Wednesday, 15 January 2025

“Kapistalli” i partive të reja shqiptare

 


Më ngjan se një nga arsyet e shumta, që partitë e reja shqiptare, nuk gjejnë mbështetje të madhe tek zgjedhësit shqiptarë është edhe emri, që zgjedhin. Edhe pse mund t’i referoehmi shprehjes popullore “emri kapistall është“, them se për një vendim delikat dhe për të cilin shumë votues nuk kanë kohë të lexojnë programet apo të ndjekin mitingjet, “kapistalli” ka një lloj rëndësie. Duhet të të tërheqë, ose të thotë diçka.

Vite më parë dolën disa parti me emra që ngjanin siemra sëmundjesh- si Lebra apo Zgjebja. Nuk është e çuditshme që ato dolën shpejt nga qarkullimi.

Partitë e reja të sotshme kanë zgjedhur të pagëzohen me emra që nuk të thonë asgjë, ose lenë vend për kuptime jo fort të hijshme.

Lëvizja “Bashkë“ është një parti e majtë, që mund të fitojë edhe më tepër se 10%, por që ka një emër shumë të përgjithshëm, që ngjan si një front popullor, që merr në duar fatet e vendit, ose një Parti centriste që mundohet të krijojë një koalicion me partish të spektreve të ndryshëme. Si “Bashkë“? Me kë do bëhemi bashkë, edhe me të korruptuarit? Sa e gjatë do jetë rruga që do bëjmë bashkë?

Njëparti tjetër që vetëquhet opozitare, ka zgjedhur emrin “Thurrja”.

Po si mund të jesh opozitar në Shqipëri dhe të quhesh “Thurrja”? Më e logjikshme do ishte të kishte emrin “Shthurrja” dhe të pretendonte se qëllimin kryesor do kishte shthurrjen e sistemit të korrupsionit që është konsoliduar në këto 35 vjet. Pikërisht rrjetin e thurrur të kësaj merimange stërmadhe duhet të shkatërrojnë opozitarët në Shqipëri.

Më i çuditshmi është emri i një partie që quhet “Shqipëria bëhet”. Në rastin më të mirë kjo tingëllon si një shprehje ofiçine, kur ke shpënë një makinë që është bërë copë në një aksident, dhe mjeshtri mekanik pasi i vjen rrotull për një orë, më në fund thotë:- Volvoja bëhet! Por tronditës është një lloj tingëllimi tjetër që ngjan pakëz imoral. Shqipëria bëhet! Si bëhet? Ku pikërisht. Të ngjan se Mëmëdheu ka dalë trotuareve të Botës dhe pret klientin e parë ( që ka të ngjarë të jetë i pasur dhe zuzar si Trump).

Ndaj unë nuk mund të votoj për “Shqipëria bëhet”.

Ju të tjerët bëni si ta shihnë më të arsyeshme.

No comments:

Post a Comment