Prej vitit 1945, për shumë arsye që fillojnë me dëshirën e përgjithshme për Paqe dhe vazhdojnë me ekzitencën e dy sistemeve të ndryshme shoqërore, Ligji i Xhunglës në marëdhëniet ndërkombëtare edhe pse nuk ishte plotësisht inekzistent, të paktën nuk ishte “në modë“. Opinioni i përgjithshëm botëror ishte kundër kolonializmit dhe “legalizimit” të orekseve të më të fuqishmëve për të nënshtruar vendet më të vogla dhe më të dobëta ekonomikisht apo ushtarakisht.
Edhe pse luftërat rajonale nuk morrën fund dhe vazhduan si vatra zjarri në të gjithë kontinentet, nuk ishin përpjekje të armatosura për të aneksuar të tjerët. Në përgjithësi retorika ishte “për të mbrojtur aleatët”, ose për të parandaluar përparimin e ndikimit “perandorive të këqia”, si quhej Bashkimi Sovietik.
Dukuria negative e vitit të fundit është se Trump e ka shpalosur hapur platformën e tij për të bërë Amerikën të lavdishme duke ju imponuar të tjerëve forcën ekonomike dhe ushtarake. Deklaratata pët të aneksuar territore të tjera nëpërmjet blerjes apo pushtimeve, sepse kjo është në interesin kombpëtar të Amerikës, të cilat 20 ose 30 vjet më parë mund të konsideroheshin të çmendura, tashmë kanë hyrë në diskutimet “normale” të shumë kancelerive botërore. Ka një stepje të aktorëve të tjerë të rëndësishëm botërorë ndaj deklaratave të “The Donald” për rimarrjen e kanalit të Panamasë, blerjen e Groenlandës apo përfshirjen e Kanadasë nën flamurin amerikan.
Duhet thënë se një rend i tillë tepër imperialist i shkon për shtat Kinës dhe Rusisë, që mund të kërkojnë në të njëjtën mënyrë ndryshime të kufijve apo zgjerimit të zonave të tyre të influencës. Nëse vazhdohet me të njëjtën logjikë në marëdhëniet ndërkombëtare, nuk është e pamundur që mes Amerikës, Kinës dhe Rusisë të nisin “pazare” për një ndryshim të rendit botëror, që do të favorizojë të mëdhenjtë në kurriz të më të vegjëlve. Këtë parandjen kur dëgjon deklaratat e Presidentit amerikan, përfshirë edhe fjalimin e tij të fundit në ditën e marrjes së pushtetit. Asnjëherë nuk u përmend bashkëpunimi ndërkombëtar apo forcimi i ligjeve apo organizatave ndërkombëtare. Gjithshka sillet rreth fuqizimit të Amerikës “për të kaluar fazën kur i bëheshin padrejtësi nga të tjerët”!
Në të kundërt, pritet që roli i organizatave ndërkombëtare, të cilat edhe pse kanë shumë të meta, shërbejnë në mirëmbajtjen e një ekuilibri botëror, të dobësohet në mënyrë drastike. Trump jo vetëm që largoi që ditën e parë SHNA-në nga Organizata Botërore e Shëndetsisë dhe nga Marëveshja e Parisit për Klimën, por pritet të dobësojë edhe rolin e OKB-së, NATO-s dhe organizatave të ngjashme. Nuk kuptohet se si pa ndihmën e këtyre, ky njeri që pretendon se do jetë Paqeruajtës do mbrojë Paqen? ! Duke i detyrurar të gjithë të veprojnë sipas udhëzimeve të tij? Historia tregon se diktati i një Fuqie sjell shpejt situata të acaruara që si rrjedhojë kthehen në konflikte të mëdha të armatosura.
Nëse Periudha e Artë, që Trump pretendon se do sjellë për Amerikën do jetë Periudha e Artë e Xhunglës, me frikë të madhe duhet thënë se 4 vite të errëta na presin.
Mund të duket si absurde, por shpresa e vetme për të mos patur një Luftë Botërore nuk është dëshira e Fuqive të mëdha për Paqe, por ekzistenca e armëve bërthamore në shumë vende. Jo prirja për të jetuar të gjithë mirë, por frika e shkatërrimit total të Xhunglës, mund ta ruajë atë në gjendjen që është, por pa e kthyer në një Parajsë Tokësore.
No comments:
Post a Comment