Friday, 3 January 2025

Ja ku është 2027-a!


Për mua, dhurata më e bukur e Vitit të Ri ishte lajmi i dhënë nga kryeministri Rama, që në vitin 2027, në kuadrin e një takimi të NATO-s, presidenti Trump do vizitojë Tiranën. Besoj se edhe për shumicën e shqiptarëve, kjo duhet të ketë qënë dhurata më e mirë. Lajmi kishte entusiazmuar edhe Sali "non grattan", që deklaroi se do ishte ai që do shërbente si nikoqiri i shtëpisë gjatë vizitës së Trump.

Lajmi i bukur më solli në mendje edhe një mesele të vjetër, rreth një ngjarjeje në një vend të papërcaktuar, në Mesjetën e hershme.

"Një mbret tiran, në një çast dobësie pat thirrur gjithë të dënuarit me vdekje në oborrin e tij. Ju tha se do i falte jetën atij që premtonte se do bënte diçka shumë të veçantë për mbretin dhe mbretërinë dhe që do i mbushte mendjen mbretit për të. Pati shumë premtime nga të dënuarit, prej rrugëve në male, tek kthimi i plumbit në ar dhe shumë të tjera, por mbreti i dërgoi të gjithë tek xhelati, se nuk i dukeshin propozime interesant. 

Më në fund, një i dënuar tha :Madhëri, pas një viti unë do bëj që kali jot të fluturojë! Tirani e pa me mosbesim, por si u mendua pak tha- Mirë, ti do vazhdosh të qëndrosh në burg dhe pas një viti, po mos e bëre kalin tim të fluturojë do të pritet menjëherë koka! I dënuari u përul para mbretit, i lehtësuar që nuk do ekzekutohej së shpejti.

Në qeli, bashkëvuajtësi i tij i mençur e pyeti: Po përse e zgjat agoninë, ti e di mirë që është e pamundur që të bësh që kali të fluturojë! I dënuari me vdekje u gjegj- E di vërtet, po në një vit shumë gjëra mund të ndodhin; një luftë e madhe mund të bëjë vaki dhe të tjerë na pushtojnë...në vitin që vjen edhe mbreti mund të vdesë...po në fund të fundit ku i dihet...edhe kali i mbretit mund të fluturojë!"

Nga kjo që rrëfeva, ata që janë dashakeqë ndaj meje, Trump dhe Ramës mund të thonë:

Po në tre vjet - NATO-ja mund të shbëhet si e ka thënë "The Donald", Inteligjenca Artificiale mund të ketë përparuar aq shumë sa të mos ketë nevojë për samite, për kryeministra apo presidentë, po edhe po të mos ndodhin gjithë këto, Trump është 79 vjet dhe ku i dihet nëse qiejt e thërresin pranë tyre para vizitës në Tiranë.

Por të gjitha këto tersllëqe dashakeqe janë pjellë e mendjeve jopatriotike, që nuk duan forcimin e aleancës shqiptaro-amerikane dhe veçanërisht unitetin Trump-Rama.

Cdo gjë ka për të shkuar më së miri!

Ja ku është 2027-a!

No comments:

Post a Comment