Për tu mbajtur të paktën një javë jehona e një lajmi që nuk
zgjat dot shumë, palët e interesuara u menduan tre ditë për të gjetur emrin e
Bebes Mbretërore. Eshtë diçka si Xhorxh Aleksandër e ca emra të tjera pas, që
diheshin jo vetëm nga prindërit, që nuk kanë shumë gjëra për të bërë gjatë
muajve të pritjes, por edhe nga shumë oborrtarë të tjerë që merren me studime,
protokolle e të tjera gjëra që lidhen me trashëgimtarin.
E pikërisht kjo e trashëgimtarit të tretë në rradhë për
fronin e Anglisë është ajo që përmendin mediat herë herë dhe që DUAN të nënvizojnë.
MOSNDRYSHIMIN.
Xhorxhi është i treti në rradhë pas gjyshit Karl dhe babait
Williams.
Mbretëresha është akoma në Fron dhe po t'i ngjasë të jëmës
do i kalojë njëqind vitet. Edhe po të abdikojë në favor të Karlit të zhurritur
për njëçikë Fron, kur të afrojë 99, duhen ende 14-15 vjet. Po qe se do kemi edhe
20 vite të Karlit e ndoshta po aq të Billit, jemi të garantuar që Xhorxhi do bëhet
Xhorxhi i Shtatë apo i Tetë pas thuajse 60 viteve. 60 vite të tjera që
korporatat, mediat në shërbim të tyre dhe oborret mbretërore europiane nuk duan
të kenë ndonjë ndryshim nga vitet e sotme.
"Bussines as usual" ose si thuhet nga anët tona
"i njëjti avaz".
Kënga është që "është mirë kështu si jemi ndaj s'kemi përse
të bëjmë ndryshime rrënjësore".
Problemi më i madh është që shoqëria në përgjithësi duket si
e mpirë dhe pas traumave të mëdha të shekullit të XX-të është disi e gatshme të
pranoje statukuonë. Edhe në çështjen e monarkisë( që për hir të së vërtetës është
më shumë çështje dekori) është më prapa se shoqëria e viteve '30, kur xhaxhai i
Elisabetës e la Fronin për një amerikane të martuar, apo se shoqëria e fillimit
të viteve '90 që dukej se përbuzte Pallatin e Bakingamit.
Përpara njerëzimit duket se janë kohë jo të mira, të cilat
rrezikojnë të përsërisin tragjeditë e shekullit të kaluar. Diçka të tillë
kishte përmendur edhe Obama sot në fjalën e tij rreth ekonomisë.
Por a janë qarqet përgjegjëse të shtimit të hendekut mes
shtresave të shoqërisë në gjendje të krijojnë reforma për të parandaluar përplasjet
e mëdha shoqërore? Apo do lenë që gjërat të rrjedhin në mënyrë automatike? Apo
nuk ekzistojnë qarqe të tilla e çdo gjë kushtëzohet nga Makina e Pamëshirshme e
Tregut?
Ndonëse vite jo të mira për ekonominë në përgjithësi, investitorët
e mëdhenj po bëjnë kërdinë në Bursat që po arrijnë rekorde. Janë shtuar disa
herë shitjet e makinave të luksit, jahteve, aeroplanëve private dhe banesave
luksoze.
Ka shumë njerëz që përsëritin 'kështu e lëntë", se në të
vërtetë për ta 20 vitet e fundit kanë qënë vite të arta. Dhe këta janë njerëz që
kanë rol në Lojën e Madhe politiko-ekonomike. Nuk bëj gabimin foshnjarak t'i
quaj shushunja apo gjakpirës sepse janë
një pjesë e shoqërisë njerëzore dhe pjesë e rëndësishme, e shkolluar dhe e
suksesshme.
Vetëm se nuk duhet të harrojnë që edhe tahmaja ka një kufi!
Se ha të zonë! Dhe bashkë me të edhe miliona e miliona të pafajshëm. Bebe të
porsalindur si Bebja Mbretërore apo edhe ata që ende nuk kanë lindur.
No comments:
Post a Comment