Thursday, 29 February 2024

Hipokrizia e "ortodoksit" Putin


Në një intervistë të gjatë dhënë gazetarit amerikan Karlson Takër, autokrati rus Vollodja Putin dëshmoi se jo vetëm është proluftës deri në plotësimin e kushteve të tij, porse këtë e bën i sigurt,  nën justifikimin se i janë prekur interesat kombëtare ruse dhe si fuqi e madhe botërore do i mbrojë këto interesa me çdo lloj çmimi. Gjatë gjithë intervistës, me një të qeshur dinake të një gangsteri që do të tregohet i fortë, Putin jo vetëm gënjeu për shumicën dërmuese të fakteve historike, por nuk dëshmoi asnjë lloj shqetësimi që mijra rusë dhe vëllezër të tyre ukrainas po vriten në një konflikt të armatosur të nisur prej tij.

Këtu me të drejtë në fund të intervistës. gazetari amerikan e pyeti se si përputhet qëndrimi i tij proluftës me ideologjinë e tij të të krishterit ortodoks. Më parë, Putin kishte deklaruar se ai vetë dhe populli rus jo vetëm që janë të interesuar të mbrojnë botën e popujve ortodoksë, por edhe se kjo botë ka një thellësi të madhe shpirtërore nëse krahasohet me cinizmin dhe pragmatizmin e botës perëndimore. Për ta ilustruar përmendi edhe Dostojevskin dhe kredon e filozofisë së tij, por asnjëherë nuk ju përgjigj pyetjes së gazetarit lidhur me parimin e Krishtit "për të kthyer faqen tjetër".

Ka një ngjashmëri të madhe të hipokrizisë të mafiozëve italianë në Itali dhe Amerikë me Vollodjan rus. Të parët ndjekin me përpikmëri ritet katolike, ndihmojnë kishën dhe organizatat e lidhura me të edhe pse ditën dhe natën vjedhin, korruptojnë dhe gjithashtu vrasin. Por nëse të parët i përkasin "botës së nëndheshme" dhe kanë një ndikim minor në ngjarjet botërore dhe jetën e njerëzve në shoqëritë e tyre, gangsteri "ortodoks" rus jo vetëm që drejton një nga vendet me pasuritë më të mëdha në botë, por ka nën kontrollin e tij edhe një arsenal jo të vogël të armëve botërore. Një njeri i brymosur me materializmin dialektik se ekonomia është vendimtare në çdo lloj zhvillimi historik, e përdor "petkun ideologjik fetar" vetëm për të pasur një mbështetje më të gjërë në popull. Veprimet e tij gjatë 25 viteve që drejton Rusinë janë në kundërshtim të plotë me parimet bazë të fesë së krishterë në përgjithësi dhe të ortodoksisë në veçanti. Putin vjedh, vret dhe jep vazhdimisht dëshmi të rreme.

Edhe pse duhet thënë që nuk është politikani apo udhëheqësi i parë gjatë dymijë viteve të krishtërimit, që e bën këtë gjë, Putin bëhet më i rrezikshëm se të tjerët jo vetëm se është bashkëkohës, por edhe për rrezikun e provokimit të një lufte bërthamore.

Në fillimet e kësaj lufte kam shkruar se më vjen keq për të dy palët e të rinjve që vriten , si ata ukrainas, por edhe ata rusë. Më duhet gjithashtu të theksoj se popullit rus po i vihet një njollë e madhe me mbajtjen në fuqi të këtij gangsteri, që nuk ndalet para asgjëje.


No comments:

Post a Comment