jetë ëndërr. Gjatë gjithë jetës asnjëherë nuk kam ëndërruar diçka të ngjashme edhe pse kam përjetuar transformime të çuditshme...Të jem rrëmbyer nga qënie jashtëtokësore? Unë asnjëherë nuk i kam besuar historitë me alienë dhe rrëmbime njerëzish."

Po më kthehej ndjenja e prekjes. Edhe shikimi po më përmirësohej. Ndonëse nuk e ngrija dot kokën dallova se në majat e gishtave të këmbëve më kishin vënë nga një sferë të vogël me një ngjyrë metalike në çdonjërin prej tyre. Diçka të ngjashme duhet të kisha edhe në majat e gishtërinjve të dorës, sepse i ndjeja si të larguar prej njëri tjetrit. Diçka ndjenja përreth kokës dhe në pjesën e turpshme në fund të barkut.

 "Dikush ose disa dikushë po eksperimentojnë me mua!" Atë çast ndjeva frikë dhe kuptova se qënia po kthehej e gjitha sikundër pat qënë më parë. Me dyshimet, trembjet, lektisjet, hamendjet, marritë, etjet për gjërat tokësore dhe mbi të gjitha kureshjten. "Ky është vetëm fillimi!"-mendova.  


(vijon)  




 

No comments:

Post a Comment