Wednesday, 11 November 2015

Ju e sollët Diktatorin!

E kam parë edhe herë të tjera në grupin e kompjuterave, ku mund të “gjezdisësh” pa para në internet për një orë, në bibliotekën e Qendrës së Bashkësisë. Këtë rradhë e kam ngjitur. Përsërit të njëjtat fjalë. Ka një lëkurë me një lloj bezhe pa shumë shkëlqim dhe hunda me majë me cipën gjithë kokrriza, duket se në një nga lëkundjet e përsëritura të kokës do çikë ekranin e madh e të sheshtë të kompjuterit.
“Ju e sollët diktatorin!” Edhe më parë e kisha dëgjuar të përsëriste me ngulm këtë frazë. Diçka shikonte në internet ngultasi herë me ton më të ashpër dhe herë më butë , por me të njëjtën vendosmëri përsëriste “Ju e sollët Diktatorin!”
Për të qënë i sinqertë, pasi kisha vrarë pak mendjen se nga mund të ishte, Libia, Egjipti, Pakistani apo Evropa Lindore, më shumë isha munduar të gjeja nëse i drejtohej një njeriu apo një grupi njerëzish.
Mbi ballë i tundet një tufë flokësh gjysëm të thinjur. Sytë herë herë i picërron, por nuk arrij dot të kuptoj nëse e ka nga ndryshimet e shpeshta të dritës dhe ngjyrave në ekran, apo se diçka lexon. Eshtë shumë i përqëndruar dhe shumë i sigurt. Edhe kureshtar. Në veshë nuk ka asgjë, që mund të më bëjë të mendoj se dialogon me kënd. Vetëm përgjigjet “Ju e sollët Diktatorin!” Toni nuk është asnjëherë i njëjtët dhe pauzat midis shumë të ndryshme. Herë herë ka dy tre të thëna njëra pas tjetrës. Herë pushime më të gjata. Duket se “tjetri” ose të tjerët mundohen të justifikohen “ashtu ishte koha”, “kaosi kishte pushtuar vendin” ose “nuk ishim ne, por të tjerë ata që e votuan”, por ai pa dyzuar përgjigjet prerë: “Ju e sollët diktatorin!”
Një nga biblotekaret vullnetare dhe të shëmtuara afrohet pranë stacionit të tij dhe diçka i pëshpërit ndërsa ai tund kokën dhe vazhdon të shohë ngultas ekranin. Bibliotekarja largohet dhe ai pëshpërit i vendosur “Ju e sollët dikatorin!” Duket që pala tjetër është inkurajuar nga ndërhyrja e autoriteteve dhe është përpjekur të mbrohet më me zjarr, por ai nuk është lëkundur. Ka raste, kur toni nuk është aq i prerë, sikur ai ju thotë “këto që po rendisni nuk janë krejt të pallogjikshme, por gjithsesi…ju e sollët diktatorin!”
Diktatori duhet të ketë qënë (ose dhe mbase është) një lloj monstre, se ndryshe nuk kam si spjegoj jo këmbënguljen e tij, por përpjekjet e vazhdueshme të “fajtorëve” për tu shfajësuar. Ndoshta diçka e rëndë i ka ndodhur gjatë diktaturës, njeriut me një tufë flokësh gjysëm të thinjura mbi ballë, që tani jeton në një vend pa diktaturë. Po edhe ata, që sipas tij e sollën diktatorin, nuk duhet të kenë qënë më mirë. Ose më keq akoma nuk janë edhe tani. Ndoshta ankohen dhe ai ju thotë pa ndjerë keqardhje “Mirë t’ju bëhet se ju e sollët diktatorin”. E megjithatë këto janë hamendjet e mija se ai thotë në tonalitete të ndryshme vetëm fjalinë “Ju e sollët diktatorin!”, pa i shtuarnë asnjë prej përsëritjeve as edhe një rrokje të vetme. Duket çuditërisht i bindur në tre gjëra: Vdekja, taksat dhe që “ata e sollën diktatorin”. Për këtë jam bindur edhe unë tashmë, por hezitoj t’i afrohem e ta pyes se ç’bëhet Diktatori. Kam frikë nga ai, spjegimi që do më japë apo nuk dua t’i jap fund hamendjeve. Tortura e ëmbël e të panjohurës? Apo trembem se mos bëhet fjalë për Diktatorin tim?
Po tek ne kush e solli Diktatorin?
I kam shpënë mendimet larg sallës së bibliotekës, në një kohë , të cilën nuk e kam jetuar, kur befas dridhem nga përgjigja e tij e prerë:

“Ju e sollët diktatorin!”

No comments:

Post a Comment