Wednesday, 24 October 2018

Në kthinën time të gatimit

Hithra të mbledhura buzë lumit,
Përzjerë me vrerin,
Ditë të tëra marinuar,
Me vajin pikuar harrimit
Dhe lëngjet gojës rrjedhur në prag të gjumit
Më presin në kthinën time të gatimit.
Nuk ka më supë të ftohtë ditësh gëzimi
Ndaj zjarrin më duhet të ndez,
Për të patur avull,
Sa më shumë avull,
Që të humb perceptimin e ngjarjve,
Pyjeve varur.
Dua brumin e ditëve
Ta zgjat e ta stërzgjat
Trupin për të rrethuar
Gërvishtjet nga gjëmbat e marrëzive,
Prej kripës së tepërt të përçmimit
Dhe uthullës së heshtjes
Më tej janë hapur,
Pranë eshtrave thelluar.
Në vorbën prej balte
Bashkë hedhur
Petalet e trëndafilit
Dhe “Rrënjët e së Keqes”;
E ndërsa me një lugë të madhe titani i përzjej,
Shoh dhimbjen tërësisht të patretur,
Me frikën e shkulur prej vetes.
Do i shtoj dhe të helmëtat kërpudha,
(Asgjë nuk është më e hidhur se pelini),
Në pyllin e vjeshtës
Nuk më shpie më udha;
Ditët do ngrys këtu-
Në kthinën time të gatimit.

No comments:

Post a Comment