Thursday, 9 January 2025

E gjet'të mga shokët e tij!


Ka një domethënie shumë interesante kjo shprehje e vjetër e popullit tonë. Përdorej në rastet kur dikush që kishte pësuar një dëm ose prapaskenë nga një njeri jo i mirë, hiqte dorë të merrej me të me spjegimin që nuk mund të ulej në nivelin e tij, por dëmtuesi do e pësonte në një kohë të mëvonshme nga dikush me cilësi të njëjta. Shkurt- edepsëzi le ta pësojë nga edepsëzi!

Edhe pse duket në thelb si një filozofi kapitulluese ndaj të keqes, në bazë të saj ka një botëkuptim pozitiv të shmangies së hakmarrjes, apo edhe më gjërë për të mos i bërë tjetrit, atë që nuk do të të bëjnë ty.

Për fat të keq, kjo lloj filozofie nuk është dominuese në shoqërinë shqiptare. Dhe më hapur kjo shfaqet në jetën politike të administratës, por edhe në bizneset private.

Njerëzit abuzojnë me çdo lloj pushteti që kanë! 

Në bizneset privat abuzojnë ndaj vartësve dhe veçanërisht ndaj femrave që kanë në varësi, në administratë në mënyrë të ngjashme dhe veçanërisht duke kërkuar rryshfete apo pjesë në tenderat që administrojnë, ndërsa në qarqet qeveritëse duke abuzuar në çdo lloj mënyre, nga abuzimet financiare dhe korrupsioni dhe deri tek pushimet nga puna apo edhe intriga të tjera për të neutralizuar apo likuiduar kundërshtarët.

Por abuzimet me pushtetin nuk ndalen këtu. Janë të hapura gjërësisht edhe në institucione ku të tilla tejkalime të "fuqisë", që të është atribuar ka pasoja të rënda për mbavajtjen normale të shoqërisë njerëzore. Dhe këtu është fjala për organet e Drejtësisë dhe veçanërisht për atë më të duartrokiturin në Shqipëri, SPAK-un.

Edhe pse mund të jem i bindur që "edepsëzët" Berisha, Meta, Ahmetaj, Veliaj, Dako, Koka, Kryemadhi, Beqaj e të tjerë,  kanë shumë e shumë mëkate të rënda që nisin me vjedhjet dhe përfundojnë deri tek vrasjet, abuzimet s SPAK ndaj tyre dhe veçanërisht entusiazmi i njerëzve të zakonshëm "mirë t'ja u bëjnë" sjelli një dëm të pariparueshëm në qëllimin e përbashkët për të ndërtuar një shoqëri moderne dhe demokratike.

Nese vjedhja e parave publike nga qeveritarët është e dënueshme me ligj dhe pasojë e abuzimit me pushtetin, po e tillë është selektiviteti i çështjeve penale, arrestimet e dhunshme, shtyrja pafund e pyetjes së të pandehurve. Nuk ka garanci, që një prokuror, i cili abuzon me atë që ka në dorë, nuk do abuzojë një ditë nëse ka në dorë fonde publike,

Duke ju rikthyer shprehjes popullore që është titull i këtij shënimi, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përkrahjen që ju bëhet "edepsëzëve", që shpien prapa hekurave "edepsëzët".

Zbatimi i ligjit duke u përkujdesur veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave të njerëzve (qofshin këta kriminelë) duhet të jenë në qendër të vëmendjes së shoqërisë. Në të kundërt shoqëria shpejt mund të rrëshqasë në një shoqëri, që mbështet ekstremet e djathte apo të majta.

Dhe të gjithë e dimë mirë se ç'është një Diktaturë!


No comments:

Post a Comment