Monday, 29 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi? (fund)

(vijim)
Në kohën pas rënies së Murit të Berlinit pati një optimizëm të madh të pjesëve më përparimtare të shoqërive perëndimore. U krijua përshtypja se rënia e ideologjive “kontradiktore” që ishin në themel të dy kampeve të angazhuar në Luftën e Ftohtë do të sillte paqe të qëndrueshme dhe zhvillim në pjesën më të madhe të globit. Një e ardhme e ndriçuar dukej se e priste gjithë Europën dhe Amerikën e Veriut dhe pas tyre edhe kontinentet e tjera.
Për shkaqe të nivelit të ndryshëm të jetesës së shoqërive të veçanta, të formimit kulturor dhe filozofik të ndryshëm si dhe për qasjen tepër materialiste ndaj jetës të shtresave më të emancipuara të të gjithë shoqërive, kontradiktat brenda vendeve dhe midis tyre nuk u fashitën, por mbetën të njëjta. Përgjigje shteruese ndaj kësaj dukurie nuk kanë mundur të japin as Chomsky, as Huntington, as Zhizhek, as Bernard- Levy dhe as shumë filozofë dhe sociologë të tjerë. Shpesh herë, përfundimet e tyre janë aq të kundërta, sa cilido që mundohet të gjejë një përgjigje pranë të vërtetës, ngatërrohet më shumë në mendjen e tij.
Një fakt është i qartë. Njerëzit janë të pakënaqur me njëri tjetrin dhe këtë po e shprehin çdo ditë e më shumë në mënyra nga më violentet.
Por a jemi në një fazë të ngjashme me atë të dominimit të shtetve totalitare të fillimit të shekullit të XX-të?
Për mendimin tim nuk jemi në një gjendje të tillë, por nuk jemi edhe aq larg sa do dëshëronim të ishim.
Shembulli më i qartë është në gjendjen e shoqërisë amerikane, e cila jo vetëm është një nga shoqëritë më të mëdha në botë, më shumëetnikja por edhe më e pasura.
Fitorja e papritur e Trump-it në zgjedhjet e vitit 2016 dëshmoi jo vetëm pakënaqësinë e njerëzve ndaj “the establishment”, por edhe urretjen e popullsisë së bardhë ndaj njerëzve me ngjyrë, çifutëve, homoseksualëve dhe emigrantëve në përgjithësi. Pra një pjesë jo e vogël e popullsisë flet dhe vepron “politikisht korrekt” vetëm sepse kështu duhet dhe jo se mendon ashtu. Në çastin, që inkurajohet nga mediat dhe politikanët është gati të rikthehet në “flamujt” e racizmit të Ku Klus Klanit dhe të fashizmit të Musolinit dhe Hitlerit. Pra paqja sociale dhe më tej ajo midis vendeve është shumë shumë e brishtë. Këtë tregojnë gjithë ngjarjet violente të muajve të fundit. Trump nuk duhet akuzuar se po ‘keqedukon” shtresa te caktuara të popullsisë, por se ndihmon, që ato të dalin nga thellësitë në sipërfaqe.
Dhe kjo në të gjithë shoqëritë e tjera. Anglezët, gjermanët, italianët, rusët, shqiptarë, sërbët, e gjithë të tjerët, me mendjelehtësi kanë lejuar që shoqëritë e tyre të degradojnë në filozofinë e “jetës sot për sot”, “të fitimeve të lehta”, “të garës së pasurimit” due lënë pasdore edukimin pozitiv shoqëror. Në rrjetet sociale, ku njerëzit ndjehen më të “maskuar” gjithnjë e më tepër shihen komente plot urrejtje për të tjerët, që janë të ndryshëm nga ne. Mençuria e të vjetërve për të ndihmuar me të dobtit, për të menduar për të ardhmen e brezave të tjerë, për të jetuar edhe duke kursyer, duket si një filozofi e prambetur, e papërshtatshme për kohën që jetojmë.
A do nxjerrim mësime nga ngjarjet violente me pak viktima apo do presim për konflikte më të mëdha me humbje të mëdha jetësh, kjo do duket në dhjetvjeçarin e ardhshëm.
Deri më tash shenjat nuk janë të mira.

No comments:

Post a Comment