Saturday, 11 January 2025

SPAK nën ndikimin amerikan


Ka një diskutim të madh në mjediset e politikës shqiptare dhe ne media rreth SPAK-ut. Qëndrimet variojnë nga ai i shprehur nga Berisha (strukturë kriminale); tek ai i shumë kundërshtarëve të Ramës se SPAK përgjithësisht kontrollohet nga Rama dhe është pjesë e një sistemi shtetëror autokratik; dhe deri tek ai më pozitivi se SPAK po punon si një strukturë e pavarur dhe po bën shumë në goditjen e korrupsionit në Shqipëri.

Më duket se e vërteta nuk është në asnjë nga tre qëndrimet e mësipërme , por lidhet shumë me sponsorizuesit e Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht me palën amerikane, e cila është shumë e pranishme edhe në veprimtarinë e përditshme, sidomos të pjesës së Prokurorisë.

Amerikanët janë të interesuar edhe në tërësi, por veçanërisht ata që janë angazhuar me projektin, që ky projekt të mos dështojë. Dhe njëkohësisht janë të ndërgjegjshëm, që projekti është afatgjatë dhe do ecë ngadalë. Por gjithashtu ata janë edhe selektivë në direktivat që japin drejtpërdrejt apo me nënkuptime ndaj Prokurorisë së Posaçme. Ky selektivitet në rradhë të parë vjen nga synimi i tyre për të mos pasur trazira të mëdha në Shqipëri, të cilat mund të sjellin përmbysje të qeverisë së sotme. Për ta objektivi kryesor ka qënë goditja e atyre që kanë qënë në krye të herës kundërshtarë të reformës dhe që janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Kjo sjell edhe dy handikapet e mëdha që ka SPAK- mungesa e hetimeve në plotëri dhe thellësi se shpien tek Rama dhe mungesa e hetimit të krimeve zgjedhore.

Edhe pse nuk e përjshtoj ndikimin që mund të ketë Rama tek prokurorë apo gjyqtarë të veçantë, kam bindjen se SPAK si strukturë nuk është në xhepin e tij. Në të kundërt nuk do kishte pasur as arrestim të Beqajt as hapje të disa dosjeve që e implikojnë atë drejtpërdrejt.

Po a po e mbrojnë Ramën amerikanët se është njeri i Sorosit, si mund të thonë shumë antisorosistë?

Personalisht nuk e besoj këtë tezë, por mendoj se ata nuk shohin tek klasa politike shqiptare e sotme, dikë që mund ta zëvendësojë dhe të ketë në të njëjtën kohë një mbështetje të bollshme në elektoratin shqiptare. Ndaj në vend të kaosit preferojnë të korruptuarin Rama, me idenë se rradha e tij për të dalë para drejtësisëdo i përkasë një periudhe tjetër, kur të jetë larguar me votë nga qeverisja.

Duket si një rreth i mbyllur dhe pa dalje se përderisa ai do lejohet t'i manipulojë zgjedhjet ai nuk do largohet dot nga qeverisja, por amerikanëve nuk ju prishet shumë punë nëse ai do jetë edhe 4 apo 8 vite të tjera në pushtet. Për më tepër kur nuk ka një revoltë të hapur popullore kundër tij.

Ndaj edhe prokurorët shqiptarë, të karakterizuar nga një dinakëri prej fshatari që di se cilit zotëri i duhet shërbyer, do vazhdojnë të përdorin të gjitha marifetet ligjore edhe për tu treguar protagonistë, por edhe për të mos goditur më lart se sa ju këshillohet.

A sëhtë kjo Drejtësi?

Eshtë drejtësia e një vendi të sunduar në shekuj, që di se Drejtësia duhet të ketë vetëm një sy të lidhur dhe të anojë nga e kërkojnë interesat e më të Fortit.

No comments:

Post a Comment