Ka një diskutim të nxehtë në Shqipëri (dhe jo vetëm) rreth projektit Rama-Kushner për të kthyer Sazanin në një qëndër turistike me pesë yje. Kundërshtarët e perhershëm të Ramës e quajnë duke bërtitur si një falje të tokës shqiptare për të zgjatur qëndrimin e tij në krye të vendit, në një kohë që duket se Trump do fitojë zgjedhjet në Amerikë. Pra favori i madh që po i bën kryeministri dhëndërit të ish-Presidentit do shpërblehet me mbështetje për të nga administrata amerikane e ardhshme.
Deri këtu nuk ka ndonjë ekzagjerim. Eshtë i qartë qëllimi i Ramës. Puna është që kundërshtarët e Ramës fshehin një ëndërr që kanë pasur deri tashmë. Atë të mundësisë se Trump do mbështeste Berishën dhe do bënte të mundur rrëzimin e Ramës. Tani duket sikur të zhgënjyer thonë: "Oh e bëri për vete edhe "the Donald"!"
Nëse e gjykon me më pak pasion këtë çështje duhet t'ju japësh përgjigje disa pyetjeve.
A duhej zhvilluar Sazani?
Besoj se përgjigja e menjëhershme duhet të jetë "Po" dhe mbas saj lind pyetja: Kujt i duhet lënë në dorë?Mendoj se Kushner është ku e ku më serioz se AlAbari apo të tjerë investitorë të tjerë të dyshimtë vendas e të huaj. Një kompleks i madh i ndërtuar prej tij mund të tërheqë më shumë turizëm të pasurish në Shqipëri.
Pyetja të cilës ne i trembemi dhe që del e qartë edhe këtë herë është - A jemi ne një shoqëri që mund të ndërtojë një sistem liberalo-demokratik? Jo ne nuk jemi gati dhe nuk mund të jemi edhe pas 20 vitesh. Ndaj është krijuar ky sistem autokratik, i ngjashëm me atë të shumë vendeve ish-komuniste dhe veçanërisht vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik. Në të gjitha këto vende që drejtohen nga autokratë të korruptuar ndodhin këto afera të tipit "quid pro quo" (më jep të të jap). Ndodh me britanikët në Kazakistan, ka ndodhur me amerikanët në Ukrainë dhe dhjetra e dhjetra shembuj të tjerë.
Nëse duam të krijojmë një shoqëri perëndimore me institucione dhe më pak korrupsion, këtë nuk duhet ta presim nga SHBA dhe BE dhe aq më pak nga politikanët tanë. Duhet një vetëedukim demokratik, solidarizim dhe pjesëmarrje në politikë.
Afera e Sazanit është ku e ku më pak e dëmshme për Shqipërinë dhe taksapaguesit se sa ato të inceneratorëve, sterilizimit apo abuzimeve me ndërtimin e rrugëve. Rama deri diku po e jep "me dhimbje" Sazanin se e ka apsur ndërmend ta jepte diku ku mund të fitonte për xhepin e tij 100 milion dollarë. Tani po e jep vetëm për një mbështetje potenciale politike.
No comments:
Post a Comment