Unë nuk jam shqiptaromadh.
Por edhe shqiptarovogël nuk dua të jem sepse jo vetëm mendoj dhe flas shqip, por se me atë pjesë të voël të rruzullit me lidhin shumë më shumë gjëra se më lidhin me pjesët e tjera. Po të zesh të numurosh njerëzit, çastet, ngjarjet bëhet një shkrim i gjatë dhe i mërzitshëm jo vetëm për ata që e lexojnë, por edhe për mua që e shkruaj.
Nuk jam as krenar dhe as i turpëruar që jam shqiptar. Ndjenja e krenarisë më ka kaluar që në kohën e "trushpëlarjes së madhe", kur na dukej se ishim shumë me fat që kishim lindur në Shqipërinë "fanar ndriçues." Por gjithashtu duhet të shtoj se më vjen mirë, kur gjuha jonë quhet nga më të vjetrat e njerëzimit. Ndoshtaasgjë nuk do ndryshonte edhe po të ishte ndër më të rejat, por ja që të vjen si mirë kur mendon që genet shqiptare shkojnë deri thellë kohëve të errëta të Fillimit. Kjo lloj ndjenje më bën që të hyj në grackën e ngazëllimit , kur dëgjoj se jo vetëm gjuhën e kemi më të vjetrën dhe jemi autoktonë, por se ne jemi pikërisht në rrënjët e qytetërimit.
Rreth 20 vite më parë isha më dyshues për këtë. Hyja herë herë në një Forum shqiptar, ku pjesëmarrësit më të shumtë ishin studentë shqiptarë në botë. Doja të dëgjoja idetë e reja të të rinjve të mençur. Atje hasa me këtë ngazëllimin patriotik, që ne na i kanë përvetësuar të tjerët shumë ngjarje, figura historike dhe arritje kulturore. Dhe nuk bëhej fjalë për të njohurit Piro i Epirit, Aleksandri i Madh apo Qyprillinjtë. Thuajse e gjithë kultura para Greqisë së Lashtë dhe gjatë saj ka qënë e jona, Ose më saktë duhet thënë pellasge, pellasgo-ilire dhe si rrjedhim e jona sepse jemi trashëgimtarët e drejtpërdrejtë. Edhe lufta e Trojës sipas disa shqiptaromëdhenjve kishte qënë luftë mes fisesh pellasge, dhe më vonë i gjithë eposi u kopjua nga grekët. E përmenda më lart që isha dyshues se aq dija. Por kishte të tjerë më cinikë se unë. Për shembull një shqiptarovogël këtyre pretendimeve ju përgjigj me një bejte të gjatë, nga e cila unë kujtoj vetëm vargjet:
Shqipëtar ishte Akili
Dhe Agamemnon rezili,
Si Paridi dhe Enea
Dhe Helena gjyvendeja...
Asokohe mbeta i dyzuar nëse kishin të drejtë shqiptaromëdhenjtë apo shqiptarovegjëlit. Para disa javësh u binda që kishin të drejtë të parët. Një historian dhe shkrimtar i joni kishte botuar librin, që pak a shumë titullohej "Troja ishte në Shkodër". Ai kishte vërtetuar pas analizës së thellë të Iliadës, toponimeve, Googlemap dhe të dhënave të tjera historike, Mbretëria e Priamit paska qënë në Kalanë e Rozafatit dhe përreth.
U indinjova me grekët e vjetër më shumë se sa jam indinjuar me këta të rinjtë, për ndërhyrjet që bëjnë për "çështjen Bejleri". Kanë mijëra vjet që na plaçkitin!
Por e vërteta vonon, por nuk mënon.
Nëse do ketë edhe studime të tjera të tilla. atëhere e gjithë historia botërore (që është kryesisht europiane) duhet rishkruar.
Për të na dhënë ne vendin që na takon.
Atë të qëndrës së botës!
No comments:
Post a Comment