Saturday, 23 September 2023

Të ndjerët regjisorët e mij


Nuk mund të them me siguri se të gjithë fëmijët kanë dëshirë të aktrojnë. Mbase pjesa më e madhe syresh, sidomos në shekullin e kaluar, që padyshim ishte shekulli i kinemasë.

Në sistemet totalitare (veçanërisht në ato komuniste), dëshira e fëmijëve për të luajtur në skenë apo në filma ndihet së tepërmi nga shteti, që përdor artin skenik dhe kinematografik për propagandë. Shfaqjet teatrore amatore tek ne nxiteshin që në Shtëpinë e Pionierit dhe më tej në shkollën e mesme dhe më tej akoma në fabrika dhe uzina. Vazhdimisht kishte konkurime të grupeve amatore, të cilat thyenin monotoninë e një jete "të kontrolluar", veçanërisht për pjesëmarrësit në ato veprimtari.

Shpesh i sjell në mendje ata që kanë drejtuar shfaqjet ku kam marrë pjesë si i ri dhe adoleshent, dhe më vjen keq që thuajse të gjithë janë larguar të rinj nga kjo jetë.

Në Shtëpinë e Pionierit, regjisori im i parë ishte Raqi Cili. Ishte jo vetëm aktor i mirë dhe burrë i pashëm, por edhe njeri i mirë dhe me seriozitet në sjellje dhe punë. I mëshonte llogjikës në interpretim dhe në thënien e frazave, duke mënjanuar patetizmin, që jo rrallë "ushqehej" në aktrimin në një vend diktatorial.

Deri në vitet '80 të shekullit që lamë, në Institutin e Arteve nuk kishte degë regjisure, ndaj edhe të gjithë regjisorët e grupeve amatore (shpesh edhe ata të trupave profesioniste) ishin aktorë. Të tillë ishin regjisorët e grupit të shkollës sonë të mesme, Jani Riza dhe Perikë Gjezi, që fatkeqsisht humbën jetën në aksidente automobilistike. Jani ishte shumë i ri. Ende e kujtoj një mëngjes të vrejtur vjeshte kur mësova për vdekjen e tij.Ishte një njeri shumë i gjallë dhe bujar, si dhe me shumë humor. 

I hapur dhe dashamirës ishte dhe Peroja, që sa kishte mbaruar Institutin, kur punoi me trupën e teatrit të shkollës sonë. Ai frymëzoi disa nga gjimnazistët të ndiqnin rrugën e artit, por vetëm njëri prej tyre, Shkëlqim Jaupi, arriti të fitonte më vonë konkursin për pranimin në Institut.

Regjisorja nën  drejtimin e së cilës kam qënë për 5-6 vjet, ishte e nderuara Drita Kallamata. Edhe Drita nuk kishte studiuar për regjisurë, por kishte intepretuar në Teatrin Popullor dhe për një kohë të gjatë në Teatrin e Kukullave n[ Tiranë. Ndonëse natyra e aktrimit në një teatër kukullash është e veçantë dhe përqëndrohet tek vitaliteti që i jep buratinit, nga Drita mësoje shumë edhe për artikulimin e fjalëe dhe kontrollin e mirë të zërit në skenë. Regjisorja, që kishte qënë për ne si një nënë e dytë, u largua beftë një mëngjes nëntori, kur ishte vetëm 55 vjeçare.

Më gjatë pat jetuar i fundit mes regjisorëve të mij, aktori Niko Qirici. Nikoja ishte aktor komik, por mund të luante edhe role dramatike, falë paraqitjes së tij dhe zërit të ngrohtë prej baritoni.

Kur kisha mbushur 20 vjet dhe pata hyrë në Universitet, e kisha humbur dëshirën për të marrë pjesë në grupe amatore të skenës. ndoshta e kisha kuptuar që nuk kisha ndonjë talent të spikatur dhe gjithashtu isha më i ndërgjegjshëm se r-ja difektoze në të folur nuk tingëllonte mirë në skenë. Megjithatë kujtimet e provave dhe shfaqjeve, si dhe të drejtimit me dashuri dhe durim nga ana e regjisorëve mbeten të pashlyeshme.

Prehuni në paqe të dashurit regjisorët e mij! 


No comments:

Post a Comment