Friday, 24 January 2025

Trampisti Selim


Selimi (mbiemrin nuk po e ve sepse lexues kureshtarë mund të gërmojnë në profilet e tij në rrjetet sociale) është një i njohuri im nga jugu i Shqipërisë. Disa vjet më i madh se unë. Edhe më i gjatë. Para rënies së diktaturës ishte ushtarak dhe pas reformës së Ushtrisë Popullore, si shumë kolegë të tij përfundoi refugjat në Greqi.

Atje Selimi u kthye në Stilian, por për këtë nuk i ve dot faj, sepse në mënyrë absurde shteti dhe shoqëria greke, detyroi shumë muhamedanë dhe ateistë shqiptarë të kthenin emrat e tyre në emra shënjtorësh ortodoksë. Dhe megjithëse ishte kthyer në Stilian, Selimi e pësoi dy herë nga operacionet famëkeqe “Fshesa” dhe përfundoi në Shqipëri me një qese plastike me plaçka, për tu rikthyer përsëri për të punuar në Greqi, ku jetonte bashkë me familjen. Qysh atëhere i urren me gjithë shpirt grekët dhe jo pa të drejtë. I kam parë me sytë e mij disa herë në kufi, emigrantët e shkretë shqiptarë, të veshur jo mirë dhe të përçmuar nga ushtarët grekë ndërsa i zbrisnin nga autubozët në kufirin midis dy vendeve. Një turp i madh për të dy qeveritë (greke dhe shqiptare) që bënin sikur nuk e shihnin atë trajtim çnjerëzor, të njerëzve të varfër, që kishin shukuar për të siguruar bukën e gojës në vendin fqinjë.

Më pas, si shumë shqiptarë, Selimi dërgoi vajzën e madhe në një program këmbimi të shkollave të mesme në Amerikë dhe  pas punës dhe studimeve vajza u bë nënshtetase amerikane. Si e tillë vite më vonë morri nga Greqia dhe prindërit dhe të gjithë, me Selimin në krye filluan të realizonin “ëndërrën amerikane”.

Kur flas me të në telefon, me të qeshur i them “Si je Stilian?” dhe Selimi më sqaron që në “dekumenta” e ka Selim dhe në punë i thërresin Sem. I kënaqur se punon në dy punë dhe paguhet me para në dorë dhe kështu që nuk paguan as taksa.

Nuk di se si verën që shkoi e pyeta se për kë do votojë dhe me krenari me tha: “Mos e diskuto, për Trampin!”Kur e pyeta, pse kaq pa diskutim mu përgjigj: “Po ku durohen këta latinot! Le që marrin “wellfer” nga taksat tona!” Më pas shtoi edhe se e do Trump-in se sipas tij “ka mbaruar Shkollën e Bashkuar të West Point” dhe ka dobësi për ushtarakët.

Kur i kujtova grekët dhe operacionet “Fshesa”, më sqaroi se latinot jo vetëm që janë pa “dekumenta”, por nuk dinë as edhe një fjalë anglisht. Më pas vazhdoi edhe me krimet që kryejnë latinot, me drogën që sjellin nga Meksika dhe me gjellët shumë djegëse, si dhe që disa prej tyre hanë kafshë shtëpiake.

E pata kuptuar që ishte e kotë të bindja Selimin, se ne si emigrantë, të ligjshëm apo jo, duhet të jemi më të njerëzishëm me njerëzit, që kanë lënë vendet e tyre jo nga malli, por nga halli. Nuk vlen për këtë rast shprehja “i ngopuri nuk kujtohet për të urtuarin”, por “i urtuari i djeshëm, në momentin që mbush barkun me bukë, i urren të urtuarit e sotëm”.

“Fshesa amerikane” e Trump sa ka nisur dhe shumë e shumë amerikanë do mbyllin sytë ose do gëzohen për ç’ka po mdodh e do ndodhë.

Por shoqëritë që humbasin humanizmin janë të dënuara që jo shumë vonë të ndëshkohen.

No comments:

Post a Comment