-Do një mollë?
-Jo
-Pse?
-Nuk e ha dot të paqëruar.
-Po qëroje.
-Përtoj. Dhe nuk di nëse Adami e qëroi.
-C’hyn Adami këtu?
-Molla ka karakter universal. Lidhet edhe me tërheqjen e
gjithësishme.
-Ti ke frikë nga mëkati?
-Jo. Steve Jobs kishte plot mëkate.
-Atëhere ke frikë nga tërheqja e gjithësishme.
-Preferoj të mos bëj deklaratë për të.
-E pse?
-Dukuri tejet e studiuar dhe ende e panjohur plotësisht.
-E panjohura sjell frikë.
-Më shumë i trembem të njohurës.
-Ndonjë të njohure me emër të veçantë?
-Gjithshkaje të njohur. Nga e panjohura nuk ka pse të kem
frikë se nuk e di nëse është, se nuk e njoh.
-Kjo bie ndesh me mendimin e përgjithshëm që të gjithë i tremben
të panjohurës.
-Mendimi i përgjithshëm nuk është ligj dhe për më tepër nuk është
i gjithësishëm.
-Ty të pëlqejnë lojrat e fjalëve.
-Më pëlqejnë të gjitha lojrat.
-Po të fjalëve më shumë.
-Janë më të thjeshta dhe mund të luhen pa përpjekje fizike.
-Edhe e qëruara e mollës nuk kërkon ndonjë mund.
-Ndoshta. Por nuk është lojë.
-Deri tani do e kishe qëruar.
-Të njëjtën them edhe për ty.
-Unë e hëngra.
-Nga kjo kam frikë.
-E pse?
-Tashmë është e njohur.
-Dhe nuk i trembesh qërimit të mollës?
-Nuk ka se si sepse nuk e di nëse do ndodhë.
-Këto që po thua janë marrëzi.
-Marrëzi të njohura, që nuk të trembin.
No comments:
Post a Comment