Wednesday, 4 November 2015

Shtatoret dhe të gjallët

Në ekranin e tv apo në atë të kinemasë, tërheqja zvarrë e një shtatoreje nuk të le një shije të keqe. E kam provuar në të njëjtën ditë, kur pashë tërheqjen e shtatoreve të Enver Hoxhës në Tiranë e në Korçë. Për të dytën, që e pashë nga ballkoni i apartamentit, edhe pse i gëzuar, pata një ndjenjë të keqe , si atë që të sjell dhuna ndaj një qënieje të pambrojtur. Nuk më ardhi për të qeshur edhe më vonë, kur kisha dalë rrugëve dhe dikush përmirte mbi shtatoren e braktisur, në vendin ku sot ngrihet Kulla Vrojtuese e Korçës.
Për fat të mirë, kam jetuar në një kohë, kur nuk kishte ekzekutime në publik dhe keqtrajtimi më i madh, që kam parë të bëhet nga autoritetet ose nga turmat ndaj të pambrojturve, ka qënë shtyrja e të burgosurve të prangosur, për t’I futur ose nxjerrë  sallave të gjykatës.
Nuk di sa mund të jetë përqindja e njerëzve, që dëshërojnë apo ëndërrojnë tërheqjen zvarrë të armiqve. Në “Dimri i vetmisë së madhe”, Kadareja ka një personazh të deklasuar, që ëndërron tërheqjen zvarrë të komunistëve rrugëve të Tiranës. Eshtë një nga pjesët më makabre të librave të tij. Por është letërsi artistike. Në një roman tjetër(përzjerje e imagjinares me historinë) të posabotuar në Tiranë, një personazh i Ben Blushit bën thirrje për tërheqjen zvarrë rrugëve të Basenit(Elbasanit) të shtatores së Lef Nosit. Por përderisa mbetet në suazën e letërsisë, edhe pse mund të lerë një shije jo të mirë, thirrja është plotësisht e pranueshme. E keqja qëndron në faktin, që autori ka bindjen(mbrojtur në interviatat e dhëna) se kjo gjë duhet të ndodhë në të vërtetë, sepse Lef Nosi i pushkatuar nga komunistët si bashkëpunëtor i nazizmit, duhet edhe në vdekje të zbritet nga piedestali i pamerituar dhe për më tepër të tërhiqet zvarrë!
Nuk dua të mbroj Lef Nosin apo vendimin e Bashkisë së Elbasanit për të ngritur shtatoren e tij. Shumë herë, në Shqipëri(dhe jo vetëm atje)bëhen gabime në vlerësimin historik të personaliteteve kombëtarë apo lokalë. (Kam bindjen që pushkatimi i tij dhe i Patër Anton Harapit ishte dënim shumë i rëndë  për rolin e tyre “dekorativ” në Regjencë).
Ajo që më bën përshtypje është thirrja, që ju bëhet turmave për dhunë. E ngjashme me thirrjet për thyerjen e kafkave të kundërshtarëve, që tjetërkush bënte vite më parë, apo për djegjen e vilave të politikanëve të korruptuar, të tërheqjes prej zhelesh e të tjera të tjera të ngjashme me to.
Thirrje “revolucionare”, që i bëhen pjesëve më të errëta të ndërgjegjes së njerëzve, të cilët në kohë të vështira ekonomike apo të padrejtësive shoqërore, nuk e kanë të vështirë të “ndizen” lehtë nga “apeli i elitës”.
Në skutat e errëta të mendjes tonë ende gjallojnë instiktet e hamarrjes së dhunshme jo vetëm ndaj të gjallëve, por edhe ndaj të vdekurve. Diçka, që edhe kafshët nuk e kanë. Këto të fundit hanë të gjallët, por nuk merren me shtatoret.







No comments:

Post a Comment