Tuesday, 9 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi? (2)

(vijim)
Le të përpiqem të spjegoj se ç’kuptoj me termin “neoskllavëri”.
Eshtë pranimi nga të gjithë i krijimit të bazës së funksionimit të shoqërisë sipas “ekonomisë së tregut” të përcaktuar nga Adam Smithi dhe i huazuar më vonë nga Marksi. Mbi këtë bazë është krijuar një sistem i gjithë filozofik-politik-arsimor, ku të gjithë duhet të punojnë “për të merituar jetesën” sipas rregullave(ligjeve) të përcaktuar nga më të fuqishmit. Dhe meqënëse një pjesë e mirë e njerëzve (edhe të mirëshkolluarit) i tremben sistemeve të tjera të dështuara ose më konflikt-ndjellëse, pranojnë që kokëulur të fusin familjen e tyre në këtë sistem të ashpër të neoskllavërisë.
Po ku po shpie “paqja e shoqërisë së konsumit”?
Më e dëmshmja është  katastrofa e ardhshme ekologjike. Përsos saj, cilësia e jetës ka rënë dhe njerëzit kalojnë mëse 60-70 orë në javë në punë dhe “trafik”. Nëse në një javë do llogarisim edhe 55 orë gjumë, atëhere mbeten vetëm 40 orë në javë për të ngrënë, larë, shëtitur, lexuar, dëfryer, e të tjera e të tjera. Dhe këtu hyjnë vetëm njerëzit që punojnë pesë ditë në javë dhe në kohë normale. Nuk llogariten miliona që bëjnë nga dy punë për shkak të nevojave ose për të fituar “energji financiare”, që të largohen nga orbita e skllevërve dhe të kalojnë në një orbitë më të lartë. Kuptohet, që edhe nëse nuk do jenë të prekur nga neurozat ose nga sëmundje të tjera mendore, me stresin e orëve të zgjatura në punë, njerëzit do i shijojnë më pak edhe orët e lira.
Por si e përmenda më sipër, të gjithë thuaj se nuk bëjmë aspak për të përcjellë tek fëmijët prirjen për kritikë dhe ndryshimin e këtij sistemi. E bëjmë nga frika dhe nga padija.
Të pakët janë ata që njohin me thellësi sistemin arsimor tek i cili kemi dorëzuar fëmijët.
A është plotësisht një sistem që përgatit “ ushtarë“ apo po t’i referohemi këngës së Pink Floyd, “një tjetër tullë në mur”?
Edhe vetë nuk ju kërkojmë gjë tjetër por vetëm të arrijnë rezultate optimale për tu përgatitur për të ardhmen e tyre si “skëllevër modernë të kualifikuar”. Për t’u “bërë rehat”. Për të realizuar “ëndrrën amerikane”. Për të jetuar më mirë se ne.
Edhe pse thellë vetes e ndjejmë, që nuk duhen inkurajuar për të blerë makina dhe rroba të shtrenjta, se jo vetëm që humbasin cilësinë e të qënit modestë, por mbi të gjitha bëhen robër të konsumit, I cili do ju keqësojë jetën më vonë, nuk jemi në gjendje t’i frenojmë dhe t’ju themi haptas se “nuk është kjo thlbësore në jetë!”
Ku është fundi i kësaj rruge të blerjes së këpucëve 600-700 dollarë, i çantave 2000 dhe 3000 dollarë dhe i makinave mbi 50 mijë? A mund të ketë një fund të mirë një grykësi e tillë, qoftë dhe e arritur me të ardhura jo kriminale?
Ata që kanë në dorë sistemin(shumë herë më shumë se njerëzit e thjeshtë) janë të interesuar për të mbetur i tillë. Dhe këtu nuk hyjnë vetëm miliarderët, por edhe një lukuni me neo-liberalë, familjet mbretërore dhe deri në krerët e partive të ashtuquajtura të majta.

(vijon)

No comments:

Post a Comment